20 Gusht 2019

MMPH urdhëron largimin e objekteve pa leje në zonën e liqenit të Batllavës

Prishtinë, 28 gusht - Ushtruesi  i detyrës së Ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, në bashkëpunim me Inspektoratin e MMPH-së, kanë marrë vendim për rrënimin e  objekteve pa leje në zonën e liqenit të Batllavës në rast se subjekte e ndërtimi nuk i largojnë ato në afat prej 7 ditësh.

Ky vendim është marrë pas inspektimeve në terren nga Inspektorati i MMPH-së, të cilët kanë konstatuar se subjektet që kanë ndërtuar pa leje në zonën e liqenit të Batllavës nuk i janë përmbajtur vendimit të vitit 2017 për largimin e tyre.  

“Inspektorati i MMPH-së pas Inspektimit të datës 14 gusht 2018 ka konstatuar se nuk ka pasur asnjë largim të këtyre objekteve, andaj me këtë rast janë lëshuar 48 vendime për subjektet të cilat kanë ndërtuar në mënyra të paligjshme pranë liqenit të Batllavës”, deklaroi Matoshi.

Me këto vendime, sipas u.d ministrit Matoshi, janë urdhëruar pronarët e objekteve që në afat prej 7 ditës të bëjnë largimin e tyre.

“Po ashtu me këto vendime janë urdhëruar që pronarët të bëjnë edhe rehabilitimi dhe pastrimin e terrenit dhe sipërfaqeve ku janë të vendosura objektet.

Në rast se pronaret e objekteve nuk veprojnë sipas vendimeve në fjalë, MMPH do të marrë masa konform ligjeve për rrënimin - largimin e objektit dhe shpenzimet  do t’i bartin pronaret e objekteve”, tha Matoshi.

Këto vendime janë bazuar në Ligjin Nr. 04/L-147 për Ujërat në Kosovë, Ligjin Nr. 04/L-175 për Inspektoratin e Mjedisit, Ujërave, Natyrës, Planifikimit Hapësinor dhe Ndërtimit, Udhëzimin Administrativ të MMPH-15/2017, si dhe Vendimit të Qeverisë me Nr. 17/127, të datë 24.04.2013, për caktimin e zonave të mbrojtura dhe masat e tyre mbrojtëse të burimit ujor sipërfaqësor – Akumulacioni i Batllavës.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 20 gusht 2019 - Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala do ta takojë ministrin e Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi. (Holli i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, ora 9:30)

- Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizon tryezën për gjendjen e prodhimit në Kosovë ku do të diskutohen rekomandimet ndaj Qeverisë së re rreth zhvillimit të mëtutjeshëm të sektorit të prodhimit, me panelistë përfaqësues të bizneseve prodhuese në vend. (Hotel Sirius, ora 9:55)

- Në Gjilan fillon implementimi i programit “Shkollat e Shekullit 21”, i cili mbështetet nga Qeveria e Britanisë, i dizajnuar nga British Council. (Salla e Kuvendit Komunal, ora 11:00)

- Instituti Demokratik I Kosovës / Transparency International Kosova organizon konferencën për media gjatë të cilës do të shpalosën të gjeturat e hulumtimit pilot mbi transparencën e kryeqyteteve evropiane, ku mes 27 kryeqyteteve evropiane është vlerësuar edhe Prishtina. (Salla e konferencave të KDI, ora 12:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka do të pret në takim anëtarin e Parlamentit Britanik, John Grogan ku pas takimit do të ketë edhe një konferencë të përbashkët për media. (Shtëpia e Bardhë, ora 13:00)

- Mbahet ceremonia e hapjes se festivalit të edicionit të 9-të të Festivalit të Arteve dhe Kulturës Tradicionale Etnofest. (Etnokompleksi i fshatit Kukaj, ora 18:00)

- Komuna e Prizrenit në kuadër të hartimit të buxhetit për vitin 2020 do të organizojë dëgjime publike me me banorët e rajonit të Zhurit, Vërrinit dhe Vërmicës me qëllim të angazhimit të tyre në procesin e hartimit të buxhetit, transparencës, gjithëpërfshirjes dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve. (Shkolla fillore në Zhur, ora 19:00)

- Aleanca Franceze e Prishtinës, Kino Armata dhe Termokiss organizojnë së bashku edicionin e parë të festivalit "Kino nshehër". (Kino Armata te Sheshi, ora 20:00)