24 Prill 2024

Berisha: Dik Marti avokat i verbër i krimeve serbe

Tiranë, 22 dhjetor - Raporti i Dik Marti, ka zënë pjesën më të madhe të fjalës së kryeministrit Berisha gjatë mbledhjes së qeverisë, duke nënvizuar se raporti është i pa pabazuar. Duke theksuar se qeveria shqiptare ka qenë gjithmonë e hapur për hetimet lidhur me pretendimet gjoja transplanti i organeve është kryer në një banesë në Burrel, Berisha nënvizoi se viktimat kanë qenë shqiptarët e Kosovës dhe jo serbët.

Sipas tij, Dik Marti nuk ka dashur asnjëherë të di për varret masive ndaj shqiptarëve, duke mbrojtur kriminelët serbë. Kryeministri u shpreh se sërish qeveria shqiptare mbetet e hapur për të hetuar çdo pretendim.

“Shqipëria, pavarësisht se raporti i Dick Marty flet për akte makabre, duke mos paraqitur as edhe një fakt të vetëm, flet për dëshmitarë njëlloj sikur të ishin personazhe të Franc Kafkës, të cilët nuk mund të shfaqen, kërkojnë anonimatin, flet për 300 serbë të zhdukur dhe nuk jep qoftë edhe një emër të veçantë, flet për një klinikë të gjetur në Prishtinë nga EULEX, e cila sipas këtyre akuzave merret me trafik, por që i ka drejtuesit nga vende të tjera dhe këtë ngjarje të 2009-s e lidh me ngjarje të 1999, pra, pavarësisht nga të gjitha këto pretendime të bazuara në asnjë fakt apo të dhënë reale, ne ftojmë EULEX të ndërmarrë hetimin dhe i garantojmë të gjitha lehtësirat dhe bashkëpunimin e plote të autoriteteve shqiptare", u shpreh.

Ai shtoi se pavarësisht se EULEX ka një mandat për shtetin e pavarur të Kosovës, “ne mirëpresim plotësisht hetimin e tij, sikundër zoti Ministër i Drejtësisë do ti drejtoheni Kryetarit të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, me një letër të veçantë, me anë të së cilës, ta ftosh e ta garantosh se pavarësisht se mandati i Gjykatës është për krimet  e luftës në Ish–Jugosllavi, në Shqipëri nuk do të kenë as edhe pengesën më të vogël për çdo lloj hetimi”.

Kryeministri premtoi se Shqipëria do të ndërmarrë një nismë në Këshillin e Evropës që Dik Marti të dorëzojë pranë EULEX-it provat që pretendon.

“Janë shumë akuza direkte ndaj Gjykatës Ndërkombëtare për krime të luftës në Ish Jugosllavi, në raport se janë zhdukur prova nga kjo gjykatë. I takon kësaj gjykate, integriteti dhe kredibiliteti i saj, të kërkojë se cilat prova ka zhdukur gjykata. Asnjë nga vendet  e lira, asnjë nga anëtaret e koalicionit nuk ka qenë kurrë i interesuar që të fshihen, të zhduken provat e krimeve të luftës, aq më pak mendoj dhe gjykoj, do të ketë qenë e interesuar Gjykata e Ndërkombëtare  e Hagës. Ndaj dhe duke ftuar gjykatën që të rinisë hetimin e kësaj çështje e ftoj gjithashtu të qartësojë sepse kjo përbën një akuzë të rëndë ndaj gjykatës”, vijoi ai.

Duke e njohur nga afër Dik Martin, Berisha tha se kishte pasur rastin ta takonte në një delegacion në KiE-së, para vitit 2005, duke nënvizuar se ai është avokat i krimeve serbe ndaj shqiptarëve.

 “Teza e tij kryesore në KE, të cilën e ka mbrojtur me fanatizëm, ka qenë se në Kosovë nuk ka ekzekutorë dhe viktima, se nuk mund të pranohet që serbët të jenë ekzekutorë dhe shqiptarët viktima. Ky ka qenë lajtmotivi i tij ndaj krimeve monstruoze të luftës. Se kush i shpërnguli 1 milion shqiptarë, se kush e mbushi Kosovën me varreza masive, se kush e mbushi Savën dhe Danubin me kufoma shqiptarësh, kjo për Dick Martyn nuk kishte rëndësi. Ky zotëri, në të gjitha rastet do të bënte avokatinë  e verbër të Serbisë së Madhe në raport me shqiptarët”, vijoi kreu i qeverisë.

Berisha shtoi se Marti ka qenë kundër pavarësisë Kosovës, teksa ka shtuar se shqiptarët nuk duhet të habiten nga ky racizëm.

“Pas racizmit të egër ndaj çifutëve, dua të theksoj këtu, se në memorien e historisë padrejtësitë dhe racizmat ndaj shqiptarëve kanë qenë një nga aktet më të turpshme. Këto i ka fryrë dhe nxitur ideja e serbomadhisë, por edhe komplekse idesh të tjera, të cilat bënë që trojet shqiptare të copëtohen në pesë shtete, pavarësisht se shqiptarët ishin kudo një maxhorancë në territoret  e tyre dhe vazhdimësi etnike gjeografike. Të dashur qytetar shqiptarë, nuk duhet të çuditeni kur ndonjë racist të dalë një ditë dhe të thotë se luftëtarët e UÇK-së kanë qenë edhe kanibalë”, sqaroi ndërkaq kryeministri i Shqipërisë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)