27 Janar 2023

ORCA kërkon përjashtimin e dy profesorëve nga UP

Prishtinë, 1 tetor - Në qershor të këtij viti, ORCA ka denoncuar dy profesorë të Fakultetit Filozofik Bujar Dugollin dhe Ardian Kastratin për dyshime të bazuara se kanë përdorur një punim me elemente të theksuara të plagjiaturës për t’u avancuar në grada akademike.

Punimi: “DIPLOMACY THROUGH THE AGES OF HISTORY: THEORETICAL ANALYSES OF THE CONCEPT” i cili ka autorë Bujar Dugollin dhe Ardian Kastratin u ka shërbyer profesorëve për t’u avancuar në titujt akademik brenda Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Në konkursin për zgjedhjen e personelit akademik në Fakultetin Filozofik në Universitetin e Prishtinës në vitin 2018, Bujar Dugolli përmes punimit të cekur më lartë është avancuar nga titulli profesor i asocuar në profesor të rregullt, ndërsa një vit më vonë, në vitin 2019 Ardian Kastrati përmes të të njëjtit punim është avancuar nga titulli asistent në profesor asistent.

Ky punim, shumicën e përmbajtjes së tij e ka të kopjuar nga burime të tjera duke mos i cituar këto të fundit, gjë kjo që përbën vjedhje dhe mashtrim akademik. Vjedhje sepse profesorët e kanë paraqitur komplet punimin si punë origjinale e tyre, dhe mashtrim ngase e kanë përdorur atë për përfitime personale duke shkelur çdo normë të etikës akademike dhe ndershmërisë intelektuale.

Që nga momenti i denoncimit në qershor të këtij viti, ORCA kishte kërkuar nga organet udhëheqëse të Universitetit të Prishtinës të iniciojnë procedurat për verifikimin e këtyre dëshmive dhe si rrjedhojë të merren masa në përputhje me Rregulloren për Masa dhe Procedura Disiplinore. 

Por, meqë këto organe nuk e kanë bërë asnjë lëvizje të vetme në këtë drejtim, përgjatë këtyre muajve, ORCA ka përgatitur një dosje me dëshmi të mjaftueshëm për ta dokumentuar plagjiaturën e profesorëve dhe sot i është drejtuar Këshillit të Etikës të UP-së, organ ky që është përgjegjës për verifikimin dhe ndëshkimin e shkeljeve të tilla të cilat cenojnë integritetit dhe ndershmërinë intelektuale të universitetit. Ne presim që ky organ ta shqyrtojë dokumentacionin e ofruar dhe të vërtetojë se dy  profesorët Bujar Dugolli dhe Ardian Kastrati kanë kryer shkelje të rënda nga Kodi i Etikës, Statuti i UP-së dhe nga Rregullorja për masat dhe procedurat disiplinore ndaj personelit akademik të Universitetit të Prishtinës;

Si rrjedhojë, Këshilli i Etikës duhet të rekomandojë që: 1)Të merret masa disiplinore për ndërprerje të marrëdhënies së punës së profesorëve konform nenit 8, nënparagrafi 1.10 të Rregullores për masat dhe procedurat disiplinore ndaj personelit akademik të Universitetit të Prishtinës dhe 2) T’i rekomandojë Senatit që të përjashtojë revistën “ANALELE UNIVERSITATII DIN CRAIOVA-SERIA ISTORIE”, nga lista e revistave të pranueshme për avancim, meqenëse revista në fjalë lejoi që të publikohet punimi i cili ka përmbajtje të plagjiaturës.

Më 1 tetor të 1997 studentët në Kosovë protestonin për çlirimin e hapësirave universitare të uzurpuara nga regjimi i Millosheviçit, sot në po të njëjtën datë, pas 24 vitesh, protestojmë dhe angazhohemi për cilësi dhe integritet brenda këtyre hapësirave, duke denoncuar çdo lloj shkelje dhe manipulimi që cenon dinjitetin e universitetit.




 


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 janar 2023

 - Mbahet dita e dytë e konferencës Ndërkombëtare për Siguri Siguri Kinernetike “Cyber Zero” në të cilën diskutohet sulmet online dhe kërcenimet në sigurinë kibernetike. (Klan Arena, ora 9:00)
    
- Bordi i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale raporton në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti lidhur me vendimin për lirimin nga obligimi për rentën minerare për ndërmarrjen “Ferronikeli”. (Kuvendi i Kosovës, C203, ora 10:00)
    
- Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione takohet me përfaqësues të OJQ-së “Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptasve”. (Kuvendi i Kosovës, salla N10, ora 10:00)
    
- Ministri i Financave Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, raporton në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, lidhur me vendimin për rritjen e vlerës së faturave të tatimit në pronë. (Kuvendi i Kosovës, C203, ora 13:30)
    
- Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) mbahet ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 42 të kadetëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK). Merr pjesë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu etj. (Ndërtesa e re e Fakultetit të Sigurisë Publike në AKSP, Vushtrri, ora 13:30)
    
- Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan do të nderojë me çmimin “Doctor Honoris Causa” anëtarin e Parlamentit Evropian, Lukas Mandl. (Teatri i Qytetit, Gjilan, ora 15:00)