25 Prill 2024

Abetare e njëjtë për Shqipërinë e Kosovën

Prishtinë, 24 tetor - Nxënësit e klasave të para në Shqipëri e Kosovë do ta mësojnë gjuhën shqipe me të njëjtën abetare. Vitin e ardhshëm shkollor, në të dyja shtetet do të qarkullojnë tekste të përbashkëta.

Pak muaj pas nënshkrimit të marrëveshjes mes dy ministrave të arsimit, do të hapet konkursi për tekstin më të mirë. Gjithçka e bëjnë me dije specialistët e MASH-it në Tiranë. Sipas tyre, në nëntor nis konkursi mes shtëpive botuese.

“Autorët e teksteve do të jenë të përbashkët, edhe shtëpitë botuese gjithashtu. Ky do të jetë libri i parë në marrëveshjen që do të pasohet me libra të tjerë. Këtë libër patjetër do ta fusim në muajin shtator të vitit 2012, aq më tepër që kombinon edhe me 100-vjetorin e lindjes së shtetit shqiptar në të dyja vendet”, kanë sqaruar specialistët e Ministrisë së Arsimit.

Sipas tyre, i vetmi kriter në përzgjedhjen e shtëpisë botuese do të jetë që subjekti të jetë shqiptaro-kosovar, shkruan gazeta Panorama.

Pas marrëveshjes së nënshkruar mes dy ministrive të arsimit, është ngritur një grup pune që po punon për unifikimin e programeve mësimore mes dy vendeve.

Sipas marrëveshjes, ky proces nis me abetaren dhe do të vazhdojë më tej me të gjitha tekstet shkollore”.

Unifikimi i teksteve është një proces i natyrshëm që zbatohet me lehtësi, pasi edhe vetë strukturimi edukativ publik në të dyja shtetet ka ngjashmëri. Atëherë një standardizim sipas modelit evropian do të ndihmonte të gjithë ata nxënës dhe prindër të tyre që lëvizin nga Shqipëria në Kosovë, ose anasjelltas”, thonë specialistët.

Në Shqipëri, krahas kësaj abetareje, sipas reformës së altertekstit, do të ketë në qarkullim edhe abetare të autorëve të tjerë, ndërkohë që në Kosovë kjo do të jetë e vetmja abetare për fëmijët e klasave të para.

Çmimi i tekstit të abetares do të vendoset në bazë të rregullores së përcaktuar nga MASH. Përveç abetares, pritet që vitin që vjen të operohet njësoj edhe për 2 tekste të tjera të arsimit fillor.

“Grupi i punës po merret me studimin e teksteve në të dyja vendet. Gjasat janë të shumta që dy tekstet e tjera të unifikuara të jenë gjuha shqipe dhe leximi letrar, por nuk është vendosur ende asgjë”, thonë specialistët.

Projekti për hartimin e një teksti abetareje të përbashkët që të përdoret në të gjitha trevat shqipfolëse, do të vijojë të zgjerohet vit pas viti. Këtë kanë premtuar krerët e arsimit për secilin nga shtetet. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)