05 Dhjetor 2022

Universiteti i Prishtinës lanson numrin e parë të revistës “Karriera”

Prishtinë, 11 maj - Qendra për Zhvillim të Karrierës e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka lansuar sot numrin e parë të revistës “Karriera”, e cila synon informimin, orientimin dhe edukimin në karrierë.

Revista në fjalë ka për qëllim të informojë studentët dhe të diplomuarit e UP-së me informacionet e nevojshme në rrugëtimin drejt punësimit, trendet në zhvillimin e profesioneve të caktuara dhe kriteret e tregut të punës.

Në fjalën e tij drejtuar lexuesve të kësaj reviste, rektori i UP-së, prof. dr. Marjan Dema, shprehet se aktivitetet e QZhK-së, të tilla si kjo revistë, e edhe tryezat me punëdhënësit potencialë, të organizuara nga qendra, synojnë ndërlidhjen e studimeve me tregun e punës.

“Intervistat me udhëheqës të departamenteve të burimeve njerëzore, shkrimet rreth përgatitjes së tregut për punë, rrëfimet e sukseseve të punëdhënësve të kompanive më të suksesshme në vend, trendet e profesioneve të tregut të punës, këshillat për zhvillim të karrierës e artikujt tjerë të përgatitur për ju, do t’ju shërbejnë si udhërrëfyes në rrugëtimin tuaj drejt suksesit”, shkruan Dema.

Në anën tjetër, prorektorja për zhvillim dhe cilësi në UP, prof. asoc. dr. Merita Berisha, shkruan se ata që e njohin mirë profesionin kanë perspektivë të hapur në tërë botën. “Ne punojmë çdo ditë që të zhvillojmë një personalitet të studentit, i cili është shumë i përgatitur profesionalisht, është i përkushtuar në punë, ka shkallë të lartë kreativiteti dhe inovacioni, ndërton partneritet me të tjerët, ndihmon veten dhe shoqërinë,” shprehet prorektorja Berisha.

Revista «Karriera» përfshin artikuj nga studentët rreth planifikimit të karrierës dhe këshillave mbi përgatitjen për tregun e punës, artikuj nga punëdhënësit rreth ndërlidhjes së tregut të punës e universitetit si dhe trendet e kriteret e tregut të punës, intervista të punëdhënësve, statistika të hulumtimeve të QZhK-së, arritjet në UP etj. Revista publikohet dy herë në vit. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 5 dhjetor 2022 - Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, do të nënshkruajë marrëveshjen me partneritet publiko privat për ndërtimin e tri shkollave të reja dhe ofrimin e shërbimeve të mirëmbajtjes dhe operimit në Komunën e Prishtinës. (Ndërtesa e Vjetër e Komunës së Prishtinës, ora 9:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi, Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Lëvizja Fol, Iniciativa për Progres, Çohu dhe Colombus organizojnë tryezë të rrumbullakët, ku do të diskutohet lidhur me “Reforma në Drejtësi”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu do të bëjë lansimin e Protokollit Shtetëror për Trajtimin e Rasteve të Dhunës. (Hotel Emerald, ora 11:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022 interviston Njazi Thaçin, Luigj Imerin, Perparim Kabashin, Nagip Krasniqin, Faruk Hajrizin, Rrezarta Pllanën, Hysen Fazliun, Musa Misinin, Skender Hazirin, Ali Hamitin, Izet Rushitin dhe Krenar Bujupin. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 11:00)

- Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu pret në takim Ndihmës Administratoren e USAID-it, Erin E. McKee. (Kabineti i Presidentes,ora 12:00)

- Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me UNICEF-it dhe UN Volunteers shënojnë Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarizmit. (Kino Armata, sheshi “Zahir Pajaziti”, ora 13:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi organizon tryezë të rrumbullakët, ku do të prezantohet raporti me titull “Parashkrimi i Korrupsionit”, i cili është rezultat i monitorimit sistematik që IKD i bënë sistemit Gjyqësor dhe atij Prokurorial të Republikës së Kosovës. (Hotel Sirius, ora 13:00)

- Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, do të hapë ekspozitën e të burgosurve rreth rasteve të Dhunës në Familje. (Hollin e Ministrisë së Drejtësisë, ish objekti Rilindja, ora 13:00)

- Këshilli Rinor Kosovar në bashkëpunim me Kuvendin e të Rinjëve të Ferizajt dhe Komunën e Ferizajt do të mbajë panelin e diskutimit dhe aktivitetin ‘Dita e Vullnetarizmit’ me qëllim të promovimit dhe diskutimit rreth punës vullnetare, nevojave të vullnetarëve dhe aktiviteti i tyre në këtë komunë. (Salla e Kuvendit Komunal në Ferizaj, ora 14:00)

- Lëvizja FOL në kuadër të  “Javës Kundër Korrupsion 2022” mban konferencë për media me ç’rast do të bëjë publikimin e raportit "Masat disiplinore kundër nëpunësit civil për korrupsion dhe shkelje etike". (Hotel Sirius, ora 15:15)

- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pret në takim Ndihmës Administratoren e USAID-it, Erin E. McKee. (Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, ora 15:45)            


- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhjen e radhës. (Objekti i KQZ-së, ora 16:30)