07 Shkurt 2023

KE dhe Kosova dakordohen për t’i dhënë përparësi cilësisë në arsim

Prishtinë, 3 shkurt - Ppërfaqësuesit e Komisionit Evropian (KE) dhe autoriteteve të e Kosovës mbajtën mbledhjen e Nën-komitetit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit për Inovacion, Shoqëri Informative dhe Politika Sociale. Mbledhja mbuloi një gamë të gjerë temash nga arsimi, rinia, politikat sociale dhe punësimi, shoqëria e informacionit, politikat  për telekomunikacion dhe audio-vizuale, trashëgimia kulturore.

Për arsimin, të dyja palët u dakorduan për nevojën për t’i dhënë përparësi sigurimit të cilësisë në të gjitha nivelet, nga parashkollori në arsimin e lartë, kryesisht duke forcuar organet e sigurimit të cilësisë, si inspektorati arsimor dhe koordinatorët e cilësisë për arsimin parauniversitar, Agjencinë e Akreditimit për arsimin e lartë dhe Autoritetin Kombëtar të Kualifikimeve për arsimin profesional.

Marrë parasysh rrethanat me pandeminë COVID 19, u theksua rëndësia e sigurimit që të gjithë fëmijët të kenë aftësinë për qasje në arsimin online, kur e kërkojnë rrethanat. Për sa u përket fëmijëve me nevoja të veçanta, u mirëprit punësimi i 100 mësimdhënësve ndihmës shtesë, sidoqoftë kërkohet progres i mëtejshëm, edhe për identifikimin dhe përfshirjen e këtyre fëmijëve në arsim.

Komisioni e vlerësoi pozitivisht emërimin përmes konkursit të hapur të Bordit të ri të Agjencisë së Akreditimit, si dhe përgatitjen e Ligjit të ri për Agjencinë.

Për arsimin dhe aftësimin profesional (AAP), të dyja palët u dakorduan për nevojën për përputhje më të mirë të shkathtësive me nevojat e tregut të punës, duke i shqyrtuar kurrikulat dhe profilet e aftësimit dhe duke e ridizajnuar sistemin e financimit të AAP-së.

Për arsimin, si dhe për shkencën dhe hulumtimin, Komisioni këmbënguli në nevojën për mbledhjen dhe sigurimin e të dhënave të sakta.  

Për sa i përket hulumtimit dhe inovacionit, Komisioni përshëndeti asociimin e plotë me Horizon Europe dhe theksoi rëndësinë e kapaciteteve të mira për hulumtim dhe inovacion për të rritur konkurrueshmërinë, integrimin në Zonën Evropiane të Hulumtimit dhe pjesëmarrjen në Horizon Europe dhe Erasmus+.

Për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, Komisioni e inkurajoi Kosovën që të sigurojë përkushtim të vazhdueshëm ndaj Këshillit të Zbatimit dhe Monitorimit dhe punës së tij, si dhe të miratojë Ligjin për Trashëgimi Kulturore.

Ai përshëndeti ratifikimin e Marrëveshjes së Asociimit të Creative Europe 2021-2027 dhe e inkurajoi Kosovën që të përgatitet për pjesëmarrjen e saj në Program.

Për punësimin, Komisioni i inkurajoi autoritetet që të finalizojnë dhe miratojnë legjislacionin që mbulon punësimin, ekuilibrin mes jetës dhe punës, si dhe shëndetin dhe sigurinë në punë, të cilat janë duke u përgatitur prej disa vitesh.

Agjencia e Punësimit duhet të rrisë fushëveprimin dhe mbulimin e masave të saj aktive të tregut të punës, për të adresuar shkallët e larta të pasivitetit, veçanërisht tek gratë.

Për të adresuar shkallën e lartë të të rinjve që nuk janë në punësim, arsim apo aftësim, autoritetet u inkurajuan të vazhdojnë me zhvillimin e Planit të Zbatimit të Garancive për Rininë dhe të fillojnë zbatimin e tij, siç është dakorduar në takimin ministror të Ballkanit Perëndimor 6 (korrik 2021).

Komisioni gjithashtu i inkurajoi autoritetet që të ndihmojnë në rritjen e kapaciteteve të partnerëve socialë, veçanërisht sindikatave në sektorin privat, dhe t’i inkurajojnë që të lidhin marrëveshje kolektive duke siguruar që të mbetet e paprekur autonomia e tyre.

Për sa i përket përfshirjes sociale dhe mbrojtjes sociale, autoritetet u inkurajuan të bënin përparim të shpejtë në dy fusha: të ecet përpara me hartimin e Skemës së re të Ndihmës Sociale me testim të mjeteve, duke i zëvendësuar përfitimet sociale sipas kategorisë, dhe të sigurohet financimi për ofrimin e shërbimeve sociale nga komunat. duke i pajisur me burimet e nevojshme financiare.

Për shoqërinë e informacionit, Komisioni vuri në dukje se është duke u finalizuar Agjenda Digjitale e Kosovës 2030. Komisioni përshëndeti miratimin e Ligjit për Identifikimin Elektronik dhe Shërbimet e Besimit për Transaksionet Elektronike, duke e përafruar kështu legjislacionin e Kosovës me Rregulloren përkatëse të BE-së (eIDAS).

Komisioni gjithashtu përgëzoi Kosovën për përafrimin e plotë me Rregulloren për Reduktimin e Kostos për Brez të Gjerë.

Kosova u dakordua të rrisë përpjekjet për përafrim dhe zbatim të Direktivës NIS (Siguria e Rrjetit dhe Sistemeve të Informacionit) si dhe për të zbatuar kutinë e mjeteve 5G të BE-së. Zotimet e bëra gjatë Samitit Digjital të Ballkanit Perëndimor 2021 në lidhje me Memorandumet e Mirëkuptimit për Interoperabilitetin dhe Rrjedhën e Lirë të të Dhënave në Rajonin e Ballkanit Perëndimor, po zbatohen dhe përafrimi i plotë me Kodin e Komunikimeve Elektronike të BE-së do të arrihet në vitin 2023.

Për politikat audio-vizuale, në veçanti kalimin në digjital, ku ende nevojitet përparim, Komisioni e inkurajoi Komisionin e Pavarur për Mediave që të gjejë mënyra për të liruar frekuenca gjatë vitit të ardhshëm.

Komisioni gjithashtu e inkurajoi Kosovën që të gjejë një zgjidhje të qëndrueshme financimi për transmetuesin publik, në përputhje me acquis të BE-së.

Komisioni vuri në dukje procesin transparent të përzgjedhjes së anëtarëve të bordit për transmetuesin publik si dhe ata për Komisionin e Pavarur për Media.

Komisioni gjithashtu e inkurajoi Kosovën që të kryejë përafrimin me Direktivën për Shërbimet Audio-Vizuale dhe Mediatike, e cila do t’i lejonte vendit të marrë pjesë në degën MEDIA të Programit Creative Europe.

Takimi u bashkëkryesua nga Zyra e Kryeministrit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Komisionit Evropian për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit, me pjesëmarrjen e ekspertëve nga drejtoritë e përgjithshme dhe ministritë e tjera.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 7 shkurt 2023

 - Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, KulturÑ‘, Rini dhe Sport, shqyrton Projektligjin pÑ‘r Agjencinë e Kosovës për Akreditim. (Kuvendi i Kosovës, salla N303, ora 10:00)
    
- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, shqyrton Planin e Performancës për vitin 2023, të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë. (Kuvendi i Kosovës, salla N10, ora 11:00)
    
- Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, së bashku me përfaqësuesit e grupeve të qytetarëve organizon ceremoninë për nënshkrimin e Agjendës së Kontratës Sociale për Gjilanin, që është zotim i përbashkët nëpërmjet zyrtarëve të Komunës dhe qytetarëve për të përmirësuar komunikimin, bashkëpunimin dhe veprimet kolektive. (Shkolla e Mesme e Muzikës, Gjilan, ora 12:00)
    
- Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, raporton në Komisionin për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim. Temë diskutimi është plani Hapësinor i Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”. (Kuvendi i Kosovës, salla N302, ora 13:00)

- Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, do të dorëzojë Kallëzim Penal në Prokurorinë Speciale në Prishtinë, për keqpërdorimin e mjeteve të Qeverisë së Kosovës nga ana e Këshillit Kombëtar Shqiptar. (Ndërtesa e Prokurorisë, ora 14:00)  
    
- Një delegacion i ambasadorëve të shteteve të QUINT-it në selinë e OSBE-së në Vjenë të Austrisë, vizitojnë Akademinë e Kosovës për Siguri Publike. I pranishëm do të jetë dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. (Akademia për Siguri Publike, Vushtrri, ora 14:25)