07 Shkurt 2023

Trekëndëshi prind-nxënës-arsimtarë në nivel të duhur

Prishtinë, 23 dhjetor - Këshilltarët e ministrit të Arsimit, Ragip Goshi dhe Drita Kadriu, kanë pritur sot në takim përfaqësuesit e Komitetit të Prindërve të Kosovës. Këshilltari Gjoshi, pasi ka vlerësuar lartë rëndësinë e bashkëpunimit nxënës- prind- mësimdhënës, ka theksuar se pa këta faktorë Ministria e Arsimit dhe Qeveria e Kosovës nuk do të mund të arrinin as realizmin e ligjeve, as programet mësimore dhe as objektivat dhe misionet që kanë.

“Unë e di se është tepër i rëndësishëm roli juaj ngase është i fuqizuar edhe me Ligjin për Arsimin Parauniversitar, por edhe me Udhëzime Administrative”, ka thënë këshilltari Gjoshi, duke shtuar se përfshirja e aktiviteteve të prindërve është e domosdoshme për mbarëvajtjen e proceseve arsimore.

Kryetari i Komitetit të Prindërve, Bajram Beqiri, fillimisht ka folur për problemet me të cilat ballafaqohen anëtarët e Komitetit gjatë veprimtarisë së tyre, ndërkaq ka kërkuar që ky komitet të ketë përkrahjen e plotë të Ministrisë së Arsimit dhe Qeverisë së Kosovës.

Beqiri po ashtu ka kërkuar që anëtarët e Komitetit të Prindërve të jenë pjesë e proceseve të rëndësishme të cilat kanë të bëjnë me nxënës. “Ne përpos aktiviteteve të tjera që kemi, jemi edhe prindër dhe kemi fëmijë nëpër shkolla. Andaj, do të donim që mbarëvajtja e Komitetit të Prindërve, ndikimi ynë në procesin edukativo arsimor dhe në trekëndëshin prind- nxënës- arsimtarë të jetë në nivelin e duhur, në mënyrë që të jepen rezultate pozitive”, ka thënë Beqiri.

Ndryshe, Komiteti i Prindërve të Kosovës ka nëntë anëtarë dhe aktivitetet e saj i ka filluar në maj të vitit 2009.

Kalendari

Ngjarjet e datës 7 shkurt 2023

 - Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, KulturÑ‘, Rini dhe Sport, shqyrton Projektligjin pÑ‘r Agjencinë e Kosovës për Akreditim. (Kuvendi i Kosovës, salla N303, ora 10:00)
    
- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, shqyrton Planin e Performancës për vitin 2023, të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë. (Kuvendi i Kosovës, salla N10, ora 11:00)
    
- Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, së bashku me përfaqësuesit e grupeve të qytetarëve organizon ceremoninë për nënshkrimin e Agjendës së Kontratës Sociale për Gjilanin, që është zotim i përbashkët nëpërmjet zyrtarëve të Komunës dhe qytetarëve për të përmirësuar komunikimin, bashkëpunimin dhe veprimet kolektive. (Shkolla e Mesme e Muzikës, Gjilan, ora 12:00)
    
- Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, raporton në Komisionin për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim. Temë diskutimi është plani Hapësinor i Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”. (Kuvendi i Kosovës, salla N302, ora 13:00)

- Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, do të dorëzojë Kallëzim Penal në Prokurorinë Speciale në Prishtinë, për keqpërdorimin e mjeteve të Qeverisë së Kosovës nga ana e Këshillit Kombëtar Shqiptar. (Ndërtesa e Prokurorisë, ora 14:00)  
    
- Një delegacion i ambasadorëve të shteteve të QUINT-it në selinë e OSBE-së në Vjenë të Austrisë, vizitojnë Akademinë e Kosovës për Siguri Publike. I pranishëm do të jetë dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. (Akademia për Siguri Publike, Vushtrri, ora 14:25)