21 Shtator 2020

Kërkohet anulimi i vendimit të Prokurorisë për ndalimin e qarkullimit në rrugën Pejë-Rugovë

Pejë, 21 korrik - Sot, banorët e 14 fshatrave të Rugovës të përkrahur edhe nga shoqëria civile në komunën e Pejës kanë mbajtur një konferencë për shtyp në afërsi të pikës së kontrollit policor (Te Patriarkana) në hyrje të Rugovës, lidhur me veprimet e fundit të ndërmarra nga ana e policisë për të ndaluar qarkullimin e kamionëve me materiale ndërtimore duke ndaluar kështu edhe ndërtimet të cilat po bëhen nga banorët në zonën e Rugovës.

Në këtë konferencë të përbashkët, përfaqësuesit e fshatrave të zonës dhe shoqëria civile kanë shprehur pakënaqësitë e tyre dhe njëkohësisht kanë kërkuar pezullimin e menjëhershëm të vendimit për ndalimin e ndërtimeve dhe qarkullimin e mallrave ndërtimore në këtë zonë deri në përfundimin e procedurave të cilat janë iniciuar kohë më parë nga  komuniteti i kësaj ane në Ministrinë e Mjedisit për plotësim-ndryshimin e ligjit të tanishëm për “Parkun Kombëtar”.

Ata kanë kundërshtuar fuqishëm çdo aktivitet të policisë dhe prokurorisë që ka të bëjë me ndalimin e qarkullimit të lirë të mallrave dhe qytetarëve në rrugën Pejë-Rugovë, të cilat janë në kundërshtim të plotë edhe më liritë dhe të drejtat për qarkullim të lirë të njerëzve e mallrave.

Ata kanë vlerësuar bashkërisht se këto vendime dhe veprime të ndërmarra dje, e hënë, në zonën e Rugovës nga ana e qeverisë lokale e qendrore, prokurorisë dhe policisë pa u konsultuar apo informuar paraprakisht komuniteti, janë të pamatura dhe tendencioze dhe si të tilla do të krijojnë një situatë të rrezikshme në këtë kohë pandemie.

Po ashtu është theksuar se ata si qytetarë dhe përfaqësues të komunitetit të Rugovës nuk do të marrim përsipër pasojat e mëtejshme që mund të prodhojë ky vendim.

Këta përfaqësues kanë paralajmëruar se në rast se kërkesat e tyre nuk merren parasysh nga ana e institucioneve të lartcekura në një afat kohorë prej 48 orësh, atëherë ata do të janë të detyruar të ndërmarrin veprime tjera demokratike, siç janë organizimi i protestave. Ata theksuan se nuk do të dëshironin aspak t’i organizonin këto protesta duke ditur rrezikun e shëndetit të qytetarëve nga pandemia COVID-19, megjithatë nënvizuan se do t’i organizojnë ato po që se do të detyrohen për një gjë të tillë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 21 Shtator 2020

- Mbahet mbledhja e Qeverisë së Republikë së Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 8:30)

- Fillon Shkolla Verore e BE-së në të cilën do të shtjellohet temat për zhvillimin ekonomik, qëndrueshmërinë mjedisore dhe shfaqjen e pandemisë globale. (Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ora 9:00)

- Mbahet mbledhja e komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione në të cilën do të votohet raporti i panelit përzgjedhës për shqyrtimin e aplikacioneve, intervistim dhe listën e ngushtë të kandidatëve për Avokat të Popullit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj Stublla takohet me Ambasadorin japonez, Mizutani Akira. (Kabineti i ministres Haradinaj Stublla, ora 10:00 - pa prezencen e mediave)

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, pret në takim delegacionin e Qeverisë së SHBA-ve, të udhëhequr nga Kryeshefi Ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA Adam Boehler, të cilit do t’i bashkohet edhe i dërguari special i SHBA-së për dialogun Kosovë - Serbi, Richard Grenell, përfaqësues të USAID, Kryetarin e Bankës së Eksport-Importit të Shteteve të Bashkuara, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë nga Departamentet e Energjisë dhe Tregtisë në SHBA. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 10:00)
 
- Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj Stublla dhe Ambasadori japonez, Mizutani Akira, nënshkruajnë marrëveshjen për donacionin e radhës të Japonisë për Kosovën. (Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ora 10:30)

-  Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë shqyrton listen e dëshmitarëve, përzgjedh ekspertët e jashtëm si dhe publikon adresën për dorëzimin e dëshmive nga qytetarët. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00)

- Kryeministri Avdullah Hoti merr pjesë në përurimin e shtatores së Heroit Ahmet Krasniqi, si dhe në inaugurimin e sheshit, i cili do të mbajë emrin e tij. (Sheshi “Ahmet Krasniqi” në Vushtrri, ora 11:00)  

- Mbahet ceremonia e dorëzimit të pajisjeve mjekësore për Sallën e Operacionit dhe Sallën e Lindjes për gratë e infektuara me COVID-19, pajisje këto të financuara nga partneri jonë Raiffeisen Bank në Kosovë dhe AMC. (QKUK, ora 11:00)

- Kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi, do të takohet me U.D i Kryesuesit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji Arsim Janova, ku do të  nënshkruajnë një Marrëveshje Mirëkuptimi dhe Bashkëpunimi mes dy institucioneve, pas nënshkrimit të marrëveshjes do të ketë konferencë për medie. (Ish-objekti i Bankës së Lubjanës, kati i IV, ora 11:15)

- Seanca plenare e Kuvendit, e ndërprerë të premten do të vazhdojë sot. (Ndërtesa e Kuvendit, ora 13:00) 

- Kryeministri Avdullah Hoti pret në takim delegacionin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 18:30)