19 Prill 2024

Akuza të rënda kundër Izraelit në Këshillin e Sigurimit

New York, 1 qershor - Anëtarë të Këshillit të Sigurimit e kanë kritikuar ashpër mision ushtarak izraelit kundër flotës humanitare të Gazës. Në një takim emergjence të kësaj instance, ministri i Jashtëm turk Ahmet Davutoglu, e akuzoi Izraelin për kryerjen e një krimi të rëndë, për të cilin nuk ka asnjë justifikim.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-sv Ban Ki Moon u shpreh i tronditur nga përdorimi i dhunës:

"Ne ende nuk i dimë të gjitha faktet. Është me rëndësi jetike të ndërmerret një hetim i plotë për të sqaruar se përse ndodhi kjo gjakderdhje. Mendoj se Izraeli duhet të japë urgjentisht sqarime të plota."

Edhe përfaqësues të Britanisë së Madhe dhe Austrisë i bënë thirrje Irzaelit të japë sqarime për humbjen e jetëve njerëzore dhe njëkohësisht të heqë bllokadën ndaj Rripit të Gazës.

Ndërsa SHBA-ja kritikoi edhe 700 personat në bordin e gjashtë anijeve. Ka rrugë më të mira për të livruar ndihma humanitre në bregun e Gazës, tha përfaqësuesi i SHBA-së. Zëvendësambasadori izraelit Manuel Carmon i akuzoi aktivistët se kanë dashur të provokojnë Izraelin.

Të hënën gjatë një misioni të marinës izraelite u vranë të paktën nëntë aktivistë. Anijet luftarake izraelite kanë sulmuar konvojin me anije ndërkombëtare me furnizime për palestinezët në Rripin e Gazës. Rreth 60 vetë, ndër të cilët edhe shtatë ushtarë izraelitë, pësuan lëndime.

Tre maqedonas, dy prej të cilëve me kombësi shqiptare, kanë qenë pjesë e anijes që udhëtonte më ndihma drejt Rripit të Gazës. Shtetasit në fjalë janë Sead Hasipi nga fshati Sllupçan i Kumanovës, Jasmin Rexhepi dhe Sali Emini nga Shkupi.  Familjarët e tyre gjatë pasdites kanë zhvilluar takime me përfaqësues të Ministrisë së Jashtme, por pa mundur të marrin të dhëna.

“E kam parë ngjarjen në anije përmes televizorit. Nga informacionet që kemi marrë nuk rezulton që babai ynë të jetë mes të plagosurve, por jemi të shqetësuar”, ka deklaruar Fuat Emini, i biri i shtetasit maqedonas që ndodhet në varkë.

Tre maqedonasit kishin aplikuar përmes internetit për të qenë pjesë e aktivistëve të anijes. Familjarët e tyre kërkojnë nga qeveria maqedonase që të dënohet incidenti.

Sulmi izraelit, protesta të dhunshme

Protesta të fuqishme ndërkombëtare po bëhen për shkak të ndërhyrjes së  komandosëve të Izraelit në flotën e anijeve me ndihma për Gazën, me ç’rast u vranë së paku 10 aktivistë, që përpiqen të dërgojnë ndihma humanitare në Gazë. Turqia e ka ftuar ambasadorin e Izraelit dhe ka tërhequr vërejtjen për “konsekuenca të papërmirësueshme” për marrëdhëniet e tyre.

Në Stamboll policia u angazhua në kthimin prapa të turmës së zemëruar, që kishte depërtuar në hyrjet e Konsullatës së Izraelit. Greqia është tërhequr nga ushtrimet e përbashkëta ushtarake me Izraelin dhe ka kërkuar raport të “menjëhershëm” për sigurinë e afro 30 grekëve në flotën e anijeve.

Lëvizja Islamiste, Hamas, që e udhëheq Rripin e Gazës, ka kërkuar nga myslimanët që të “ngriten” në protesta para ambasadave izraelite në gjithë botën. Lideri palestinez, Mahmud Abbas, i ka shpallur tri ditë zie dhe tha se forcat izraelite janë përgjegjëse për atë që ai e cilësoi si “masakër”.

Shefi i Ligës Arabe, Amr Musa, ka vlerësuar se ndërhyrja ishte “krim” kundër misionit humanitar. Presidenti i Iranit, Mahmud Ahmadinexhad, e dënoi sulmin izraelit si “johuman”, duke thënë se kjo e solli Izraelin “më afër se kurrë afër fundit të tij”. Franca dhe Gjermania kanë shprehur shqetësim, derisa shefja për të drejtat e njeriut e OKB-së, Navi Pillavi, është shprehur e “shokuar” lidhur me dhunën.

Shefja e politikës së jashtme e Bashkimit Evropian, Catherine Eshton, nga Izraeli ka kërkuar ndërmarrjen e “hetimit të plotë”. Incidenti i përgjakshëm u bë para takimit në Uashington, ndërmjet presidentit Barak Obama dhe kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanjahu.

Në përleshje të dhunshme degjeneroi protesta e rreth 2 mijë personave përballë  ambasadës izraelite në Athinë.

Protesta e lajmëruar prej  grupimeve të majta, filloi rreth orës 19.30. Fillimisht manifestuesit hodhën parrulla kundër operacionit izraelit në anijet e ndihmës. Ata akuzuan shtetin hebre, për aktin e vrasjes gjakftohtë të aktivistëve të paarmatosur në ujrat ndërkombëtare.

Në vazhdim, një grup protestuesish, hodhën shishe me uje mbi forcat e shumta të rendit. Policia reagoi duke shpërndarë njerëzit me  gaz lotsjellës dhe kimikate. Prej akteve të dhunës u plagosën të paktën tre persona, ndërsa policia ndaloi më shumë se 15 protestues. Përleshjet jashtë ambasades dhe në rrugën “Qifisias” vazhduan për rreth dy orë. Protestuesit u shpërndanë nëpër rrugicat e qendrës së Athinës.

Aktualisht,situata në kryeqytetin grek është e qetë. Më heret, Ministria e Jashtme greke njoftoi se asnjë qytetar grek nuk është vrarë ose plagosur prej aksionit të forcave  speciale izraelite mbi aktivistët  që ndodheshin në një flotilje prej gjashtë anijesh, 70 milje larg brigjeve izraelite.

Ministria  njoftoi se i ka kërkuar palës izraelit të garantojë jetën e qytetarëve të saj që ndodhen në bord, dhe t’i riatdhesojë ata menjëherë.

Reagimet greke ishin tepër të ashpra pas sulmit të mëngjesit mbi aktivistët në katër prej anijeve që lundronin me flamurin grek. Reagimet në Athine, pritet të përshkallëzohen, ndërsa të gjitha partitë politike, i kërkuan qeverisë Papandreu të marrë masa drastike ndaj Izraelit. Ndërkohë, në një deklaratë të tij, kryeministri grek, dënoi aktet e dhunës ndaj aktivistëve. Ai tha se këto janë akte të pajustifikueshme.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)