21 Gusht 2019

Protestohet në mbrojtje të natyrës në fshatin Kusar të Gjakovës

Gjakovë, 11 qershor - Qytetarët e Komunës së Gjakovës organizojnë serish sot protestë paqësore në fshatin Kusar të Komunës së Gjakovës.

Kjo është java e 4 e protestave që organizohen për të kërkuar ndalimin e gurthyesit në Kusar në zonën kadastrale Pjetërshan të Gjakovës, rrëzë Bjeshkëve të Pashtrikut, e cila është zonë me prioritet për mbrojtje  të natyrës me Planin Zhvillimor të Komunës së Gjakovës.

Duke parë përshkallëzimin e vazhdueshëm  të degradimit të pasurisë natyrore, pejsazhit dhe mjedisit në fshatin Kusar, Zona Kadastrale Pjetërshan, Gjakovë, pasuri natyrore e cila po rrezikohet të shkatërrohet organizatorët bëjnë thirrje të bashkoheni në Protestë.

Zona ku po tentohet të bëhet gurthyesi, në Planin Zhvillimor Komunal është  “Zonë malore-Hapësirë me prioritet për mbrojtjen e natyrës, ripyllëzim dhe rekreacion”, ku  po ashtu  gjenden edhe varrezat e vjetra të quajtura “ Varrezat  e Krushqive”, në mes të Kompleksit të Shpellave të  Kusarit që janë Monumente të Mbrojtura të Natyrës dhe zonës së propozuar si park nacional të Malit të Pashtrikut. Përkundër këtyre fakteve në atë hapësire Kompania është pajisur me pëlqim mjedisor dhe me leje për eksploatim të gurit gelqeror. 

Komuniteti është injoruar gjatë procesit të dhënies se Pëlqimit Mjedisor dhe po injorohet tani.
Përkundër protestave, ankesave dhe shkresave të drejtuara në Komunën e Gjakovës dhe në Ministri të  Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ende nuk është ndërmarrë asgjë konkrete për të ndaluar punën.

Pasi që institucionet, përkatësisht Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Komuna e Gjakovës nuk po reagojnë në mbrojtje të natyrës duke mos e revokuar pëlqimin mjedisor dhe lejen për ndërtimin e gurëthyesit në Bjeshkët e Pashtrikut, qytetarët e kësaj treve ju bëjnë thirrje medieve që ta përcjellin nga afër këtë protestë duke qenë zëri qytetarëve në mbrojtje të natyrës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 21 gusht 2019 - Vazhdon greva e punëtoreve të Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “ Adem Jashari”. (Aeroporti i Prishtinës, ora 8:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka dhe drejtori i Drejtorisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale Fejzë Kabashi do të vizitojnë disa shtëpi të cilat po ndërtohen në kuadër të projektit “Ndërtimi i shtëpive për familjet skamnore”. (Lagjja “Bajram Curri” e më pas do të vizitohen edhe disa shtëpi në fshatin Zhur. (Nisja do të bëhet nga Shtëpia e Bardhë, ora 9:45)

- Në kuadër të Etnofestit mbahet punëtoria kreative dhe instalacione me atelje te pikëtorëve dhe skulptorëve. (Ambientet e Etnofestit në fshatin Kukaj, ora 10:00)

- Ministri në detyrë i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Muzafer Shala dhe kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli, do të nënshkruajnë memorandum të bashkëpunimit për rregullimin e objektit Mulitifunksional Inovativ në Shtime. (Objekti i Ministrisë së Punëve të Jashtme kati i 3-të, ora 10:00)

- Mbahet mbledhjen e rregullt të Komitetit për Politikë dhe Financa e Komunës së Mitrovicës. (Salla e mediave të Komunës së Mitrovicës, ora 10:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala miraton draft raportin e punës së Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 11:00)

- Kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, pret në vizitë  Ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Shyqiri Bytyqi. (Zyra e Kryetarit të Komunës së Deçanit, ora 11:00)

- Fillojnë punimet në rrugën Budisalc-Zllakuqan i Klinës. (Pranë përmendores së Kolë Mirditës në Zllakuqan, ora 11:00)

- Komuna e Vushtrrisë mban mbledhje komemorative për veteranin e arsimit dhe UÇK-së, si dhe ish drejtorin e arsimit në Komunën e Vushtrrisë, Behxhet Jashari. (Salla e Kuvendit të Komunës së Vushtrrisë, ora 11:30)

-  Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe Nënkryetari Muhedin Nushi do të mbajnë konferencë për media. (Objekti i vjetër të Komunës, ora 11:30)

- Kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj dhe Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Shyqiri Bytyqi vëjn gurethemelin e shkollës fillore “Heronjtë e Dukagjinit” në Gllogjan. (Gllogjan, ora 11:30)

- Kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj dhe Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Shyqiri Bytyqi inspektojn punimet në objektin përcjellës të Shkollës Fillore “Isa Boletini” në Isniq. (Isniq, ora 12:00)

- Agjencia Kosovare e Privatizimit mban ceremoninë e hapjes së ofertave të shitjeve përmes Likuidimit nr.49. në të cilën janë 132 asete. (Hoteli Grand, ora 12:30)

- Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj pret në takim një delegacion prej 60 studentësh të programit Akademia Verore, nga shtete të ndryshme të botës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 12:30)

- Në kuadër të Etnofestit mbahet zona e debatit për shtëpin tradicionale dhe familjen e madhe shqiptare. (Shtëpia e vjetër në Fshatin Kukaj, ora 17:00)

- Komuna e Prizrenit në kuadër të hartimit të buxhetit për vitin 2020 do të organizojë dëgjime publike me me banorët e e rajonit të Zhupës dhe Podgorës me qëllim të angazhimit të tyre në procesin e hartimit të buxhetit, transparencës, gjithëpërfshirjes dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve. (Shtëpia e Kulturës në Reçanë, ora 19:00)