29 Mars 2024

Shqipëria me turizëm në katër stinët

Tiranë, 16 korrik - Verilindja e Shqipërisë është një ndër zonat që mund të presë turistë vendas dhe të huaj gjatë gjithë vitit.

Lugina e Valbonës, bjeshkët e Krumës apo majat e Shishtavecit janë vise me shumë atraksione natyrore në të katër stinët e vitit, saqë mangësitë e infrastruktures për t’i kapur ato, apo mungesa e strukturave masive akomoduese nuk ndihen shumë nga turistët që vizitojnë këtë zonë.

Por, më së shumti turistët ndalen në pikat turistike të verilindjes në stinën e verës apo dimrit gjë që ka nxitur autoritetet vendore dhe qëndrore që të hartojnë një strategji me objekt zhvillimin e turizmit gjithëvjetor që do të ndikonte dhe në zhvillimin e zonës në tërësi.

“Puna në këtë drejtim ka nisur, veçse duhet zgjeruar në vazhdimësi”, tha për ATSH-në drejtori i zyrës së programim- zhvillimit në këshillin e qarkut të Kukësit, Shahin Hereni, ndërsa shton se “në fillim të këtij viti këshilli i qarkut ka miratuar strategjinë afatgjatë për zhvillimin e turizmit malor.

Strategjia sapo ka nisur të vihet në zbatim, ndërsa besohet se ajo të kthehet në një urë lidhëse mes banorëve vendas dhe turistëve të huaj dhe vendas që kanë nisur të bëhen gjithnjë e më tepër prezentë në këto anë.

Të paktën këtë e tregon përvoja e Valbonës, që tashmë është kthyer në mikpritëse e fluksit të madh turistësh të huaj në çdo ditë të vitit.

Projektet që synojnë turizimin gjithëvjetor në verilindje

Një numër projektesh kanë nisur të vihen në zbatim në këtë pjesë të vendit që dallon për majat e thepisura, natyrën e virgjër, një alternativë e mirë për piknik, ekskursione apo aktivitete të ndryshme të vizitorëve që kanë shpirtin e aventurës, pa lënë mënjanë dhe atraksionet e tjera të tipit kulturor, historik, arkeologjik.

Drejtori i zyrës së programim zhvillimit në këshillin e qarkut tregon se ka nisur puna për ndërtimin e qendrës rajonale të informacionit turistik të zonës me një fond prej 96 mijë eurosh që do të ndërtohet pranë autostradës dhe liqenit të Fierzës.

Për të nxitur zhvillimin e turizmit malor po ndërhyhet në përmirësimin e infrastructures turisitke që po përmirësohet nga viti në vit. Këtij qëllimi I shërben ndërtimi i muzeut në qytetin e Kukësit, rikonstruksioni i muzeut historik të Bajram Currit, ndërtimi i një dyqani artizanati në Krumë dhe ndërtimi i një qendre infrastrukturore turistike me një fond prej 43 mijë euro.

Aeroporti i Kukësit që pritet të vihet në punë shihet si një mundësi për rritjen e numrit të turistëve në këtë zonë, krahas infrastrukturës tokësore.

Drejtori i zyrës së programim zhvillimit në këshillin e qarkut veçon dhe ndërtimin e 160 kilometrave shtigje malore në zonën turistike të Valbonës, ngritjen e kampingjeve turistike në Valbonë, në bjeshkët e Krumës dhe në Shishtavec të rrethit të Kukësit me një fond prej afro 20 mijë euro secili. “Projekti përfundon me vendosjen e sinjalistikës turistike në të gjithë qarkun, gjë për të cilën po shpenzohen afro 70 mijë euro”, thotë Hereni.

I gjithë projekti që synon zhvillimin e turizmit malor është një pjesë e bashkëpunimit me PNUD-in, donatori që ka akorduar 300 mijë euro për këtë qëllim.

Lugina e Valbonës, model për turizmin gjithë vjetor

Numri i turistëve që viziton luginën e Valbonës tregon se turizmi malor në këtë zonë ka një shtrirje gjithvjetore. “Pak vite më parë tursitët vinin këtu vetmë në periudhën e dimrit. Ndërsa tani gjithcka ka ndryshuar. Vizitorët e huaj i kemi të pranishëm cdo ditë të vitit, dhe jo pak, por cdo ditë mbi 100-150 vizitorë të huaj”, tregon kryetari i komunës së Margegajt, Rexh Biberaj.

Për plotësimin e kërkesave të turistëve, banorët vendas kanë nisur të ndërtojnë bujtina të reja, thuajse të njëjta me ndërtesat e vjetra që janë shtrirë përgjatë gjithë Valbonës. “Turistët duan të shohin zakonet tona të vjetra e jo ndërtesa si të thuash bashkëkohore. Ato nuk i tërheqin”,- thotë Biberaj.

Deri tani Valbona i ngjante një oazi të veçuar turistik. Dalëngadalë ajo nuk do të jetë e vetmja. Zhvillimin po e përjeton gjithnjë e më tepër edhe Shishtaveci.

“Rikonstruksioni tërësor i rrugës automobilistike që e lidh me qytetin e Kukësit është vetëm fillimi i punës për tërheqjen e sa më të shumë turistëve. Për këtë po ndërtohen dhe hotele me qëllimin e vetëm zhvillimin e turizmit malor gjithvjetor”,- tha kryetari i komunës së Shishtavecit Dylejman Nela.

Këtij qëllimi i shërbejnë dhe guidat turistike që po ngjallin gjithnjë e më tepër interësin e vizitorëve të huaj për të njohur këtë rajon të vendit tonë, deri tani thuajse krejtësisht të harruar.

Gjithsesi zhvillimi i turizmit malor është vetëm në hapat e parë. Ndonëse shishtaveci mund të shfrytëzojë pistat natyrale për zhvillimin e sportit të skive që po tërheq jo pak vizitorë gjatë dimrit, të cilët në kushtet e mungesës së një hoteli, strehohen në shtëpitë e banorëve.

“Vetëm tani ka nisur puna për ngritjen e një hoteli nga një biznesmen vendas”, thotë Nela, ndërsa shton se investimet duhet të shtrihen dhe në zona të tjera tjera turistike si Kroi i Kuq, Stanet e Novosejit etj që kanë mundësitë të tërheqin turistët përgjatë gjithë vitit.

Mjafton të përmendim një prej vendeve më piktoreske dhe të njohur edhe nga të huajt sic është zona e Gurit të Mëngjesit, afër në vijën e kufirit me Kosovën. E ndodhur pranë fshatit Shishtavec, pllaja e Gurit të Mëngjesit me pistat e saj natyrale, po tërheq cdo vit qindra të pasionuar pas skive. Këtu organizohen edhe kampionate lokale, apo gara mes të ftuarve e banorëve vendas.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)