09 Dhjetor 2022

BE dhe Qeveria e avancojnë Kosovën në rrugën e integrimit në BE përmes arsimit

Prishtinë, 24 tetor - Bashkimi Evropian dhe Qeveria e Kosovës lansuan sot raundin e 13-të të Programit të Bursave për Master të BE-së, i cili synon të përmirësojë punën e administratës publike dhe shërbimet që ajo ofron për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë duke ofruar arsim të lartë për nëpunësit e tanishëm dhe të ardhshëm civil.

Programi i njohur si Young Cell Scheme po ndihmon në harmonizimin e funksionimit të administratës publike të Kosovës me standardet e BE-së, duke ndihmuar kështu Kosovën të përparojë në rrugën e saj të integrimit në BE.

“BE-ja fillimisht filloi të mbështesë arsimin e nivelit master të shërbyesve civil në Kosovë në vitin 2004. Që atëherë, 364 nëpunës civil u arsimuan në fushat që i konsideronte më të nevojshme Qeveria dhe u kontribua shumë në punën e administratës publike në Kosovë dhe në cilësin e shërbimeve që ofron”, tha ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.

“Me fillimin e raundit të 13-të të Programit të Bursave për Master të BE-së, i cili do të përfshijë së paku 40 studentë të rinj dhe nëpunës civil, ne po vazhdojmë ta mbështesim Kosovën në përmirësimin e administratës së saj publike dhe në aspektin për ta bërë atë jopolitike dhe më profesionale, transparente dhe të përgjegjshme“.

“Ne inkurajojmë fuqishëm pjesëmarrjen e grave dhe komuniteteve joshumicë në program”.

Investimi i BE-së në 12 të parat dhe tre raundet e reja të Programit të Bursave Master do të arrijë në 15.3 milionë euro. Qeveria e Kosovës ka filluar bashkëfinancimin e programit që nga raundi i 11-të dhe me zotimin për tre raundet e ardhshme do të ketë investime 2.5 milionë euro në arsimimin e nëpunësve civil në universitetet e BE-së. Deri në vitin 2026, të paktën 470 persona nga Kosova duhet të përfitojnë nga programi.

“Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar për avancimin e mëtejmë të procesit të reformave të administratës publike, duke e shfrytëzuar projektin si një nga mundësitë më të mira që siguron dhe promovon transparencën dhe meritokracinë në shërbimin civil. Këtë projekt e konsiderojmë unik, sepse mundëson arritjen e njëkohshme të disa qëllimeve”, tha zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi.

“Është investimi më i qëndrueshëm në kuadër të bashkëpunimit për zhvillim, sepse ndryshe nga shumë projekte të tjera që kanë në fokus asistencën nga ekspertiza e jashtme, mundëson fuqizimin e agjentëve lokalë të ndryshimit brenda vendit dhe për më tepër brenda sistemit qeverisës.”

Programi i Bursave për Master i BE-së i obligon përfituesit e tij që të punojnë në një nga institucionet e Kosovës për të paktën tre vjet pas diplomimit. Tri raundet e ardhshme të programit do të zbatohen nga Universiteti Aristoteles i Selanikut nga Greqia, dhe Instituti Kombëtar i Shërbimit Publik, nga Franca, në bashkëpunim të ngushtë me Qeverinë e Kosovës.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 9 dhjetor 2022 - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani-Sadriu dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, marrin pjesë në dëgjimin publik për Projektligjin për Liritë Fetare. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 9:00)

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit shqyrton Raportit për Projektligjin Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, Projektligjin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 9:30)

- Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim shqyrton Projektligjin për parandalimin dhe kontrollin e integruar të ndotjes, me raport amendamente të Komisionit funksional për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 9:45)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi organizon konferencë për media, ku do të publikohet raporti me titull “Qeverisja me duar të pastërta”, raport ky mbi deputetët, ministrat dhe kryetarët e komunave, të cilët kanë probleme me ligjin. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Gjykata Kushtetuese organizon “Ditën e Gjykatës së Hapur” në shënim e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut. (Gjykata Kushtetuese, ora 10:00)

- Për të shënuar 9 dhjetorin, Ditën Ndërkombëtare kundër Korrupsionit, Koalicioni i Organizatave të Shoqërisë Civile dhe Mediave, do të mbajnë një konferencë me temën “Fuqizimi i Kapaciteteve të Shoqërisë Civile për luftimin e korrupsionit”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu bashkëbisedon me studentët e Kolegjit AAB për temën mbi dhunën në bazë gjinore. (Kolegji AAB, ora 10:30)

- Rreth 60 punëtor teknik dhe ata te sigurimit fizik qe punojnë në Qendrat e Mjekësisë Familjare disa shkolla te Prishtinës  do te protestojnë me kërkesën për rritje të pagave. (Para komunës se Prishtinës, ora 11:00)

- Këshilli Rinor Kosovar organizon Kuvendin Zgjedhor të Këshillit të Nxënësve të Kosovës në nivel vendi. (Amfiteatri i Ministrisë së Drejtësisë, ora 13:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi organizon aktivitet me studentët e Klinikës Ligjore të IKD– së, ku do të bëhet prezantimi i shpalljes së simuluar të një aktgjykimi të një rasti të korrupsionit. (Sheshi Skënderbeu në Prishtinë, ora 13:30)

- Lidhja Demokratike e Kosovës mban konferencë për medie. (Selia qendrore e LDK-së, ora 13:30)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu merr pjesë në një tryezë me gratë në Komunën e Mitrovicës. (Restaurantin "Va Piano", ora 15:00)

- Me rastin e 5 vjetorit të ndarjes nga jeta të artistit, Blerim Peci, Komuna e Mitrovicës, në bashkëpunim me artistë, familjarë e miq të ish të ndjerit organizojnë takimin përkujtimor për të ndarë së bashku kujtime të bukura e të pashlyeshme për të. (Qendra e Kulturës "Rexhep Mitrovica", ora 17:00)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu merr pjesë në shfaqjen e filmit "Zgjoi". (Kino Armata, ora 17:00)