25 Tetor 2021

“Edukimi për Media” të futet lëndë në arsimin parauniversitar

Prishtinë, 4 maj - “Edukimi për Media” duhet të jetë lëndë mësimore në arsimin parauniversitar, pasi që në shoqërinë e sotme një lëndë e këtillë është e nevojshme.

Kështu ka deklaruar në një intervistë për “Epokën e re”, profesoresha e gazetarisë e Universitetit të Prishtinës, Lindita Tahiri.

Në ketë bisedë profesoresha Tahiri ka folur edhe për shtojcën për lirinë e shprehjes që është botuar në ditën ndërkombëtare të lirisë të shtypit në gazetat “Epoka e re” dhe “Zëri”.

“Epoka e re”: Në ditën ndërkombëtare të lirisë të shtypit, ju së bashku me studentët nga Departamenti i Gazetarisë në UP keni mbajtur ligjëratë për nxënësit e shkollës së mesme “Mileniumi 3” në Prishtinë dhe ata të shkollës së mesme “Sami Frashëri”, si e vlerësoni këtë?
Tahiri: Jam shumë e kënaqur që ditën ndërkombëtare të lirisë së shtypit, bashkë me studentët e mijë të gazetarisë, e kalova me të rinjtë e shkollave të mesme, duke diskutuar për lirinë e shprehjes dhe për rolin e mediave në shoqëri.

“Epoka e re”: Cili ka qenë qëllimi i këtyre ligjëratave?

Tahiri: Qëllimi i këtij aktiviteti ka qenë i lidhur me shtojcën për të rinj të cilën e botuam falë përkrahjes së “Epokës së re” dhe “Zërit”. Bashkë me studentët e mi, që morën pjesë në projektin e përgatitjes të kësaj shtojce, dëshironim që të nxisim një mendim kritik për media dhe të diskutojmë disa koncepte thelbësore të edukimit për media që u adresohen të rinjve, mësimdhënësve dhe prindërve.

“Epoka e re”: Si është pritur kjo ide nga profesorët dhe nxënësit e këtyre shkollave?

Tahiri: Mësimdhënësit dhe udhëheqësit e të dyja shkollave, “Mileniumit” dhe “Sami Frashërit” treguan dëshirë të përnjëhershme për bashkëpunim, dhe në të dyja shkollat u zhvilluan debate interesante në klasë. Mësimdhënësit e theksuan nevojën e përfshirjes të edukimit për media në planprogramet mësimore.

“Epoka e re”: Tani është botuar edhe numri i parë i shtojcës, dedikuar të rinjve që ka të bëjë me lirinë e shprehjes, do ta vazhdoni botimin e kësaj shtojce në të ardhmen?
Tahiri: Botimi i shtojcës u bë në një datë simbolike: u punua nga të rinjtë, e dedikuar për të rinjtë, dhe jam shumë e kënaqur me këtë. Përsëri dëshiroj ta theksoj përkrahjen e “Epokës së re” dhe “Zërit”, dhe unë shpresoj se do të përkrahen iniciativa të këtilla edhe në raste të tjera.

“Epoka e re”: Nga ligjëratat që i keni mbajtur, sa janë të informuar nxënësit për mediat në përgjithësi?

Tahiri: Nxënësit e gjeneratës së sotme i marrin burimet e informacionit kryesisht nga interneti, por nga diskutimet e sotme është vërejtur se ata lexojnë edhe gazeta dhe përcjellin lajme, si dhe shfaqin një interesim të konsiderueshëm për çështjet politike, përkundër moshës së tyre të re. Ata ishin në gjendje të diskutojnë lirshëm për pikëpamjet e ndryshme që i transmetojnë mediat e ndryshme, apo për anësinë dhe mungesën e neutralitetit në disa media, kundruall disa të tjerave. Jam e befasuar për të mirë me pjekurinë e tyre dhe përqasjen realiste ndaj mediave.

“Epoka e re”: Nga përvoja e juaj si mësimdhënëse e medieve, cilët janë shkaktarët që të rinjtë nuk kanë shumë njohuri për lirinë e shprehjes?

Tahiri: Arsimimi i të rinjve në kohët e sotme nuk ndikohet vetëm nga familja dhe shkolla, por edhe nga prodhimet mediatike. Sot mediat luajnë një rol shumë të rëndësishëm në integrimin e të rinjve në shoqëri. Prandaj nevojitet edhe përgatitja dhe vetëdijesimi për media i të rinjve si dhe i të gjithë individëve që janë të përfshirë në arsimimin dhe zhvillimin e tyre. Në Amerikë gjatë dhjetëvjetëshit të fundit “Edukimi për media “ është bërë lëndë shumë e popullarizuar, ndërsa ne Unionin Evropian është një standard obligativ për shtetet anëtare. Vetëdijesimi për përqasjen ndaj medias do të duhej t’u ndihmojë nxënësve të jenë pjesë e një shoqërie të arsimuar të informacionit, jo vetëm duke identifikuar dhe duke shfrytëzuar informata, por edhe duke i prodhuar ato përmes rrjeteve sociale.

“Epoka e re”: A do të ishte mirë sikur do të futej si lëndë obligative, “Liria e Shprehjes dhe media”, në shkollat e Kosovës?Dhe a mësohet si lëndë “Liria e Shprehjes dhe media”, në vendet perëndimore?

Tahiri: Nga kontaktet që i kam pasur me Ministrinë e Arsimit, planifikohet që “Edukimi për Media” të jetë element ndërkulikular në planprogramet parauniversitare, ndërkaq unë e trajtoj vazhdimisht këtë temë me studentët e mijë të gazetarisë. Në shoqërinë e sotme një lëndë e këtillë është e nevojshme që individi i vërshuar nga të gjitha anët me informacione, të jetë në gjendje t’i krijojë shkathtësitë elementare për kompetencë autonome kritike dhe të jetë në gjendje të dallojë se cilat janë interesat e mediave dhe cilat janë interesat e publikut.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 26 Tetor 2021

- Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes shqyrton në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr.04/L-089 për deminimin Humanitar. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Lëvizja Studentore për Barazi Studim Kritikë Veprim, mban aksion simbolik. (Para Fakultetit Ekonomik, ora 10:00)

- Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, KulturÑ‘, Rini dhe Sport shqyrton propozim-vendimin e Qeverisë për emërimin e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës dhe formon grupin punues për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Inspektoratin e Arsimit në Republikën e Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 10:00)

- Bëhet lasnimi i projektit “Përfshirja e grave në tryezën negociuese në Kosovë”, mbështetur nga Bashkimi Evropian. (Shtëpia e Evropës, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 301, ora 11:00)

- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti shqyrton vendimin e Qeverisë për aprovimin e rekomandimit të Komisionit Ndërministror për Investime Strategjike për dhënien e statusit Investitor Strategjik për subjektin investues “Kosmonte Foods”, formon grupin e punës për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Trepçën, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00)

- Mbahet simpoziumi shkencor “Muhaxhirët nëpër vite 1877/78 – 2021”. (Instituti Albanologjik, ora 11:00)

- Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku organizon ceremoninë e ndarjes së çmimeve të artit pamor për vitin 2020. (Kabineti i Ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, ora 13:00)

- Fondacioni Jahjaga organizon lansimin e edicionit të tretë të Revistës ZA që prodhohet nga fondacioni me përkrahjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar të Italisë përmes Planit të Tretë Kombëtar të Italisë për Gra, Paqe dhe Siguri. (Libraria Dukagjini në Sheshin “Nënë Tereza”, ora 18:00)