23 Prill 2024

Monumentet natyrore të Bjeshkëve të Nemuna, pasuri që duhet çmuar

Prishtinë, 16 dhjetor - Zëvendësministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala, ka vizituar Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, përfshirë disa nga monumentet natyrore të këtyre bjeshkëve, siç janë burimi i Drinit të Bardhë dhe Shpella e Madhe.   

Fillimisht, zv.ministri Shala me ekipin e tij ka vizituar Drejtorinë për Administrimin e  Parkut Nacional “Bjeshkët e Nemuna” në Pejë, ku nga drejtori Fatmir Morina, është njoftuar për problemet dhe sfidat që ka ky dikaster.

“Kemi ardhur sot me dëshirën më të mirë që t’iu përgëzojmë për punën që po e bëni, për angazhimin maksimal që keni si punëtorë në të gjitha nivelet në Drejtorinë e Parqeve... Jemi shumë të vetëdijshëm për sfidat, problematikat, rrethanat specifike që ka ky dikaster yni. Jemi këtu që të japim mbështetjen maksimale për juve”, u shpreh Shala.

“Bjeshkët e Nemuna” ishin shpallur Park Kombëtar në vitin 2012 dhe përfshijnë një sipërfaqe prej 62488 hektarësh, në territorin e komunave Gjakovë, Junik, Deçan, Pejë dhe Istog.

Ndërkohë, gjatë këtij viti janë mbajtur debate publike për plotësimin e dokumentit të Planit Hapësinor për këtë park.

Drejtuesit e MMPH-së kanë thënë se Plani Hapësinor do të hapë mundësi për zhvillim ekonomik të këtij rajoni malor, në veçanti në fushën e turizmit, duke i respektuar standardet për ruajtjen e mjedisit dhe të natyrës. Por, plani ka hasur në refuzim të banorëve, të cilët frikësohen se do të kufizohen në shfrytëzimin e “bjeshkës së tyre”.

Zëvendësministri Shala, gjatë takimit në Pejë, paralajmëroi se “në fillim të vitit tjetër, do të shteret debati për mënyrën e menaxhimit të parqeve”.

“Në menaxhimin e parqeve do të ndërrojmë diçka, në strategji, në veprim, në planifikim hapësinor”, tha ai.

Më pas, zv.ministri Shala i shoqëruar dhe nga drejtori Morina, vizituan hyrjen e Shpellës së Madhe në Grykën e Rugovës. Lartësia mbidetare e kësaj shpelle është 637 metra.

Shala theksoi se ky është një monument natyror, i cili përmban një gërshetim të resurseve natyrore dhe një strukturë karakteristike, që zgjon interesim për t’u vizituar.

“Për shkak të kompleksitetit të kësaj shpelle, ajo aktualisht është e mbyllur për vizitorë. Por, ekipet hulumtuese tonat, e ato të huaja, po punojnë së bashku për njohjen e saj më thellë e t’i kenë rrethanat e qarta që të hapet së paku në pjesë e saj për vizitorë”.

Ekipi i MMPH-së, po ashtu, ka vizituar dhe burimin e “Drinit të Bardhë” në Radavc. Këtu është ndërtuar dhe një hidrocentral, nga cili gjenerohet një sasi e rrymës elektrike.

“Sot në kuadër të aktiviteteve po vizitojmë burimin e \'Drinit të Bardhë\', i cili jep dritë e bardhësi këtij rajoni të Kosovës. Realisht këtu fillojnë mbarësitë e Drinit, të jetës e të kësaj pasurie të çmueshme të cilën sot po e vizitojmë bashkërisht me ekipet e Ministrisë së Mjedisit”, u shpreh zv.ministri i Mjedisit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)