21 Tetor 2021

Këshilli Amerikan për Edukim në përkrahje të arsimit në Kosovë

Prishtinë, 11 tetor - Deri më tani, Fondi Kosovar Amerikan i Edukimit (KAEF) ka ndarë mbi 100 bursa studimi në universitetet më të dalluara amerikane për studentë premtues. Për të diskutuar mbi bashkëpunimin ndërmjet institucioneve shtetërore dhe KAEF-it, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me shefin e Stafit të Kryeministrit, Luani Dalipi dhe zëvendësministrin e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë edhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci, pritën në takim një delegacion nga Washingtoni, të përbërë nga ish- Zëvendës Asistenti kryesor dhe Ushtruesi i Detyrës së Ndihmës Sekretarit në Byronë e Çështjeve Arsimore dhe Kulturore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, aktualisht Kryetarin e Bordit të Këshillit Amerikan për Edukim Ndërkombëtar, Mark Taplin, Nënkryetarin e këtij këshilli, Michael Curtis dhe Përfaqësuesin e Këshillit Amerikan për Edukim Ndërkombëtar në Kosovë, Gjeni Shporta.

Kryeministri Kurti tha se vlerëson lart kontributin e KAEF-it dhe përfituesve të tij në ekonominë edhe shoqërinë tonë. Shumë prej tyre janë individë që falë përvojave dhe aftësive të krijuara gjatë studimeve në universitete amerikane japin kontribut të çmueshëm në sektorin privat dhe publik.  Ai shtoi se arsimi është burim i rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe social të Kosovës, prandaj edhe renditet lart në prioritetet e qeverisë. Të pranishmit u njoftuan edhe për synimet e qeverisë për ta orientuar arsimin e lartë drejt kërkimit shkencor nëpërmjet themelimit të Fondit të Hulumtimeve dhe angazhimin në sigurimin e bursave për studim brenda dhe jashtë vendit për studentë të dalluar.

Z. Taplin, z. Curtis dhe z. Shporta e falënderuan kryeministrin Kurti dhe zëvendësministrin Pupovci për takimin dhe për gatishmërinë për bashkëpunim.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 21 Tetor 2021

- Zyra e Bankës Botërore në Kosovë prezanton raportin më të ri të rregullt ekonomik të Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor. (https://worldbankgroup.zoom.us/j/97581587600?pwd=YzBVb2NnVHJDak1kRDBscE0rVG5Ldz09 - Meeting ID: 975 8158 7600 dhe Passcode: 4Z+2*BBChV, ora 10:00)

- Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci raporton para Komisioni për Integrim Evropian. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 11:00)  

- Komiteti Lokal për Siguri Publike “Qendër” mban fushat sensibilizuese duke iu dhuruar qytetarëve maska falas. (Sheshi “Zahir Pajaziti”, ora 11:00)

- Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj mban konferencë për media lidhur me të arriturat gjatë vizitës zyrtare në SHBA, si ministër i parë i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës. (Ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes, ora 12:30)

- “Rronifer” bënë inaugurimin e selisë së re të fabrikës. (Magjistralja Gjakovë - Prizren, kilometri i dytë, ora 12:30)

- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhjen e radhës. (ndertesa e KQZ-së, ora 13:30)