20 Prill 2024

Zonja e parë e shtetit dhuroi donacion për fëmijët bonjakë të Krushës së Madhe

Prishtinë, 7 shtator - Zonja e parë e Republikës së Kosovës, Nezafete Sejdiu, dhuroi një donacion prej 150 çantash shkollore me të gjitha mjetet e nevojshme për fëmijët bonjakë të Krushës së madhe. Ashtu siç ka premtuar në vizitën e saj të bërë kohë më parë në po këtë vend, z. Sejdiu u doli krah fëmijëve bonjakë të kësaj ane, duke i përkrahur ata që shkollimi i tyre të jetë i njëjtë me bashkëmoshatarët e tyre.

Në vizitën e saj, që i bëri Krushës së Madhe, Zonja e parë e vendit fillimisht është ndalur në shkollën fillore “Bajram Curri”, dhe në shenjë solidarizimi me nxënësit e kësaj shkolle dhuroi 150 çanta me të gjitha mjetet e nevojshme për mësim.

“Desha t’i vizitoj fëmijët e Krushës. Ju e dini se në çfarë periudhe kanë kaluar këta fëmijë dhe të bëj një donacion sado të vogël që t’iu mundësojë nënave të këtyre fëmijëve një rehati shpirtërore që të mos mendojnë të paktën për disa artikuj të cilët ju duhen fëmijëve me rastin e fillimit të vitit shkollor. Unë kam punuar 27 vjet në arsim dhe e di çfarë do të thotë t’i ndihmosh një fëmije që ka nevojë”, tha Zonja Sejdiu.

Ajo është takuar edhe me drejtorin e kësaj shkolle, z. Fadil Dellovën dhe i ka premtuar se ky lloj donacioni do të përsëritet edhe në vitet e ardhshme, në mënyrë që kujdesi ndaj këtyre fëmijëve të jetë maksimal dhe ata të kenë mundësinë të ndjekin procesin mësimor, pa u ballafaquar me sfidat e mungesës së mjeteve përcjellëse teknike për mësimnxënie.

Duke falënderuar Zonjën Sejdiu, drejtori i shkollës “Bajram Curri”z. Dellova tha se kjo ndihmë e dhuruar nga Zonja e parë e Republikës së Kosovës, zbut gjendjen e rëndë me të cilën ballafaqohen fëmijët bonjak të kësaj ane.

Po ashtu, ajo ka vizituar edhe disa familje me gjendje të rëndë ekonomiko – sociale, duke u ofruar përkrahjen e saj morale dhe njëkohësisht u premtoi se do tu dalë në ndihmë për aq sa mundet. 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)