19 Qershor 2021

Përurohet çerdhja e parë publike në Prizren

Prizren, 1 qershor - Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka sot së bashku me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministren e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe drejtoreshën e Drejtorisë Komunale të Arsimit, Xhemile Thaçi Vezgishi, kanë bërë përurimin e çerdhes së parë publike në Prizren, gurthemeli i së cilës ishte hedhur tre vite më parë.

Me këtë rast kryetari Haskuka deklaroi se kjo çerdhe i posedon standardet më të avancuara për edukimin parashkollor dhe tanimë është në shërbimin e fëmijëve dhe prindërve të komunës së Prizrenit.

"Studimet tregojnë që fëmijët që kanë qasje në edukim të hershëm janë më të suksesshëm në arsim dhe pastaj edhe në punësim dhe në jetë. Kjo e drejtë, fëmijëve të Prizrenit iu ishte mohuar nga qeveritë e kaluara për më shumë se 20 vite, ndërkaq tanimë ne kemi arritur që t’i eliminojmë barrierat e bllokadat e shumta që na janë paraqitur që nga viti 2018 dhe ta vëmë në funksion këtë çerdhe, që do të ofrojë arsim cilësor për 240 fëmijë në 12 paralele dhe 3 gjuhë, në një hapësirë prej mbi 1800 m2.", tha kryetari Haskuka.

Ai po ashtu theksoi se Komuna e Prizrenit është duke i vazhduar punimet për hapjen edhe të 3 çerdheve të reja publike në komunën e Prizrenit.

Ndërkaq, kryeministri Kurti deklaroi se edukimi cilësor nuk mund dhe nuk duhet të jetë privilegj për disa, por e drejtë e garantuar për të gjithë, në mënyrë që secili të realizojë potencialin e saj apo të tij.

"Në programin tonë qeveritar ne i kemi kushtuar vëmendje të veçantë fëmijëve duke ndarë 20 euro në muaj për fëmijët nën moshën 2 vjeçare dhe jemi zotuar se në katër vitet e ardhshme do të hapim 160 çerdhe të reja. Këtë do ta bëjmë, sepse e ardhmja e fëmijëve tanë varet nga kujdesi dhe edukimi që ata e marrin sot. Prandaj, më vjen shumë mirë që familjet e tri kategorive të fëmijëve nuk do të kenë nevojë të paguajnë për këtë çerdhe që po e përurojmë sot: fëmijët e dëshmorëve, fëmijët me nevoja të veçanta dhe fëmijët e atyre të cilët janë në asistencë sociale.", tha kryeministri Kurti.

Ndërsa ministrja e MASHTI-t, Nagavci tha se ndërtimi këtyre çerdheve ndikon në zhvillimin e fëmijëve dhe garanton të ardhmen e suksesshme për secilin prej tyre. Po ashtu ministrja Nagavci vuri në dukje se përfshirja e fëmijëve në edukim të hershëm është një nga prioritetet dhe qëllimet parësore të qeverisë dhe të MASHTI-t.

Pas ceremonisë së përurimit të çerdhes, kryeministri Kurti së bashku me kryetarin Haskuka vizituan dhe panë nga afër punimet që po realizohen në Zonën Ekonomike në Prizren, si dhe bënë përurimin e projektit për elektrifikimin dhe ndriçimin e fshatit Kabash.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 Qershor 2021 - Pishina e Gërmisë hap dyert për sezonin veror 2021. (Gërmia, Prishtinë, ora 10:00)    

- Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) dhe forumZFD promovojnë librin “Përtej dhimbjes, drejt guximit: Rrëfime për traumën e dhunës seksuale në luftë”. (Biblioteka Kombëtare, ora 11:00)

- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhjen e radhës në të cilen do të shqyrtojë dhe miratojë rekomandimit për caktimin lartësisë së Shpenzimeve të Fushatës për zgjedhjet lokale 2021. (Selia e KQZ-së, ora 11:00)

- Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, bën homazhe te varri i veprimtares Nekibe Kelmendi, në 10 vjetorin e vdekjes. (Varri i Nekibe Kelmendi, ora 12:00)

- Komuna e Mitrovicës do të bejë përurimin e rrugës së asfaltuar në fshatin Kovaqicë të Shalës së Bajgores. (Fshati Kovaqicë, ora 14:00)