21 Maj 2018

Kosova prezanton potencialet turistike në Berlin

Berlin, 7 mars - Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), ka organizuar paraqitjen shtetërore në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit “ITB Berlin”, që po mbahet në Berlin të Gjermanisë.

Në këtë paraqitje shtetërore me brendin e njohur globalisht “Kosovo Ready For You”, pesë operatorë turistikë kosovarë po prezantojnë potencialet turistike të Kosovës.

Shtandi i Kosovës po vizitohet nga vizitorë të vendeve të ndryshme të cilët për së afërmi po  informohen me atë çka ofron vendi ynë si në kuadër të atraksioneve turistike ashtu edhe në aspektin kulturor e historik.

Përfaqësuesit e KIESA, me tour operatorët dhe agjencitë turistike: “Alb Tours”,  “Altavia Travel”,  “Eurokoha”, “Kosovo Holidays DMC” dhe  “OutDoor Kosovo”, po japin  informacione dhe materiale turistike promovuese  për vizitorët, si dhe po prezantojnë mundësitë që i ofron Kosova në përgjithësi në fushën e turizmit si: vizita në  vende me trashëgimi kulturore dhe historike, aktivitete të ndryshme në natyrë, ecje, çiklizëm, guida turistike etj.

Në këtë panair, Kosova prezantohet në mesin e 180 vendeve pjesëmarrëse, që vizitohet  mesatarisht nga 160 mijë vizitorë.

Ky panair është një ndër pikëtakimet më të rëndësishme për tur-operatorët, pasi aty mund të krijojnë bashkëpunim me partnerët e huaj njëherësh të njihen edhe me trendin e industrisë ndërkombëtare të turizmit.

Pjesëmarrja e operatorëve turistikë nga Kosova është organizuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë,  përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA).

Panairi “ITB Berlin 2018” është i hapur nga data 07 – 11 mars 2018.

Shtandin e Kosovës mund ta vizitoni në Hall 1.2 / 211.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 Maj 2018 - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, do të vizitojë komunën e Kaçanikut, ku do të takohet me kryetarin e Komunës, Besim Ilazi. (Zyra e kryetarit Ilazi, ora 9:00)

- Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, do të vizitojë shkollën fillore dhe të mesme të ulët “Jusuf Gërvalla” në Biqec. (Objekti i shkollës në Biqec, ora 9:45

- Instituti për Politika Zhvillimore organizon tryezën ”Sistemi Pensional në Kosovë: sfidat dhe mundësitë”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Në kuadër të kampanjës “Drejtësia dhe biznesi” Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, së bashku me përfaqësues nga KIESA dhe Oda Ekonomike Amerikane, do të takojnë bizneset nga rajoni i Mitrovicës. (Hotel Palace në Mitrovicë. ora 10:00)

- Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, do të vizitojë shkollën e mesme “Feriz Guri dhe Vëllezërit Qaka”. (Objekti i shkollës, ora 10:30)

- Oda Ekonomike e Kosovës publikon studimin “Bottleneck” me qëllim identifikimin e barrierave që pengojnë të bërit biznes në vendin tonë. (Oda Ekonomike e Kosovës, ora 11:00)

- Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, pret në takim futbollistët e FC Drita, të cilët të dielën u shpallën kampion. (Zyra e Kryetarit, objekti i ish-gjykatës, ora 12:00)

- Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në  Kosovë, Qemal Minxhozi viziton komunën e Dragashit, ku do të pritet nga kryetari i komunës, z. Shaban Shabani (Komuna e Dragashit, ora12:30)

- Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj merr pjesë më inaugurimin e rrugës Krushevë-Shishtavec, e financuar nga BE. (Krushevë, Komuna Dragashit, ora 15:00)

- Drejtori i misionit të USAID-it Xhejms Houp do të flasë me rastin e ceremonisë zyrtare që do të shënojë partneritetin me Cacttus Education. (Cacttus Education, rr. Bashkim Fehmiu. Arberia 3, BC2/11, nr. 4,  ora 16:45)

- Dega e OVL te UÇK-së në Kaçanik në bashkëpunim me SHIL, SHFD, institucionet komunale organizon orë përkujtimore me rastin e 19 të rënies heroike të dëshmorëve: Danush Kurtaj, Mejdi Dalloshi, Tefik Raka, Avdylgafurr Luma dhe Suad Brava, të rënë në Masakrën e Dubravës së Istogut me 22 maj ’99. (Shtëpia e Kulturës “Xheladin Kurtaj” në Kaçanik, ora 17:00)

- Bëhen homazhe me rastin e 19 të rënies heroike të dëshmorëve të rënë në Masakrën e Dubravës së Istogut me 22 maj ’99. (Varrezat e dëshmorëve dhe martirëve, ora 18:30)