19 Mars 2024

Mbahet dialogu ndërministror për Arsimin dhe Aftësimin Profesional në Kosovë

Prishtinë, 21 dhjetor - Gjendja aktuale dhe synimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës rreth reformimit të Sistemit të Arsimit dhe Aftësimit Profesional (AAP) ishin në qendër të dialogut ndërministror për AAP.

Në hapje të takimit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti foli për rëndësinë e Arsimit dhe Aftësimit Profesional për zhvillim ekonomik të Kosovës.

Reformimi dhe harmonizimi i Sistemit të Arsimit dhe Aftësimit Profesional, luan rol vendimtar në plotësimin e hendekut të shkathtësive dhe në zhvillimin e gjithmbarshëm të vendit tonë, tha kryeministri.

Përkundër raportimeve zyrtare për papunësi të madhe, industria nuk ka mundur t’i plotësojë vendet e lira të punës me punëtorë të kualifikuar. Kjo pasi sistemi i Arsimit dhe Aftësimit Profesional, pa marrë parasysh që u është nënshtruar reformave të shumta, nuk ka arritur që t’u përshtatet nevojave të industrisë dhe tregut të punës, tha kryeministri.

Ai theksoi se për të tërhequr investime të huaja në vend, një nga faktorët kyç është fuqia punëtore e kualifikuar. Duke qenë shteti me popullsinë më të re në Evropë, është e domosdoshme që rinia jonë të shkollohet dhe trajnohet me aftësi profesionale, për t’i shërbyer zhvillimit shoqëror, tha kryeministri, duke shtuar se nëpërmjet Arsimit dhe Aftësimit Profesional, do të mund të shtohen vendet e punës, të ulet varfëria dhe të zbutet pabarazia.

Do të duhej që edhe si institucione me përgjegjësinë tonë, por edhe si shoqëri me vetëdijen tonë, ta ngrisim më lartë profesionin dhe profesionalizmin jo akademik. Pra është e mundshme të jesh profesionist edhe pa qenë akademik, tha kryeministri, duke ritheksuar se si institucione dhe shoqëri duhet të ndikojmë tek ngritja e reputacionit të profesionistëve jo akademik dhe tek autoriteti i tyre.

Në këtë takim u prezantuan të gjeturat nga analiza e ndërmarrë nga Fondacioni Evropian i Trajnimeve (ETF) me titull “Rishikim i sfondit për të informuar dialogun mbi politikat në Kosovë për qeverisje dhe financim të AAP” dhe u dhanë propozime për ndërmarrjen e hapave të ardhshëm.

Për rolin dhe sfidat e ministrive lidhur me Arsimin dhe Aftësimin Profesional, diskutuan Zëvendësministrja për Arsim, Shkencë, Teknologji  dhe Inovacion, Edona Maloku Bërdyna, Ministrja për Ekonomi, Artane Rizvanolli,  Ministri për Administrim të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, Zëvendësministri për Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Getoar Mjeku, Zëvendësministrja për Kulturë, Rini dhe Sport, Daulina Osmani, dhe Ministri për Financa, Punë dhe Transfere, Hekuran Murati.

Gjatë këtij takimi u dhanë propozime rreth fuqizimit të bashkëpunimit me industritë, si dhe lidhjes në mes të parashikimit të zhvillimit ekonomik dhe zhvillimit të fuqisë punëtore përmes Arsimit dhe Aftësimit Profesional.


 


  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)