03 Shkurt 2023

Kryeministri Kurti kërkoi që nxënësit të kthehen në bankat shkollore

Prishtinë, 13 shtator - Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministrin për Financa e Transfere, Hekuran Murati dhe ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci mbajten konferencë për media pas takimit me Këshillin grevist të BSPK dhe SBASHK.

Kryeministri Kurti theksoi se janë bërë rreth 30 takime mes qeverisë dhe Këshillit Grevist dhe sindikatat filluan grevën pas tetë ditësh pasi u njoftua se është proceduar Projektligji për Paga.

E këtë javë ky projektligj sipas Kurtit do të vihet në diskutim publik ku mësimdhënësit do ta kenë koeficientin më të lartë se kategoritë e tjera.

Kryeministri tha se është ndarë buxhet për mësimdhënësit që janë tepricë për 3 mijë mësimdhënës e kështu edhe për vitin 2023 për 2 mijë të tjerë.

“E kemi rregulluar me legjislacion që ata të mos kenë probleme që vit për vit të mos i nënshtrohen konkursit për punësim, kurse 12% është rritur buxheti për arsim”, tha kryeministri Kurti.

Ai tha se 150 mijë euro bursa janë ndarë  për komunitetin rom, ashkali e egjiptian. Kurti prezantoi edhe të arritura të tjera që sipas tij, janë ndërmarrë nga qeveria e Kosovës.

Kreu i qeverisë tha se rreth 600 mijë qytetarë do të përfitojnë nga pako e dytë ekonomike, e kjo brenda gjashtë muajve nga pakoja e parë.

“Pakoja për ringjalljen  ekonomike të vitit të kaluar ka qenë rreth 300 milionë euro”.

“Këtë pako ia japim qytetarëve që t’ia dalin sa më lehtë”, tha Kurti.

Ai tha se unë kam lëvizur së paku dhjetë herë në plotësim të kërkesave. “Më thanë kryeministër lëviz, por unë e kam bërë këtë”, tha Kurti, raporton RTKlive.

Ai tha se nuk është e vërtetë se nuk ka pasur dialog e komunikim.

“Në takim më thanë disa herë që të dalim nga kjo situatë edhe ju edhe ne. Por në situatë të vështirë nuk është as SBASHK-u as qeveria, por arsimi”, tha kryeministri Albin Kurti.

Kryeministri tha se si shtesë të kësaj pakoje, u ka thënë Këshillit Grevist se do ta pyesin anëtarësinë, por sapo dolën nga takimi u thanë mediave se greva vazhdon. ''E kur e pyetën anëtarësinë?”, tha Kurti.

“Atyre ua kemi thënë lajmin të parëve se këtë javë fillon diskutimi publik për Projektligjin për Paga”.

Kryeministri tha se për këto e shumë të tjera, Këshilli Grevist tha se do të konsultohet me anëtarësinë. “Por si është e mundur që anëtarësia të reduktohet ndoshta në një telefonatë!”.

Ai tha se grevistët i thanë “na ndihmo si vëlla”. “Unë si vëlla të ndihmoj privat, por si kryeministër, nuk shkon kështu. 80% e buxhetit mbushet nga sektori privat e 20% nga ai publik. Paratë nuk janë të mijat”.

Kryeministri Kurti tha se grevistët kanë kërkuar 100 euro, kurse qeveria ka dhënë 50 euro. “Ata thonë ose krejt ose hiç. Nuk bën kjo logjikë e shantazhit”.

Kurti tha se heshtnin të gjithë- “kur u thash ka më shumë se 100 mijë qytetarë që kanë pagën më të ulët se minimale”.

“Shteti nuk duhet të shantazhohet vetëm nga ai që është më i zhurmshmi. E krejt kjo, jo për kushte, jo për rezultate në arsim, por për para”.

Kreu i qeverisë tha se rritja e pagave duhet ta ndjekë produktivitetin në kuadër të rritjes ekonomike të shtetit.

“Unë dua që pagat e mësimdhënësit të lidhen me dijen e nxënësit që duhet të dalin më të dijshëm nga bankat e shkollës”.

Ai tha se greva është veprimi i fundit sindikal, pasi shteren të gjitha mjetet tjera.

Kryeministri Kurti tha se më parë, ka pasur greva e ku kanë kërkuar 50%  rritje të pagave, por e kanë ndërprerë me më pak se 10%.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 3 shkurt 2023  - Këshilli Gjyqësor i Kosovës mban mbledhjen e radhës. (Ndërtesa e KGjK-së, ora 9:00)

- Kuvendi Komunal i Gjilanit mban seancë të jashtëzakonshme, ku në rend dite do të jetë falja e tatimit në pronë në vlerën deri 100 euro për të gjithë tatimpaguesit e kësaj komune, për vitin 2023. (Salla e Kuvendit Komunal të Gjilanit, ora 10:00)

- Sindikata e Sektorit Privat të Kosovës mban konferencë për shtyp lidhur me gjendjen e punëtorëve teknik të Sektorit Privat te Kosovës dhe dialogu me qeverinë dhe institucionet tjera të Kosovës. (Zyrët e Sindikatës, ora 11:00)

- Lidhja Demokratike e Kosovës Dega në Prizren, mban konferencë për medie. (Selia e LDK-së në Prizren, ora 11:00)

- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore, si dhe shqyrton listën e kandidatëve për plotësimin e një pozite për anëtar joekzekuiv të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës. (Kuvendi i Kosovës, salla C203, ora 13:30)

- Prezantohet puna e kryer rreth vajzave dhe grave me aftësi të kufizuara të cilat kanë folur hapur për historitë e tyre të, abuzimeve seksuale, dhunës fizike, dhunës psikike, keqtrajtimeve, ofendimeve dhe diskriminimeve. (Ndërtesa e Qeverisë, salla P38, ora 14:30)