28 Mars 2024

Anëtarët e KS-së kundërshtojnë rezolutën e Serbisë

New York, 29 korrik - Shumica e anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së e kanë kundërshtuar rezolutën që Serbia e dorëzoi dje për ta proceduar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Fuqitë e Mëdha, sidomos shtetet si Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë vlerësuar se teksti i rezolutës serbe është i papranueshëm pasi në të thuhet se Serbia dhe Kosova duhet të vendosin "dialog për të gjitha çështjet e hapura".

Sipas këtyre vendeve, të cilat e kanë njohur ndër të parat pavarësinë e Kosovës, është dashur të precizohet se bëhet fjalë për "bisedime për çështje teknike" e jo për të "gjitha çështjet e hapura".

Ndryshe Serbia dorëzoi dje një projekt-rezolutë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku kërkon një dialog të ri për Kosovën, por nuk bën thirrje për rihapjen e bisedimeve për statusin.

Ministria e jashtme serbe thotë në faqen e saj të internetit se Beogradi do që Asambleja e Përgjithshme t’u bëjë thirrje të dyja palëve që të gjejnë “zgjidhje të pranueshme nga secila palë për të gjitha çështjet përmes një dialogu paqësor”.

Rezoluta dorëzohet më pak se një javë pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë arriti në përfundimin që shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte e ligjshme në bazë të ligjit ndërkombëtar.

Zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuqi i tha se Kosova do të paraqesë një Rezolutë të saj në bashkërendim me partnerët ndërkombëtarë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që do të jetë në linjë me mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe në frymën e bashkëpunimit rajonal dhe integrimeve evropiane si dhe në frymën e krijimit të paqes dhe qëndrueshmërisë rajonale dhe më gjerë.

Kuqi tha se paraqitja e projekt-rezolutës nga Serbia është një logjikë e vazhdimit te konfrontimit në radhë të parë për të krijuar iluzion tek populli serb qe beteja po vazhdon. “Kjo nuk u ndihmon marrëdhënieve të mira ndër fqinjësore dhe as bashkëpunimit rajonal për integrime evropiane,” tha ai.

Menjëherë pas opinionit të së enjtes, Presidenti serb Boris Tadiç tha se Serbia do të vazhdonte të përpiqej ta rimerrte nën kontroll Kosovën, duke përdorur të gjitha mjetet paqësore dhe ligjore

Beogradi tha të hënën se pret që 55 vende të tjera ta njohin Kosovën. Deri tani 69 vende e kanë njohur atë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)