27 Janar 2023

Kryeministri Kurti takon drejtuesit e fondacionit BESA

Prishtinë, 10 gusht - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci u takuan dje me kryetarin e Fondacionit BESA, Anton Krasniqi dhe nënkryetarin e këtij fondacioni, Ilir Seferi.

Ky takim vjen pas nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet ministrisë së Arsimit, Shkencën, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Fondacionit BESA me seli në Gjermani. Gjatë tij, kryeministri Kurti u njoftua për sfidat aktuale, veprimet e ndërmarra në kuadër të këtij bashkëpunimi dhe për hapat e mëtejmë drejt inicimit të arsimit dual në vend. 

Kryetari i fondacionit BESA, Anton Krasniqi e informoi kryeministrin për profilet potenciale që mund të përfshihen në kuadër të arsimit dual dhe për bashkëpunimin që ky fondacion ka arritur me odat dhe përfaqësitë e bizneseve në Kosovë.

Në takim u diskutua për përgatitjet finale që institucionet po bëjnë për të filluar në shtator të këtij viti me pilotimin e tre profileve të para në kuadër të arsimit dual, atë të floktarit, kuzhinierit dhe asistentit në restorant. U theksua rëndësia e angazhimit të institucioneve në promovimin e këtyre profileve te nxënësit dhe bizneset si dhe në vazhdimin e bashkëpunimit të ndërsjellë.


  

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 janar 2023

 - Mbahet dita e dytë e konferencës Ndërkombëtare për Siguri Siguri Kinernetike “Cyber Zero” në të cilën diskutohet sulmet online dhe kërcenimet në sigurinë kibernetike. (Klan Arena, ora 9:00)
    
- Bordi i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale raporton në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti lidhur me vendimin për lirimin nga obligimi për rentën minerare për ndërmarrjen “Ferronikeli”. (Kuvendi i Kosovës, C203, ora 10:00)
    
- Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione takohet me përfaqësues të OJQ-së “Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptasve”. (Kuvendi i Kosovës, salla N10, ora 10:00)
    
- Ministri i Financave Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, raporton në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, lidhur me vendimin për rritjen e vlerës së faturave të tatimit në pronë. (Kuvendi i Kosovës, C203, ora 13:30)
    
- Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) mbahet ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 42 të kadetëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK). Merr pjesë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu etj. (Ndërtesa e re e Fakultetit të Sigurisë Publike në AKSP, Vushtrri, ora 13:30)
    
- Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan do të nderojë me çmimin “Doctor Honoris Causa” anëtarin e Parlamentit Evropian, Lukas Mandl. (Teatri i Qytetit, Gjilan, ora 15:00)