09 Shkurt 2023

Shkolla, vendi ku fëmija për herë të parë e takon shtetin

Prishtinë, 7 mars - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti,  me rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit, ka  marrë pjesë në zbulimin e pllakës  “Shtëpi-Shkollë”, në shtëpinë e familjes së Ibrahim Gashit, si dhe ka vizituar Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët " Elena Gjika", shkollën më të vjetër në Kryeqytet.

Gjatë zbulimit të pllakës, kryeministri Kurti i shoqëruar nga ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, shprehu mirënjohje dhe falënderim të veçantë për familjen Gashi, për kontributin dhënë arsimit në Kosovë.

Duke e cilësuar Ditën e Mësuesit, 7 Marsin si një profesion të shenjtë për gjithë shqiptarët, por edhe popujt e tjerë, kryeministri Kurti tha se Ibrahim Gashi si rrallë kush, ka dhënë kontribut për arsimin e viteve të ’90-ta. Ai kujtoi se z. Gashi ka  ndërruar jetë një vit para shpalljes së pavarësisë, ndërkaq tha se tërë jetën e ka pas për liri, pavarësi e për bashkim.

“Prandaj, ky moment është shumë i veçantë jo veç për familjen e juaj por për të gjithë neve, për të gjithë neve që e kemi njohur, ndërkohë, që të gjithë edhe ata që s’e kanë njohur i gëzojnë sot frytet e kontributit të tij.  Prindërit i patëm për shtëpitë shkolla, e fëmijët në shkolla ndjehen si në shtëpi sidomos te në që kemi qenë shumë gjatë nën okupim”, deklaroi kryeministri Kurti.

Në kuadër të aktiviteteve për 7 Marsin, kryeministri Kurti e vazhdoi vizitën e tij edhe në Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët "Elena Gjika", me ç’rast u shpreh i nderuar të ishte i pranishëm në këtë shkollë, në këtë ditë shumë të veçantë.

“Arsimi, shkolla, është vendi ku fëmija për herë të parë e takon shtetin dhe nëse nëna është mësuesja e parë, mësuesja është nëna e dytë”, tha kryeministri Kurti.

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti shprehu gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për t’iu dhënë mbështetje mësimdhënësve që t’i kenë kushtet e dinjitetshme të punës e gjithashtu edhe kompensimin e merituar, por në të njëjtën kohë edhe nxënësit nga gjenerata në gjeneratë të jenë më të mirë.

“Pra, progresi tek nxënësit, që është dëshmi e punës së mësimdhënësve dhe përkushtimit të shtetit, është dëshmia më e qartë, më e saktë për atë që na pret në të ardhmen”, tha më tej kreu i Qeverisë i cili për fund ritheksoi mirënjohjen e pafund për gjithë rolin, angazhimin dhe kontributin, për fitoret kryesore drejt së ardhmes që tha se po ndërtohet bashkërisht.

Objekti i shkollës "Elena Gjika", është ndërtuar në vitin 1927 dhe është objekt i mbrojtur- Trashëgimi Kulturore.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 9 shkurt 2023

- Kuvendi i Republikës së Kosovës mban seancë plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)

- Këshilli Gjyqësor i Kosovës mban mbledhjen e radhës. (Objekti i KGJK-së, ora 10:00)

- Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, viziton Komunën e Podujevës, ku do të pritet nga kryetari Shpejtim Bulliqi. (Podujevë, ora 10:00)

- Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, do të përurojnë Qendrën e Mjekësisë Familjare në Gllamnik. (Fshati Gllamnik, Podujevë, ora 11:00)  

- Komuna e Prizrenit nënshkruan Agjendën e Kontratës Sociale për Prizrenin, që është zotim i përbashkët i Komunës dhe qytetarëve për përmirësimin e komunikimit, bashkëpunimit dhe veprimeve kolektive. (Këndi Amerikan në Prizren, ora 11:00)

- Federata e Boksit organizon ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Laureatët e viti 2022”. (Hotel Sirius, ora 17:00)