09 Shkurt 2023

5 profesorë të kolegjeve private emërohen drejtues të Universiteteve publike

Prishtinë, 3 shkurt - Që nga ardhja e qeverisë së re, persona që punojnë në kolegje private janë emëruar në Këshillet Drejtuese të universiteteve publike në vendin tonë.

5 profesorë të cilët janë të angazhuar në Kolegje Private në Kosovë, janë emëruar nga Ministria e Arsimit që të kryejnë funksionet e tyre në Këshillet Drejtuese të universiteteve publike.

Profesorët:

1.    Majlinda Belegu nga Kolegji AAB është emëruar anëtare e Këshillit Drejtues të Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë.

2.    Sevim Mustafa nga  Kolegji AAB është emëruar anëtare e Këshillit Drejtues të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren.

3.    Agron Hajdari nga IBCM është emëruar kryesues i Këshillit Drejtues të Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan.

4.    Florian Qehaja nga Kolegji Universum është emëruar anëtar i Këshillit Drejtues të Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, dhe

5.     Hazir Gashi nga Riinvest është emëruar anëtar i Këshillit Drejtues të Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj.

Këshilli drejtues i një universiteti publik është organi më i rëndësishëm udhëheqës i atij institucioni. Anëtarët e Këshilleve Drejtuese kanë qasje në secilin informacion konfidencial të mundshëm të universiteteve publike, duke përfshirë planifikimet e mundshme për të konkurruar me të gjitha institucionet tjera të arsimit të lartë, publike apo private.

Vendosja në krye të universitetit, e njerëzve që paguhen nga institucionet konkurrente private të arsimit të lartë, është skandaloze, për më tepër dorëzim i qëllimshëm i interesit publik në duart e interesave private. Kjo është futje e “Kalit të Trojës” në universitetet publike në vend.

Mbi logjikën e tregut të lirë dhe konkurrencës, kolegjet private nuk janë aleat i universiteteve publike në vend, por kundërshtar të tyre. Ky veprim përbën konflikt të hapur të interesit, përmes të cilit punëtorë të kolegjeve private do ta drejtojnë universitetin publik i cili shihet si rivali kryesor i kolegjeve private në biznesin e tyre.

Kujtojmë se Kolegjet Private në vazhdimësi e rrezikojnë cilësinë e arsimit në vend, përmes skandaleve dhe aferave korruptive milionëshe tashmë të dëshmuara përmes hulumtimeve të shumta, siç kanë qenë skandalet me regjistrime të jashtëligjshme të studentëve apo mashtrimin e studentëve mbi vlefshmërinë e studimeve të tyre.

Komiteti i Kongresit të Aktivizmit Studentor, do të vazhdojë me aksione dhe mjete tjera demokratike ta sinjalizojë shoqërinë për vendime të tilla denigruese dhe në dëm të interesit publik.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 9 shkurt 2023

- Kuvendi i Republikës së Kosovës mban seancë plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)

- Këshilli Gjyqësor i Kosovës mban mbledhjen e radhës. (Objekti i KGJK-së, ora 10:00)

- Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, viziton Komunën e Podujevës, ku do të pritet nga kryetari Shpejtim Bulliqi. (Podujevë, ora 10:00)

- Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, do të përurojnë Qendrën e Mjekësisë Familjare në Gllamnik. (Fshati Gllamnik, Podujevë, ora 11:00)  

- Komuna e Prizrenit nënshkruan Agjendën e Kontratës Sociale për Prizrenin, që është zotim i përbashkët i Komunës dhe qytetarëve për përmirësimin e komunikimit, bashkëpunimit dhe veprimeve kolektive. (Këndi Amerikan në Prizren, ora 11:00)

- Federata e Boksit organizon ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Laureatët e viti 2022”. (Hotel Sirius, ora 17:00)