05 Dhjetor 2021

Viti i ri shkollor pritet të fillojë më 1 shtator me orar të rregullt

Prishtinë, 23 gusht - Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka thënë së viti i ri shkollor në Kosovë pritet të fillojë më 1 shtator, me pjesëmarrje fizike të nxënësve në institucionet shkollore dhe me orar të rregullt.

Pjesa më e madhe e vitit të kaluar shkollor në Kosovë, por edhe në vende të tjera, është zhvilluar në distancë, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Nagavci tha se “të gjitha studimet” kanë treguar se pasojat te fëmijët, për shkak të mbylljes së shkollave, “kanë qenë të mëdha”.

“Për më tepër, është konstatuar se mbyllja e shkollave vitin e kaluar ka shkaktuar pengesa në qasjen në mësim të rregullt, por edhe pasiguri e stres te mësimdhënësit në aplikimin e metodave për mbështetjen e nxënësve për edukimin në distancë”, tha Nagavci përmes një postimi në Facebook.

“Në mënyrë që të mos na përsëritet situata e vitit të kaluar, zgjidhja e vetme është vaksinimi i mësimdhënësve dhe punonjësve administrativë”, tha ajo.

Sipas të dhënave zyrtare, deri më 20 gusht, janë vaksinuar mbi 55,000 pjesëtarë të stafit arsimor në Kosovë, përfshirë këtu mësimdhënës në arsimin parauniversitar, në arsimin e lartë, por edhe studentë.

Numri i mësimdhënësve në shkollat fillore dhe të mesme të Kosovës është mbi 23,000, por nuk është e qartë se sa prej tyre janë vaksinuar kundër koronavirusit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 5 dhjetor 2021

- Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Zyra e UNICEF-it shënojnë Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarizmit me moton “Volunteer Now For Our Common Future”. (Galeria Kombëtare të Kosovës, ora 11:30)

- Qendra për Art dhe Komunitet Artpolis organizon protestën me moton “Boll Ma - Asnjë grua e vajzë më pak, asnjë vdekje më shumë”, kundër dhunës dhe vrasjeve të vajzave dhe grave, dhe mungesës së përgjigjes së duhur institucionale. (Plateja e sheshit “Zahir Pajaziti”, ora 12:00)