29 Mars 2024

Qendrat turistike të mbyllura për turistët

Prizren, 15 janar - Komuna e Prizrenit në dokumentet e saja strategjike ka përcaktuar turizmin si njërën prej degëve më të rëndësishme ekonomike. Por veprimet për ta vënë turizmin në funksion të zhvillimit ekonomik deri më tani kanë qenë të mangëta. Dëshmia e fundit për këtë është dështimi disa mujor për aktivizimin e Info Qendrave Turistike.

Me propozimin e Drejtorisë së Turizmit, kryetari i Komunës së Prizrenit më 14 korrik 2015 ka marrë konkluzion me të cilin ka lejuar shpalljen e tenderit për hartimin e projektit ‘Dizajnimi i Info Qendrës te Ura e Arastës’. Një Info Qendër e tillë as sot e kësaj dite nuk është vendosur në këtë lokalitet.

Por, një Info Qendër e tillë është vendosur në lagjen Bazhdarhane, ku objekti i ndërtuar prej druri prej muajsh ka mbetur i mbyllur. Kontrata publike që Komuna e Prizrenit ka nënshkruar me një operator ekonomik për hartimin e projektit dhe ndërtimin e qendrës informative turistike kap çmimin prej 9 mijë e 996 euro.

Ndërsa po me propozimin e Drejtorisë së Turizmit, kryetari i Komunës së Prizrenit më 28 korrik 2015 ka marrë vendim për lejimin e dhënies në shfrytëzim të Info Qendrave turistike dhe shtandeve. Por edhe pse po bëhen gati gjashtë muaj nga marrja e këtij vendimi, Komuna e Prizrenit ende nuk i kanë dhënë ato në shfrytëzim.

Rrjedhimisht edhe Info Qendra turistike te rruga e Farkëtarëve, e realizuar nga OJQ EC Ma Ndryshe, në kuadër të një projekti të zbatuar nga UNDP me përkrahjen e MPJ-së së Finlandës, ka mbetur e mbyllur për më shumë se gjashtë muaj.

Përtej kësaj edhe materialet promovuese kanë mbetur të mbyllura, që dëshmon edhe joseriozitetin e ekzekutivit lokal në raport me donatorin që e ka mbështetur Komunën, në përpjekjet për promovimin dhe zhvillimin e turizmit.

Kësisoj Info Qendra e vetme funksionale mbetet ajo në zyret e drejtorisë, te objekti i Beledijes, ku ka shumë pak materiale promovuese dhe i cili gjatë ditëve të fundjavës është i mbyllur.

Lidhur me analizën dhe hulumtimet për vendosjen e Info Qendrave turistike në një përgjigje të mëhershme drejtori i Turizmit ka theksuar se këtë projekt e ka të trashëguar. Njëkohësisht pranonte se kjo drejtori nuk posedon ndonjë plan të menaxhimit për to.

EC Ma Ndryshe përkujton se në Planin për Konservimin dhe Zhvillimin e Prizrenit thuhet se aktivitetet turistike paraqesin potencial për një zhvillim të qëndrueshëm sidomos në qendrën historike të Prizrenit.

Më me rëndësi, Plani Zhvillimor Komunal 2025 përmban katër fusha kryesore të ndikimit, ku në mesin e tyre hynë edhe Struktura Vitale Ekonomike, që si pikë të veçantë parasheh zhvillimin e turizmit.

Për këto arsye, EC Ma Ndryshe konsideron se zvarritja e hapjes së Info Qendrave turistike nuk përputhet me synimet për zhvillimin e turizmit dhe shtimin e numrit të turistëve në Komunën e Prizrenit, si njëra prej objektivave të zhvillimit ekonomik.

Prandaj, Komuna e Prizrenit, duhet të ndalojë praktikën e investimeve në Info Qendrat turistike, duke i trajtuar ato si projekte të ndërtimit. Por duhet të përqendrohet më përpara në krijim të përmbajtjes, sesa në ndërtimin të kioskave ose shtandeve.

EC Ma Ndryshe rekomandon Komunën e Prizrenit që të dinamizojë veprimet në drejtim të aktivizimit dhe funksionalizimit të plotë të Info Qendrave Turistike aktuale në afatin sa më të shkurtër kohor.

Gjithashtu rekomandohet që para jetësimit të projekteve të tilla të kryej konsultime si dhe të shpalos analizat mbi arsyeshmërinë e shpenzimit të parasë publike për këto destinime.

Në të njëjtën kohë kërkojmë që qeveria lokale të veprojë konform orientimeve zhvillimore të përcaktuara në dokumentet strategjike të miratuara nga Kuvendi i Komunës.  
 
Projektin “Indeksi i Reformës së Transparencës Komunale” EC Ma Ndryshe ka nisur që ta zbatoj nga maji i vitit 2015, falë përkrahjes së Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, i cili ka shtrirje në komunat e mëdha të Kosovës, Prishtinë, Prizren, Pejë, Mitrovicë, Gjilan, Ferizaj dhe Gjakovë, sikurse edhe në Suharekë, Rahovec, Malishevë, Dragash, Mamushë dhe Shtërpcë.

Projekti në fjalë ka për qëllim që ti asistoj komunat në identifikimin e mangësive kryesore sa i përket transparencës sikurse edhe të ofroj udhëzime për adresimin dhe tejkalimin e tyre.

Indeksi i Transparencës paraqet edhe një përpjekje të strukturuar për të mbështetur komunat e Kosovës në përmbushjen e standardeve të qeverisjes së mirë, të përcaktuara me reformën e qeverisjes lokale dhe agjendën evropiane të Kosovës.

Projekti “Indeksi i Reformës së Transparencës Komunale” përkrahet financiarisht nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)