09 Korrik 2020

Mitrovica ndalon hyrjen e qytetarëve tek hapësirat e Liqenit Akumulues

Mitrovicë, 20 mars - Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, ka mbajtur mbledhjen e radhës me shtabin emergjent të Komunës së Mitrovicës, i cili po vazhdon me monitorimin e gjendjes aktuale dhe zbatimin e masave parandaluese në mbrojtje të virusit COVID-19.

Në këtë mbledhje u potencua se deri më tani në Mitrovicë nuk ka të verifikuar asnjë rast me virusin COVID-19, dhe stafi mjekësor në QKMF “Dr. Nexhat Çuni” dhe Spitali Rajonal “Dr. Sami Haxhibeqiri” vazhdojnë me ofrimin e shërbimeve 24 orë për qytetarët e Mitrovicës.

Po ashtu, shtabi emergjent njoftoi lidhur me zbatimin e disa nga masave shtesë të cilat u ndërmorën në mbledhjen e kaluar, duke evidentuar personat e ardhur së fundi nga vendet e perëndimit, aktivizimi i linjës telefonike falas 194 të Qendrës Operative Emergjente Lokale, e cila do të jetë në dispozicion për të gjithë qytetarët që kanë shenja gripoze, ku do të kenë mundësi të udhëzohen nga ekipi mjekësor pa pasur nevojë të paraqiten në QKMF.

Gjithashtu shtabi emergjent u dakorduan të merret edhe një masë shtesë preventive ndaj këtij virusi, duke ndaluar hyrjen e të gjithë qytetarëve në hapësirat përgjatë Liqenit Akumulues, përveç punëtorëve të kompanisë kontraktuese të cilët janë duke i kryer punimet në ato pjesë. Ky vendim është marrë me qëllim që të mbrohet shëndeti i gjithë qytetarëve.

Kalendari

Ngjarjet e datës 9 Korrik 2020

- Mbahet mbledhja e Qeverisë së Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 9:00)

- Vazhdimi i seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës në të cilën do të behët votimi dhe shqyrtimi i disa Projektligjeve për ratifikimin e Marrëveshjeve ndërkombëtare. (Salla e Kuvendit, ora 10:00)

- Komuna e Prizrenit bën përurimin e stadiumit në Sërbicë të Poshtme, projekt i realizuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport ku do të jetë i pranishëm kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe drejtoresha e DKRS-së, Emilija Redzepi. (Nisja do të bëhet nga Shtëpia e Bardhë në Prizren, ora 10:30)

- Vazhdimi i seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës në të cilën do të behët  votimi i Propozim rezolutës nga Raportimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe debati parlamentar lidhur me dialogun Kosovë - Serbi. (Salla e Kuvendit, ora 10:30)

- Në nderim të ushtarit amerikan Alexander Blake Klass, 20 vjeçar nga Willamina e Oregonit, që ka humbur jetën në një incident, që nuk kishte të bënte me veprim të armatosur, Shoqata "Miqtë e Amerikës" do ta ulin në gjysëm shtizë flamurin amerikan. (Sheshi “Bill Clinton” në Prishtinë, ora 11:00)

- Mbahet Seanca plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Salla e Kuvendit, ora 11:00)

- Lëvizja Vetëvendosje mban konferencë për media në të cilën flet Albulena Haxhiu. (Zyret e LV-së në Arbëri, ora 13:00)

- Mbahet mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Rahovecit, në të cilën do të behët shqyrtimi dhe aprovimi i Propozim vendimit për bartjen e mjeteve nga rezervat e buxhetit komunal, nga kategoria pozicionit të pagave në kategorinë e Investimeve Kapitale. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit Komunal në objektin e ri të komunës, ora 14:00)

Mbledhja do të mbahet në sallën e mbledhjeve të Kuvendit Komunal, në objektin e ri të komunës.

- Mbahet një takim pune i organizuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit në të cilin do të diskutohet dokumenti - Plani Hapësinor i Parkut Kombëtar Bjeshkët e Nemuna. (Ndërtesa e re e Qeverisë ish-Rilindja, salla e konferencave, kati XVIII, ora 15:00)