19 Mars 2024

Ndërprerja e ngrohjes nga Termokos e dënueshme, KMDLNJ kërkon të ndërmerren masa

Prishtinë, 15 dhjetor - Sot, përjashtuar QKUK-në, i tërë qyteti i Prishtinës ka mbetur pa furnizim me ngrohje nga “Termokos” me arsyetim se Ngrohëtorja e Qytetit nuk po ka mundësi të furnizohet me avull nga KEK-u në kohën kur temperaturat janë shumë të ulëta, kur ka reduktime të mëdha të energjisë elektrike (deri në 13 orë brenda 24 orëve), kur drutë janë shtrenjëtuar shumë kurse thëngjilli nuk rekomandohet shkaku se e ndotë shumë ajrin.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) vlerëson se t’i lëshë qytetarët pa furnizim me ngrohje edhe në kohën kur ngrohja e shpenzuar faturohet thuaja 100% përveç që është papërgjegjësi e pafalshme, rrrezikon seriozisht shëndetin e qytetarëve, si njëra ndër të drejtat elementare të njeriut, pamundëson kryerjen e punëe efektive për të punësuarit dhe vë në pikëpyetje funksionimin e institucioneve arsimore, që nga ai parashkollor e deri te ai universitar.

Ndërprerja e furnizimit me ngrohje e rritë në mënyrë drastike shpenzimin e rrymës në kohën kur Kosova në përgjithësi, e Prishtina në veçanti, po përballen me mungesë të madhe të rrymës duke e vështirësuar gjendjen edhe më shumë.

Thirrja publike e Qeverisë së Kosovës të kursehet rryma e humb kuptimin për shkak të mosfurnizimit me ngrohje e që e bënë të domosdoshëm përdorimin e rrymës për të siguruar ngrohje.

KEDS-i për çdo ditë paralajmëron se cilat lokacione do të çkyqen nga rrjeti i furnizimit me rrymë me arsyetim se po punohet në rrjet apo në trafo.

Çuditërisht, të gjitha këto çkyqje zgjasin 13 orë e që lë për të dyshuar se çkyqjet janë të qëllimta (për të kursyer rrymë dhe për të mos blerë me çmime të kripura që janë sot në tragun botëror), duke e rrezikuar seriozisht shëndetin e qytetarëve të Kosovës.

Çkyqja nga furnizimi me ngrohje e sidomos me rrymë prodhon efekt zingjirore, duke e rrezikuar edhe funksionimin e institucioneve publike dhe private, ekonomisë dhe segmenteve të tjera të shoqërisë.

KMDLNj fton Qeverinë e Kosovës të merr masa të menjëhershme për stafbilizim të furnizmit me ngrohje dhe rrymë në të kundërtën po krijohen kushte dhe masa kritike të shprehjes së pakënaqësisë sociale të qytetarëve përmes protestave masive, mospagesës së faturave pa iu komopenzuar dëmet që iu shkaktohen në biznes dhe ekonomi familjare si dhe formave tjera të kundërshtimit.

Paralajmërimin e ngritjes së çmimit të rrymës prej 7% KMDLNj e kundërshton duke e konsideruar si goditje të qytetarëve të varfëruar dhe të cilët edhe deri më tani, me vështirësi dhe sakrifica i kanë paguar faturat e rrymës.

KMDLNj kërkon nga Qeveria e Kosovës që urgjentisht të vendosë sistemin e faturimit për rrymën e shpenzuar në komunat veriore të Kosovës duke e ndërprerë diskriminimin në baza etnike të konsumatorëve; serbët qe 22 vite nuk paguajnë rrymë dhe shërbime tjera, ndërkaq shqiptarët dhe qytetarët e komuniteteve joserbe, pavarësisht gjendjes ekonomike që e kanë edhe me përmbarues detyrohen t’i paguajnë faturat.

KMDLNj-ë kërkon nga Qeveria e Kosovës që në mënyrë lineare të subvencionojë shpenzimet e faturave të rrymës dhe shërbimeve tjera për aq sa do të ketë rritje të çmimit dhe sipas kriterit të vetëm, gjendjes ekonomike të konsumatorit.

KMDLNj-ë kërkon nga Qeveria e Kosovës që Sindikatat t’i konsiderojë dhe trajtojë si partnerë, të bashkëpunojë me ta, të mos ndërhyjë në punën e sindikatave, kurse nga kryeministri Kurti kërkon që të takojë në baza të rregullta dhe çdo herë kur është e nevojshme udhëheqësit e Sindikatave në mënyrë që të gjendet një zgjidhje më e lehtë për ta menaxhuar krizën duke evituar përshkallëzimin e situatës e cila nuk do ta zgjidhte asnjë problem.

KMDLNj-ë kërkon nga Sindikatat të kenë mirëkuptim për situatën e rëndë, të tragohen më tolerantë duke e arritur një marrëveshje që do të zbatohej në përputhje me mundësitë reale. Asnjë përshkallëzim i gjendjes, nga cilado palë qoftë e që nuk përputhet me mundësitë, nuk do të zgjidhë asnjë problem përkundrazi kriza vetëm sa do të thellohet. Në mozaikun e krizës botërore, Kosova nuk mund të jetë përjashtim.  
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)