01 Dhjetor 2020

Shqipëria dhe Kosova duhet të bëjnë më tepër në promovimin e turizmit

Prishtinë, 26 tetor - Krijimi i linjave të komunikimit dhe bashkëpunimi reciprok, përkrahja për bizneset që kanë interes bashkëpunimi në fushën e turizmit, përkrahja dhe promovimi i turizmit malor në Kosovë, organizimi i aktiviteteve të përbashkëta me qëllim të nxitjes së turizmit ishin qëllimi i takimit të përfaqësuesve të Odës së Afarizmit të Kosovës me Ministrin e Turizmit dhe Mjedisit z. Blendi Klosi dhe Këshilltarin Idriz Konjari.

Gjatë këtij takimi u diskutuan potencialet bashkëpunuese në fushën e turizmit dhe ndërlidhja e bizneseve duke kombinuar turizmin detar dhe atë malor.

Përfaqësuesit e OAK-së theksuan rëndësinë e organizimit të më shumë aktiviteteve të përbashkëta me qëllim që të promovohet turizmi malor drejt Kosovës edhe më shumë dhe të njihet për turistët potencial.

Me këtë rast të dyja palët u dakorduan që të organizojnë aktivitete të përbashkëta me qëllim të promovimit të zonave me potencial për vizitorët, duke kombinuar sezonën e verës në Shqipëri, e atë të dimrit në Kosovë.

Ministri Klosi falënderoi për takimin dhe theksoi që sidomos periudha e pandemisë ka bërë që të lidhemi më shumë me njëri tjetrin, duke potencuar që kur kishin nevojë për turizmin, Kosova ishte aty.

Ministri gjithashtu tha që Shqipëria dhe Kosova si institucione bashkëpunojnë shumë mirë, andaj duhet të bëjnë edhe më tepër edhe në promovimin e turizmit drejt Kosovës.

Ministri Klosi u shpreh i gatshëm për bashkëpunim dhe theksoi që është momenti që të nxisim më tepër këtë çështje duke përfshirë mbajtjen e aktiviteteve të përbashkëta, promovimet, panairet, hapjen e pikave të përbashkëta, e prezentimin e zonave atraktive.

Gjithashtu Minsitri Klosi shpalosi se janë në bisedime e sipër me Minsitrinë e Arsimit në Shqipëri në mënyrë që në agjendat e shkollës të futet si obligative vizita në Kosovë nga nxënësit.

Në këtë takim OAK u përfaqësua nga: Skënder Krasniqi - kryetar i bordit, Diamant Elshani - sekretar i bordit, Lulzim Begaj - anëtar i bordit dhe Qëndresa Ibrahimi - koordinatore. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 1 Dhjetor 2020

- Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë në të cilën do të behët plotësimi i listës së dëshmitarëve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 9:00)

- Drejtorit të AKI-së raporton para Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë lidhur me gjendjen e sigurisë në vend. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 9:30)

- Campus France, Ambasada Frnceze në Kosovë, Aleanca Franceze e Prishtinës dhe Universiteti i Prishtinës organizojnë Panairin e tretë Universitar Francez në Kosovë. (online -https://tourneebalkanskosovo.com, ora 10:00)

- Mbahet edicioni i 5-të virtual i Green Business Expo. (Businessexpo.greenkosovo.com, ora 10:30)

- Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj raporton para Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me raportin e auditimit për Pasqyrat Vjetore Financiare të vitit 2019, për Ministrinë e Shëndetësisë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 11:00)

- Komisioni për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike diskuton lidhur me rekomandimet e dala nga “Raporti për vendin për vitin 2020, i Komisionit Evropian” me të ftuar ministrat dhe përfaqësuesit e agjencive të pavarura. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N506, ora 11:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës interviston drejtorin e Departamentit të mjedisit dhe ujërave Muhamet Malësiu dhe drejtorin e Autoritetit të Rajonit të Pellgjeve Lumore, nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, Gani Berisha lidhur me lejet e lëshuara për operimin e dy hidrocentraleve nga kompania “Kelkos Energy”. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N225, ora 11:00)

- Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëkohësisht, kryetari i Degës së PDK-së në Prizren, Shaqir Totaj, i shoqëruar nga deputetja Eliza Hoxha, mbajnë konferencë për media në të cilën do të flasin për shtatoren e re të Skënderbeut, punën e dobët artistike dhe lokacionin jo adekuat. (Zyret e PDK-së në Prizren, ora 11:00)  

- Komisioni Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës interviston kryetarin e Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N225, ora 13:00)

- Partia Demokratike e Kosovës, Dega në Prishtinë, do të mbajë konferencë për medie. (Te stacioni i autobusëve urbanë “Katedralja”, ora 13:00)

- Zyrtarët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë raportojn para Komisionit për Bujqësi, Pylltari, zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Mjedis rreth importimit të vajit të palmës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 13:00)

- Instituti Demokratik i Kosovës organizon diskutimin online "Kuvendi përballë dialogut Kosovë-Serbi”, me deputetët e Kuvendit të Kosovës. (Paltforma Zoom dhe Live në faqen e KDI-së në Facebook, ora 13:00)

- Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) mban diskutimin “Rimëkëmbja nga viti 2020: Si të rindërtojmë ekonominë dhe politikat sociale në vitin 2021?”. (Hotel Sirius, ora 17:00)

- Kryeministri Avdullah Hoti mban konferencë për media lidhur me menaxhimin e situatës me pandeminë Covid-19. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 17:00)