02 Shkurt 2023

Profesorët me pozita drejtuese paguhen më shumë se Presidentja

Prishtinë, 25 nëntor - Që nga matja e parë në vitin 2018, stafi akademik i universiteteve publike në Kosovë vazhdon të ketë shtesa enorme në krahasim me pagën bazë, mirëpo në matjet e fundit këto shtesa kanë nisur të bien në disa prej universiteteve publike e në disa po vazhdojnë të rriten dukshëm.

Në këtë matje, Universiteti i Prishtinës ka shënuar rënie drastike të shumës së shtesave, ndërsa universitetet e tjera publike kanë pasur rënie të lehta dhe graduale përgjatë viteve.

Bazuar në deklarimet e pasurisë të vitit 2021, Universiteti i Gjilanit ka më së shumti shtesa mujore me një mesatare prej 838 Euro. Ndërkaq Universiteti i Prishtinës e ka mesataren më të ulët të shtesave mujore me një shumë prej 371 Euro.

Zyra Kombëtare e Auditimit në Raportin për Ministrinë e Arsimit për vitin 2020, ka përsëritur gjetjen e viteve të kaluara se si universitetet publike me aprovime të këshillave drejtuese kanë përfshirë në rregullore, kompensime shtesë për pjesëmarrje në disa lloje të komisioneve që konsiderohen si jostatutare. Asnjë adresim i këtyre komenteve të kësaj zyre nuk ka ndodhur.

Rektorët e universiteteve publike paguhen mesatarisht 2298 Euro në muaj, nga të cilat mesatarisht 939 Euro janë shtesa. Rektori i cili paguhet më së shumti në universitete publike është Fadil Millaku, tashmë ish rektor i Universitetit të Pejës, me 2554 Euro në muaj.

Prorektorët e universiteteve publike paguhen mesatarisht 2053 Euro në muaj, nga të cilat mesatarisht 785 Euro janë shtesa. Prorektorja e cili paguhet më së shumti në universitete publike është Vjollca Dibra, tashmë ish-prorektore në Universitetin e Gjakovës, me 2603 Euro në muaj. Kjo njëherit është edhe personi më i paguar nga të gjitha pozitat në të gjitha universitetet publike.

Krahasimisht, rroga më e lartë në Kosovë, ajo e presidentes është 2390 Euro në muaj, sipas ligjit të pagave për sektorin publik. Pra, të ardhurat e profesorëve me pozita drejtuese në universitete publike tejkalojnë rrogën e personit me më së shumti përgjegjësi në Republikën e Kosovës.

Dekanët e universiteteve publike paguhen mesatarisht 1934 Euro në muaj, nga të cilat mesatarisht 672 Euro janë shtesa.

Prodekanët e universiteteve publike paguhen mesatarisht 1613 Euro në muaj, nga të cilat mesatarisht 400 Euro janë shtesa.

Ndërkaq mesatarja e shpenzimeve për kokë studenti në universitete publike në vitin 2020, është 796 Euro. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 2 shkurt 2023

- Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale shqyrton draft-planin e punës për sesionin pranveror 2023. (Ndërtesa e Kuvendit, N303, ora 9:00)

Paneli i Gjykatës së Apelit bën shpalljen e aktgjykimit të apelit në çështjen Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj. (Hagë, ora 9:30)  

- Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) mban mbledhjen e radhës. (Ndërtesa e KGjK-së, ora 10:00)  

- Kuvendi i Kosovës mban seancë plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)  

- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shënon Ditën Globale të Zgjedhjeve me temën “Pjesëmarrja në zgjedhje në Republikën e Kosovës dhe roli i institucioneve”. (Hotel Sirius, ora 10:00)  

-Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, viziton Komunën e Ferizajt ku do të takohet me kryetarin Agim Aliu. (Ferizj, ora 10:30)

- Zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës, Emilija Redžepi organizon tryezë të rrumbullakët me rastin e regjistrimit të ardhshëm të popullsisë së Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, salla P38, ora 14:00)