18 Tetor 2019

Shqipëria e Kosova diskutojnë krijimin e një zone të përbashkët turistike

Tiranë, 28 mars - Ministri i Mjedisit, Lefter Koka zhvilloi një takim bilateral me homologun e tij, Ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Republikës së Kosovës, Ferat Shala.

Gjatë takimit palët vlerësuan marrëdhëniet institucionale si mjaft të mira duke përfshirë edhe bashkëpunimin në shkëmbimin e eksperiencave midis dy vendeve tona, vecanërisht në fushën e pyjeve si dhe bashkëpunimin midis dy Agjencive Kombëtare të Mjedisit.

Ministri Koka theksoi se mjedisi është një prioritet që nuk pret dhe se dëmet e të shkuarës duhen rekuperuar me plane konkrete me qëllim rritjen e cilësisë së jetës dhe shëndetit të qytetarëve, konform edhe memorandumit të mirëkuptimit të nënshkruar midis dy palëve në qershor 2016.

Duke sjellë në vëmendje të homologut të tij situatën që krijohet vazhdimisht nga mbetjet që sjell lumi Drin në liqenin e Fierzës, ministri Koka kërkoi fillimin e një projekti të përbashkët për shmangien e ndotjes, të ngjashëm me investimin e realizuar në grykëderdhjen e lumit Shkumbin dhe atë që do të nisë së shpejti në grykëderdhjen e Ishmit.

“Ky hap do të tregonte vullnetin tonë të përbashkët për të zgjidhur cdo problematikë mjedisore. Takimet dhe marrëveshjet mes dy vendeve nuk duhet të mbeten vetëm në letër duke u shndërruar  kështu në retorikë, por duhen konkretizuar për të kthyer dhe besimin e qytetarëve ndaj nesh”- nënvizoi ministri Koka duke kërkuar theksuar si të rëndësishëm edhe angazhimin nga pushteti vendor dhe komuniteti i zonës  në të dyja vendet.

Në vijim të takimit palët diskutuan mbi krijimin e një brezi të gjelbërt mjedisor Shqipëri-Kosovë me qëllim  zbutjen e barrierave kufitare dhe krijimin e një zone të përbashkët  si një atraksion turistik që do të konsiderohej një park rekreacioni me shtigje dhe fusha sporti, me një planifikim urban dhe mjedisor të këtij mjedisi të përbashkët. 

Ky projekt do të zbuste kështu pamjen e trishtë në kufirin Shqipëri-Kosovë dhe do të risillte në vëmendje të qytetarëve pasuritë natyrore dhe traditat por edhe zhvillimin e një turizmi miqësor ndaj natyrës.

Të dy ministrat shprehën vullnetin dhe angazhimin e tyre që për këto 2 projekte konkrete të fillojë puna midis ekipeve të ministrive brenda muajit Prill 2017, duke shfrytëzuar maksimalisht kapacitetet njerëzore dhe eksperiencën e duhur për të shmangur burokracitë.

Palët diskutuan më tej edhe për bashkëpunimin  konkret mbi zhvillimin e qëndrueshëm në Harkun Dinarik si dhe rikonfirmuan angazhimin e tyre për menaxhimin e  ekosistemit “Sharr/Šar Planina – Korab –Koritnik” që ka mundësinë për t’u shndërruar në zonën e mbrojtur më të madhe në të gjithë rajonin e Europës Juglindore, si dhe një nga më të mëdhatë në Europë.

Ministri Shala përsëriti interesimin e vendit të tij që zona e Alpeve të trajtohet si një zonë ndërkufitare e mbrojtur ndërsa nga ana e tij, Ministri Koka e siguroi homologun  se së shpejti propozimi i Ministrisë së Mjedisit për shpalljen e Parkut Kombëtar të Alpeve do të kalojë për miratim në Këshilin e Ministrave, duke i hapur rrugën kështu një bashkëpunimi të ri në nivel rajonal për zbatimin e një projekti madhor të shumëpritur nga palët.

Në fund të takimit bilateral palët rishprehën vullnetin e tyre për bashkëpunim të pandërprerë në konkretizimin e të gjitha projekteve të përbashkëta.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 18 tetor 2019

- Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj pret në takim një delegacion të nivelit të lartë nga MCC, kryesuar nga znj. Caroline T. Nguyen, Drejtoreshë Menaxhuese e MCC për Evropë, Azi, Pacifik dhe Amerikë Latine, me këtë rast, do të nënshkruaj amandamentimin e Marrëveshjes CDF. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 10:00)

- Me rastin e shënimit të Ditës së Bashkimit Evropian Kundër Trafikimit me Njerëz dhe njëkohësisht hapjes së fushatës Kundër Trafikimit me Njerëz, Ministria e Punëve të Brendshme organizon konferencë për media. (Ndërtesa e Qeverisë, salla P38, ora 10:00)

- Komuna e Rahovecit mban mbledhjen e dhjetë te rregullt e Komiteti për Politik dhe Financa. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit Komunal të Rahovecit, ora 10:00)

- Agjencia për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsim për të Rritur organiozn aktivitetin e shënimit të themelimit të qendrës për karrierë në SHMLT ,,11 Marsi” në Prizren. (Objekti i SHMLT ,,11 Marsi” në Prizren, ora 10:30)

- Komisioni i Pavarur i Mediave do të mbajë konferencë për media në lidhje me prezantimin e  “Raportit të monitorimit të  Ofrueseve të Shërbimeve Mediale Audio-vizuele  gjatë fushatës për zgjedhjet e parakohshme 2019”.  (Zyra e KPM-së, qyteza Pejton, ora 12:00)

- Galeria Qahili organizon hapjen e ekspozitës "20" të Mentor Avdilit. (Galeria Qahili, ora 20:20)