26 Janar 2022

Austria i qëndron pranë Kosovës dhe e mbështetë në integrimet evropiane

Vjenë, 23 nëntor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është mirëpritur në rezidencën e Kancelarisë Federale të Austrisë nga Kancelari i Austrisë, Alexander Schallenberg, me të cilin ka zhvilluar takim bilateral.

Kryeministri Kurti e uroi kancelarin Schallenberg për detyrën dhe përgjegjësinë e re si Kancelar dhe theksoi gatishmërinë e tij dhe të Republikës së Kosovës për të vazhduar raportet tejet të mira me Austrinë.  

Ai foli për ringjalljen dhe rritjen e pashembullt ekonomike që po e përjeton Kosova që nga paslufta, e që këtë vit parashihet të jetë 9,9 për qind, dhe për angazhimin e qeverisë në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Kryeministri Kurti e njoftoi Kancelarin Schallenberg edhe për rritjen e shënuar në investimet e huaja direkte të cilat këtë vit janë 89 për qind më të mëdha sesa mesatarja e tyre gjatë dekadës së fundit dhe më të lartat që nga shpallja e pavarësisë.  

Kancelari Schallenberg nënvizoi rëndësinë e investimeve të Austrisë, që renditet e pesta për nga investimet direkte në Kosovë.  U diskutua për mundësitë e rritjes së investimeve austriake në Kosovë dhe u dakordua që në shërbim të kësaj gjatë vitit të ardhshëm të organizohet Samiti Ekonomik në Kosovë.

Sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës sot janë bërë 3 vjet, 4 muaj e 5 ditë qëkur Komisioni Evropian ka rekomanduar për herën e dytë liberalizmin e vizave.

Kancelari austriak dha mbështetjen e tij të plotë në lidhje me liberalizimin e vizave dhe tha se Austria i qëndron pranë Kosovës dhe e mbështetë atë në procesin e integrimeve evropiane.

U bisedua edhe për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe kryeministri Kurti ritheksoi angazhimin e Qeverisë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse që në qendër të saj ka njohjen reciproke dhe nga e cila përfitojnë popujt dhe qytetarët e dy vendeve.

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 janar 2022

- Kuvendi Komunal i Gjilanit mban seancën e radhes. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit të Komunës së Gjilanit, ora 10:00)

- Komuna e Rahovecit organizon homazhe dhe nderime për dëshmorët e kombit: Nesimi Elshani, Agron Fetahu, Halim Hoti dhe Hilmi Krasniqi, të rënë në Brestoc me 27 janar 1990. (Brestoc, ora 10:00)

- Kuvendi i Kosovës mban seancën e jashtëzakonshme në të cilën do të mbahet debat parlamentar për gjendjen e pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës. (Kuvendi i Kosovës, ora 11:00)

- Komuniteti Bektashian i Kosovës Gjyshata Gjakovë organizon ngjarjen përkujtimore për një vjetorin e kalimit nga jeta të ish-Kryetarit të Komunitetit Bektashian të Kosovës, Baba Mumin Lama si dhe 47 vjetorin e kalimit nga jeta të Baba Musa Himaduna, njëkohësisht rivarrimin e tij në tyrben e baballarëve bektashian në Gjakovë. (Ambientet e Teqesë Bektashiane në Gjakovë pranë “Hani i Haraçisë”, ora 11:00)
 
- Komuna e Rahovecit organizon manifestimin përkujtimor e kulturor për dëshmorët e kombit: Nesimi Elshani, Agron Fetahu, Halim Hoti dhe Hilmi Krasniqi. (Salla e Kuvendit Komunal në Rahovec, ora 11:00)

- Me rastin e 30 vjetorit të Shtëpive-Shkolla, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Perparim Rama së bashku me ekipin e tij, do ta vizitoj Muzeun “Shtëpitë-Shkolla” te familja Hertica, shtëpi këto që u shndërruan në shkolla në periudhën e rezistencës mbarë popullore kundër regjimit serb. (Kodra e Trimave, ora 12:00)

- Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë organizon ngjarjen kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, e cila këtë vit i kushtohet shkrimtarit, veprimtarit politik, laureatit të Çmimit Nobel për Paqe dhe të mbijetuarit të Holokaustit, Elie Wiesel.  (Shkolla e Muzikës “Prenk Jakova” në Gjakovë, ora 12:00)

- Institutit për Politika Zhvillimore mban konferencën lidhur me situatën energjetike në vend. (Zyret e INDEP, ora 14:00)

- Kuvendi i Kosovës mban seancë plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 15:00)