21 Tetor 2020

Shqipëria iu shpreh mirënjohje pakufi turistëve nga Kosova

Prishtinë, 5 tetor - Ministri i Tregtisë dhe Industrisë i Republikës së Kosovës, Vesel Krasniqi mori pjesë në ceremoninë e organizuar nga ministri i Turizmit dhe Mjedisit i Shqipërisë, Blendi Klosi dhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, e cila u mbajt në shenjë falënderimi për bashkëpunimin e ndërsjellë ndërmjet dy vendeve në fushën e turizmit.

Ministri Krasniqi theksoi se bashkëpunimi me Tiranën ka ndodhur qysh pas luftës, sidomos në zhvillimin e turizmit.

“Ne, të dy qeveritë, tash e 6 vite duke filluar intensivisht me marrëveshje të ndryshme për t`i larguar barrierat që i kemi pasur të dyja vendet andej dhe këndej bjeshkës."

"Për ta forcuar edhe më tutje këtë bashkëpunim dhe për t`i larguar këto barriera, tani së fundi, kemi vlerësuar nga të dyja anët se është sektori i turizmit.” , potencoi ministri Krasniqi.

Ai tha se duke parë interesin e dyanshëm, fillimisht është hapur sezoni veror turistik në Shqipëri me moton “Pusho shqip”.

“Jo vetëm që kemi pushuar shqip, jemi ushqyer shqip, sepse kështu na bashkon kultura dhe historia”, u shpreh Krasniqi duke ftuar qytetarët nga Shqipëria për të pushuar në bjeshkët e Kosovës.

Ndërkaq, nikoqiri i ceremonisë, “Pusho shqip”, ministri i Turizmit dhe Mjedisit i Shqipërisë, Blendi Klosi, vlerësoi lart kontributin e qytetarëve të Kosovës për zhvillimin e turizmit në Shqipëri, me theks të veçantë kohën e pandemisë.

“E kemi shtëpinë e përbashkët për miliona turistë që vizitojnë anët tona të kufirit. Atëherë kur kishim nevojë për turizëm ishte Kosova. E filluam me Durrësin në veri e në jug. Edhe ky vit është shumë i vështirë, flukset e vizitorëve ishin të pranishëm gjatë gjithë verës. Duhet t’u them faleminderit dhe mirënjohjen e pakufi”, theksoi ministri Klosi.

I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe zëvendëskryeministri Besnik Tahiri, i cili tha se Kosova dhe Shqipëria kanë një bashkëpunim të rrallë në fushën e turizmit.

Të pranishëm në ceremoni ishin edhe kryetar bashkish nga Shqipëria, si dhe disa kryetar të komunave të Kosovës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 21 Tetor 2020

 - Vazhdimi i seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Salla e Kuvendit, ora 9:00)

- Kryeministri Avdullah Hoti mban konferencë për media. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 9:30)

- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi viziton Komunën e Skenderajt ku do te takohet me Kryetarin Bekim Jashari. (Ndërtesa e komunës së Skenderajt, ora 10:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka do të merr pjesë në fillimin e punimeve për ndërtimin e infrastrukturës rrugore në rrugën “Fahredin Hoti”, e cila gjendet në lagjen “11 Marsi”. (Në afërsi të çerdhes publike në lagjen “11 Marsi” në Prizren, ora 10:00)

- Mbahet seanca plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës në të cilën do të mbahen tri interpelanca të kryeministrit Avdulla Hot. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)

- Në ditën e dytë të Javës për të Drejtat e Viktimave të Krimit mbahet diskutimi me temë “Qasja e përgjithshme ndaj viktimave në kohën e pandemisë”. (Platforma zoom, ora 10:00)

- Komisioni për Buxhet dhe Transfere shqyrton Raportin vjetor financiar i Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2019, shqyrtimi i Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike - Covid-19, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 10:00)

  - Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi ndan certifikatave për ndërmarrësi në Skenderaj. (Skenderaj, ora 10:30)

- Kryetari i degës së PDK-së në Prizren Shaqir Totaj, mban konferencën e radhës. (Zyret e PDK-së në Prizren, ora 11:00)

- Këshilli Turk në Kosovë do të bëj përurimin e projektit të Klasës së Fizioterapisë në shkollën së mesme të mjeksisë "Hysni Zajmi". (Gjakovë, ora 12:00)

- Kampioni i botës në boks, Robin Haxhi Krasniqi viziton Komunen e Prishtines. (Objekti i Komunës, ora 12:00)

- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi viziton Komunën e Drenasit ku do të takohet me kryetarin Ramiz Lladrovci. (Ndërtesa e Komunës së Drenasit, ora 13:00)

- Me rastin e 25 vjetorit të rrëmbimit dhe vrasjes së Remzi Hoxhes mbahet konferencë për media. (Sëiss Diamond Prishtina, ora 13:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka do të merr pjesë në ceremoninë e fillimit të punimeve për ndërtimin e Fushës së Mbyllur të Tenisit, në oborrin e Qendrës Sportive "Sezai Surroi". (Oborri i Qendrës Sportive "Sezai Surroi" në Prizren, ora 14:00)

- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vazhdon mbledhjen e ditës së djeshme. (Ndërtesa e KQZ-së, në sallën që gjendet në katin e 4-t, ora 14:00)