16 Prill 2024

ORCA bën thirrje qe Ministri Likaj ose të dorëhiqet ose të shkarkohet me protesta

Prishtinë, 29 qershor - Lidhur me situatën ku Ministri aktual i arsimit, Ramë Likaj është i përfshirë në aferën më të madhe të plagjiaturave dhe mashtrimit akademik në UP, në vitin 2018 ORCA pati zbuluar se punimet që janë marrë parasysh për propozimin për avancimin e 8 profesorëve ku bënte pjesë edhe Ramë Likaj, ishin të publikuara në revista jokredibile, pasi të 8 profesorët Ahmet Shala - Dekan i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, profesor dhe senator në UP; Ramë Likaj - profesor dhe senator në UP; Azem Kyçyku - profesor në UP; Mirlind Bruçi - profesor në UP; Naser Lajqi - profesor në UP; Nexhat Qehaja - profesor në UP; Rexhep Selimaj - profesor në UP; Xhevat Berisha - profesor në UP; kishin publikuar nga 7 deri në 19 punime secili, brenda një periudhe 1 vjeçare e gjysmë.

ORCA konsideron se mesatarja e numrit të publikimeve për një kandidat të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike dilte 5.5 punime në vit, ndërsa në Norvegji për vetëm një punim, duheshin më shumë se 1 vit kohë për publikim.

Pas evidentimit të këtij fakti ORCA vendosi t’i quajë SUPERMENË grupin e 8 profesorëve të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike duke dashur të sjellë në vëmendjen e publikut mashtrimin akademik të bërë nga ta.

Shumica e publikimeve të SUPERMENËVE të UP-së, ishin bërë në dy revista. Për këto dy revista ORCA pati zbuluar se: keqinformojnë për indeksimin e tyre, përmendin indeksim në databaza të shuara që një kohë të gjatë, nuk e tregojnë adresën e tyre, keqinformojnë për përdorimin e softuerit antiplagjiaturë - ndërkohë që është e lehtë të gjendet plagjiat nga Wikipedia në publikimet e tyre. Për më tepër, njëra nga këto revista e kishte botuesin të listuar si të dyshimtë.

Me kërkesë të Këshillit të Etikës, sipas afateve të dhëna, ORCA pati dorëzuar: 3 analiza profesionale për revistat e dyshimta të mbështetura edhe nga pioneri i listimit të revistave të dyshimta, eksperti i njohur globalisht, profesori amerikan Jeffrey Beall; 1 komunikim të ORCA-s me platformën indekuese SCOPUS ku bëhet e ditur se revistat janë në rishqyrtim nga platforma në fjalë; dhe hulumtimin e detajuar të ORCA-s për 38 punime që përmbanin plagjiaturë - kopjim pa citim apo referencim, gabime drejtshkrimore e gramatikore, si dhe paraqitje të së njëjtës përmbajtje me dy tituj si dy punime të ndryshme. Të gjitha këto tregonin se SUPERMENËT me vetëdije kishin kryer shkeljet dhe se revistat që kanë lejuar publikimin e atyre punimeve ishin mashtruese.

Paralelisht me denoncimin në Këshill të Etikës dhe Senat, ORCA më 6 korrik 2018  kishte zhvilluar komunikimin e parë me SCOPUS ku pati ngritur dyshimet për revistat duke dërguar analizën e bërë edhe me ndihmën e ekspertit, Jeffrey Beall.

Më 19 korrik 2018 ORCA organizoi aksion publik simbolik para Rektoratit të UP-së përmes të cilit i bëri thirrje Senatit të mos i avancojë kandidatët nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike. Po ashtu, ORCA pati njoftuar në mënyrë formale senatorët e UP-së me detajet e analizave për revistat në fjalë.

Megjithatë, më 23 korrik 2018, Senati avancoi 8 profesorët e rregullt të denoncuar nga ORCA.

Më 13 gusht 2018 SCOPUS njoftoi ORCA-n se revistat zyrtarisht dhe formalisht ishin futur në rivlerësim.

Më 26 nëntor 2018 ORCA dorëzoi dosjen plotësuese të provave në 43 njësi të ndara me 492 faqe, të cilat dëshmojnë se 8 profesorët e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike të cilat u avancuan atë vit, kishin shkelur me të dyja këmbët parimet universalet të etikës dhe integritetit akademik.
Argumenti kryesor i profesorëve të denoncuar ishte se ata kishin përmbushur kriteret formale, pra ata argumentonin se revistat përmbushnin kriteret e kërkuara me ligjet në fuqi pasi ato ishin të indeksuara në platformën SCOPUS.

Gjithçka tjetër ishte fjala jonë kundër fjalës së tyre deri më datën 23 prill 2019, kur SCOPUS njoftoi ORCA-n se revistat nuk janë më pjesë e indeksimit për vitin 2019 e tutje.

Në njoftim thuhet “publikuesi është informuar se mbulimi i SCOPUS për të dy titujt nuk vazhdon për vitin 2019 e tutje. Po ashtu vendimi nga Bordi Këshillëdhënës për Përzgjedhjen e Përmbajtjes i SCOPUS do të jetë final dhe nuk do të rishikohet.”

Vlerësimi i Scopus për marrjen e vendimit për t'i hequr nga lista për vitin 2019 këto dy revista shkencore është mbështetur në vlerësimin për veprimtarinë e tyre gjatë vitit 2017/2018, kur edhe kanë publikuar e kur janë avancuar 8 profesorët e FIM.

Ky ishte validim ndërkombëtar i pretendimeve të ORCA-s lidhur me kualitetin e dyshuar të revistave ku ishin publikuar punimet e SUPERMENËVE.

Me gjithë provat e sjella, Këshilli i Etikës në vitin 2019 lëshoi një vendim ku thoshte se i mungojnë mjetet për t’i verifikuar denoncimet.

ORCA sot, konstaton përtej çdo dyshimi të bazuar se SUPERMENËT janë avancuar në mënyrë jomeritore në titullin e profesorit të rregullt me çka kanë fituar kontratë të përhershme pune dhe nuk i detyrohen më asgjë Universitetit në raport me punën e tyre akademike.

ORCA konsideron se janë shtjerrë të gjitha mjetet institucionale për adresimin e çështjes në fjalë. Akterët kryesorë të aferës SUPERMENËT kanë kaluar pa u ndëshkuar, për më tepër KRYESUPERMENI me 19 punime brenda një viti e gjysmë, Ramë Likaj, është emëruar Ministër i Arsimit nga radhët e AAK-së në Qeverinë Hoti.

Kjo përbën sipas ORCA shpallje lufte ndaj cilësisë në arsimin e lartë, në integritetin akademik dhe në përpjekjet e organizatave të shoqërisë civile të cilat angazhohen për rritjen e cilësisë në arsim.

Prandaj, ORCA bën thirrje për rezistencë qytetare sipas të drejtave të garantuara me Kushtetutë dhe ligje tjera në fuqi.

"Ministri ose duhet të dorëhiqet ose duhet të shkarkohet me protesta. Nëse më 2014 kemi shkarkuar rektorin Ibrahim Gashi për veprime të ngjashme, më 2020 kurrsesi nuk bën të lejohet një Ministër i përfshirë me të dy këmbët në mashtrim akademik", thekson ORCA.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)