18 Prill 2024

LDK, kritika për zhvilimet në UP

Prishtinë, 14 korrik - Lidhja Demokratike e Kosovës ka ndjekur dhe ka analizuar me kujdes zhvillimet e kohëve të fundit në Universitetin e Prishtinës: çështjen e çmimit të përfolur të cilësisë dhe deklarimet e një pjese të Këshillit Drejtues të UP-së lidhur me këtë dhe çështje të tjera; zgjedhjet e organizatave të studentëve; zgjedhjet në UP.

 

Sipas komunikatës për opinionin publik, LDK-ja këto zhvillime i vlerëson si më poshtë:

1. LDK-ja kërkon që çmimi për cilësi, i marrë nga UP-ja dhe i përfolur gjerësisht, të hetohet në rrugë normale, nga institucionet përkatëse, për të mos u shndërruar në përballje të konstruktuar ndërmjet Këshillit Drejtues dhe menaxhmentit të UP-së.

LDK-ja e konsideron vendimtar rolin e Këshillit Drejtues në të gjitha zhvillimet në UP. LDK-ja vlerëson se asnjë anëtar i këtij këshilli nuk mund të diferencohet tani nga tre vjet pune të menaxhmentit aktual. Është ky këshill që ka zgjedhur rektorin me votë absolute dhe që ka punuar bashkë me menaxhmentin aktual që nga fillimi, prandaj ka autorësi si në të arriturat, ashtu dhe në dështimet. Është ky këshill që i është nënshtruar ndikimit të pashembullt të qeverisë dhe ndërhyrjeve direkte të saj në të gjitha sferat e veprimtarisë së UP-së, përfshirë edhe çështjet akademike, financiare etj. Është ky këshill që asnjëherë nuk ka rezistuar apo reaguar për ndërhyrjet e qeverisë, por i ka shërbyer asaj me besnikëri, në dëm të UP-së. Është ky këshill që si i tërë është bashkëpërgjegjës për të gjitha ngecjet dhe dështimet në UP.

2. Në zgjedhjet e studentëve, siç ka vlerësuar edhe më parë LDK-ja përmes Forumit të Rinisë, qeveria ka ushtruar ndikim tepër të madh, me anë të organizatave studentore, që, në të vërtetë, shërbejnë edhe si zgjatime politike të PDK-së dhe të strukturave të tjera të saj. Tendenca për manipulim final u dëshmua me rastin e formimit të këshillave të rinj të Fakultetit të Mjekësisë dhe të Fakultetit të Filologjisë.

LDK-ja konsideron se ndërhyrjet e tilla në UP e dëmtojnë këtë institucion të rëndësishëm publik, si dhe deformojnë natyrën dhe funksion e organizatave të studentëve.

3. LDK-ja vlerëson se zgjedhjet në UP janë përshkuar nga veprime të papara të konstruktimit të rezultateve për anëtarë të këshillave të njësive akademike, të përfaqësuesve në Senatin e UP-së dhe të vetë dekanëve të njësive akademike. Kjo është reflektuar edhe në zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Drejtues, që me besnikëri e pasqyron këtë proces zgjedhor të ndikuar dhe të deformuar politikisht.

Me anë të këtij procesi, PDK-ja ka forcuar strukturën e saj politike në UP, duke vënë në krye të njësive akademike eksponentë të vetë dhe ka pamundësuar një proces normal zgjedhor. Pas gjithë kësaj, nga 1 tetori, për fat të keq,UP-ja tani do të përfaqësohet me vetëm ndonjë emër të rrallë që gëzon respekt në UP e më gjerë. LDK-ja shpreh shqetësimin e thellë se e gjithë kjo do të kulmojë me zgjedhjen e afërt të rektorit të deleguar nga politika dhe nga interesat politike të qeverisë.

LDK-ja vlerëson dhe angazhohet për universitete publike të pavarura, ashtu siç e përcaktojnë ligjet dhe normat themelore që rregullojnë funksionimin e universiteteve publike në vendet demokratike.

LDK-ja shpreh përkushtimin saj të përhershëm për të mbrojtur UP-në dhe gjithë sistemin arsimor nga ndikimet dhe nga ndërhyrjet politike.

UP-ja, si i tërë sistemi arsimor në Republikën e Kosovës, ka nevojë urgjente për pavarësi, përkrahje të mjaftueshme financiare dhe për reforma. LDK-ja konsideron se këto duhet të bëhen politika nacionale, sepse nga to varet e ardhmja sociale, ekonomike dhe kulturore e Kosovës, thuhet në fund të këtij njoftimi të LDK-së. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)