23 Prill 2024

LDK: Qeveria pa program për zhvillimin e shkencës

Prishtinë, 4 janar - Lidhja Demokratike e Kosovës ka përcjellur zhvillimet në fushën e shkencës dhe ka vërejtur se Qeveria nuk ka politika dhe as program për zhvillimin e shkencës, prandaj alokon fond minimal për këtë fushë.

Shumat që jep qeveria janë simbolike, por edhe si të tilla po zvogëlohen vit pas viti. Vetëm gjatë viti 2012 për shkencën do të ketë tre herë më pak buxhet se në vitin që shkoi.

Është e kuptueshme që një qeveri pa interesim për të zhvilluar dhe përparuar shkencën, nuk përfill asnjë nga rekomandimet e Këshillit Kombëtar të Shkencës.

Punonjësit shkencorë, përkundër vendimit të qeverisë, nuk i kanë marrë pagat me rritje nga data e marrjes së vendimit. Sikur punonjësve të arsimit, qeveria u ka borxh edhe punjësve shkencorë.

Institucionet shkencore janë pa përkrahje, nuk ndihmohen financiarisht, janë të pareformuara dhe të shantazhuara nga qeveria.

Instituti Albanologjik, më i vjetri dhe më i njohuri, si edhe institutet e tjera, është tejet i pareformuar, funksionon në paqartësi të plotë, pa politika të kuadrit, ndërsa një pjesë e mirë e hapësirës së tij, tepër pahijshëm dhe në kushte të konfliktit të interesit, është shndërruar në qendër biznesi.Ky institucion, në kundërshtim me ligjin dhe në sy të qeverisë, gjatë viti 2011, ka doktoruar disa nga punonjësit e tij.

Revista e njohur e këtij instituti, “Gjurmime Albanologjike”, për fat të keq, është e pavërejtshme, sepse mungojnë fondet, prandaj edhe kërkimet shkencore me vlerë që do të publikoheshin aty.

Instituti i Historisë ka disa vite që po shantazhohet haptazi nga qeveria dhe nga vetë shefi i qeverisë e nuk po lejohet të vendoset në objektin e vet.

Objekti i ri i Institutit të Historisë është i mbyllur për të gjithë, ndërsa punonjësit shkencorë kanë nevojë enorme për ambiente të punës.

Ndërsa, Instituti Pedagogjik funksionon në kushte emergjente, pa hapësira të vetat, në një hapësirë të objektit të Institutit Albanologjik dhe pa një veprimtari të shënueshme.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)