25 Prill 2024

ORCA demaskon skemën e mashtrimeve në avancime akademike në UP

Prishtinë, 17 dhjetor - Kohëve të fundit ORCA është duke përcjellë me vigjilencë të shtuar procesin e avancimeve i cili po zhvillohet në UP. Vazhdimisht në zyrat tona vijnë ankesa lidhur me procesin.

Përmes emailit, ORCA është informuar nga kandidatja e këtij procesi, Albana Berisha Qehaja lidhur me dyshimet e konfirmuara tashmë të një reviste mashtruese e cila është e indeksuar në një nga databazat e parapara me udhëzim administrativ, në databazën DOAJ.

Kandidatja përmes emailit i është drejtuar ORCAs, me një sërë dëshmish të cilat ajo i ka deponuar tashmë edhe në Fakultetin Ekonomik, si dhe i ka njoftuar të gjitha instancat relevante në UP, dëshmi këto që ORCA i ka konfirmuar dhe që tregojnë qartë: zi në bardhë se revista ku kanë publikuar disa kandidatë të avancimeve aktuale ushtron praktika mashtruese, duke publikuar punime me përmbajtje absolutisht jocilësore, madje duke manipuluar edhe me datat e publikimit të punimeve.

Është simuluar një situatë fiktive ku personi imagjinar Andrra Qielli, nga universiteti imagjinar  Triumph University në Tiranë, ka arritur të publikojë në revistën  International Journal of Research in Business and Social Science.

Për të testuar dyshimet, më 8 nëntor i është shkruar personit kontaktues të revistës Ymyt Hacioglu nëpërmjet një adrese elektronike me emrin dhe mbiemrin imagjinar, Andrra Qielli. Është shprehur interesim për ta dërguar një dorëshkrim punimi me mundësi publikimi brenda një muaji. Të nesërmen (më 9 nëntor) ka ardhur përgjigja me përmbajtjen në vijim: 

“Faleminderit për interesimin tuaj. Ju lutem e ngarkoni punimin në platformën online dhe më njoftoni për një rishikim të shpejtë për numrin e muajit tetor, i cili nuk është mbyllur ende. Nëse punimi pranohet, mund ta publikojmë atë menjëherë.”

Për një kohë të shkurtër janë përkthyer disa paragrafë të një punimi me Google translate. Përveç gabimeve të shumta gjuhësore dhe përmbajtjesore që ngërthente në vete përkthimi automatik, qëllimisht janë bërë gabime tjera në citime, metodologji, rezultate dhe interpretim të tyre, diskutim dhe përfundime, si dhe një mori gabimesh në referenca.

Më 10 nëntor (dy ditë pas) aplikohet me punim në sistemin online të revistës dhe njoftohet personi kontaktues nëpërmjet emailit. Në po të njëjtën ditë (10 nëntor), vjen një përgjigje zyrtare me titull: Editorial Decision- IJRBS (shqip: Vendimi Editorial) në të cilën thuhet:

“Shpresoj që kjo letër t’ju gjejë mirë. Është kënaqësi t’ju njoftoj që punimi juaj është pranuar për t’u publikuar në numrin e tetorit…”

Në vijim, nga personi kontaktues i revistës janë dhënë udhëzimet për pagesën që duhej kryer para publikimit të punimit, në vlerë prej 110 Eurosh.

Pagesa prej 110 Eurosh, është bërë më 12 nëntor (dy ditë pas dorëzimit të punimit), ndërsa me 13 nëntor (një ditë pas kryerjes së pagesës) është pranuar emaili nga personi kontaktues i revistës në të cilën thuhet:

“Punimin tuaj e kam botuar dhe e kam indeksuar në DOAJ… Shpresoj ta mbani në mend këtë revistë dhe ta sugjeroni te kolegët tuaj për numrin e janarit.”

Ajo që duhet theksuar është se janë manipuluar datat te historia e publikimit të punimit nga vet revista. Punimi i publikuar nga personi imagjinar, Andrra Qielli del se është publikuar më 9 tetor 2019, që i bie një muaj para se të kontaktohej për herë të parë revista. Më tutje, sqarohet nga revista në mënyrë të rrejshme se punimi është dërguar më 4 shtator, ndërkaq përmirësimet finale gjoja se janë kryer më 29 shtator. Të gjitha këto informata zyrtare të revistës, janë të rrejshme dhe mashtruese. Përtej çdo dyshimi të bazuar, mund të thuhet se revista është mashtruese, kriminale, dhe se rrezikon komprometimin e gjithë procesit të avancimeve që po zhvillohet në UP.

ORCA ka shkuar tutje me hulumtim dhe ka parë se disa kandidatë në procesin e fundit të avancimeve, kanë publikuar në këtë revistë dhe presin të emërohen ose avancohen me punime në këtë revistë mashtruese.

Dekani But Dedaj, është kandidat për avancim dhe ka një punim të publikuar në këtë revistë mashtruese. Kandidatja tjetër është Sevdije Alshiqi, e cila ka vetëm një punim të publikuar në këtë revistë dhe ka marrë rekomandim për emërim si profesor asistent në këtë fakultet.

ORCA i kërkon Senatit që menjëherë ta fus këtë revistë në listën e revistave mashtruese, siç ka vepruar disa muaj më parë me rastin e ngjashëm të Rrush Kalaveshit, e po ashtu të veprojë njëjtë me revistat e publikuesit në fjalë, pasi personi kontaktues i të gjitha revistave të këtij publikuesi është i njëjtë dhe ndjek praktikën e njëjtë të falsifikimit të datave lidhur me publikimet e bëra. Me këtë rast, ORCA kërkon nga Senati që kandidatëve që kanë publikuar në këto revista, të mos ua marrë parasysh punimet e publikuara në revistat e këtij publikuesi.

Ministria e Arsimit duhet urgjentisht ta ndërrojë udhëzimin administrativ dhe t’i heq nga indeksimi të gjitha platformat tjera përveç SCOPUS dhe Web of Science.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)