25 Prill 2024

Biden: Pavarësia e Kosovës është proces i pakthyeshëm

Washington, 22 korrik - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi është pritur sot në Shtëpinë e Bardhë nga zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joseph Biden.
 
Në takim, kryeministri Hashim Thaçi dhe zëvendëspresidenti Joseph Biden kanë diskutuar për zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe rajon, për proceset e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe për përmbushjen e të gjitha standardeve demokratike nga ana e institucioneve të Kosovës.

Kryeministri Thaçi në fillim shprehu konsideratën dhe mirënjohjen më të lartë për kontributin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë në procesin e çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës, si dhe tani në procesin e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe të përparimit të gjithëmbarshëm.

Kryeministri Thaçi me këtë rast ritheksoi qëndrimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të popullit të Kosovës për raporte të  përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në takim me zëvendëspresidentin amerikan Joseph Biden, kryeministri Thaçi ka shprehur bindjen se pas marrjes se vendimit nga ana e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, do të fillojë një valë e re e njohjeve për shtetin e Kosovës, duke dëshmuar kështu se pavarësia e Kosovës ka sjellë më shumë paqe, më shumë stabilitet dhe më shumë zhvillim për gjithë rajonin, - ka theksuar kryeministri Thaçi.

Nga ana e tij, zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joseph Biden, shprehu konsideratën e lartë për përkushtimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për sundimin e rendit dhe ligjit në Kosovë, vendosmërinë në luftën e pakompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, për respektimin afirmativ të të drejtave të komuniteteve, dhe të proceseve tjera zhvillimore.

Zëvendëspresidenti amerikan, Biden, ka rikonfirmuar qëndrimin e Shteteve të Bashkuara se pavarësia e Kosovës është proces i pakthyeshëm dhe se do të ketë vetëm ecje përpara drejt proceseve integruese dhe të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të të gjitha vendeve të rajonit.

Zëvendëspresidenti Joseph Biden ka theksuar se Kryeministri Hashim Thaçi është George Washingtoni i Kosovës.

Zëvendëspresidenti Biden siguroi kryeministrin Thaçi se integriteti territorial i Kosovës mbetet i pacenueshëm dhe se rendi dhe ligji duhet të vendoset në tërë territorin e Kosovës.

Zëvendëspresidenti Biden theksoi se e ardhmja e Kosovës është e sigurt në NATO dhe Bashkimin Evropian.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)