29 Mars 2024

Vendet e CEFTA-së i hoqën kufijtë për tregtinë me shërbime

Tiranë, 18 dhjetor - Në kuadër të javës tradicionale të CEFTA-së, që të mërkurën ka filluar në Tiranë, shtatë vende anëtare të kësaj organizate rajonale kanë arritur marrëveshjen për liberalizimin e tregut të shërbimeve, që konsiderohet si një hap tjetër madhor i kësaj organizate pas atij për liberalizimin e tregëtisë me mallra para katër vjetëve.

E quajtur “Protokolli Shtesë 6 për Tregtinë në Shërbime”, marrëveshja konsiderohet sidomos e rëndësishme për kompanitë dhe organizatat biznesore, sepse do të hapte të gjitha shtatë ekonomi për tregti në shërbime, si dhe do të krijojë edhe mundësi për integrim të mëtejshëm ekonomik, përmes njohjes së ndërsjellë të licencave specifike, kualifikimeve profesionale, lehtësimit të së ashtuquajtures tregëti elektronike (e-commerce) etj.

Kur aplikohet, nuk do të duhej të kishte asnjë problem për inxhinierin nga Maqedonia, pa ndonjë licencë shtesë, të marrë një vend pune në Mostar, thanë zyrtarët e CEFTA, duke paralajmëruar se zbatimi i “Protokollit Shtesë 6 për Tregtinë në Shërbime” do të fillojë posa ai të ratifikohet në të shtatë ekonomitë brenda CEFTA-s.

Drejtori i sekretariatit të CEFTA-së, Emir Gjikiq, ka deklaruar se me arritjen e marrëveshje për liberalizimin e tregut me shërbime, për këtë organizatë hapet kapitulli i ri në procesin e  liberalizimit dhe lehtësimit të mëtejshëm të tregtisë midis Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Kosovës, Moldavisë, Malit të Zi, Maqedonisë Veriore dhe Serbisë.

I pyetur nëse nisma për krijimin e “Mini-Shenegenit Ballkanik” e dëmton procesin e CEFTA-së, Gjikiq ka thënë se CEFTA tash për tash e përbën të vetmen marrëveshje për treg të lire mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Moldavisë dhe se nuk do të egzistonte nevoja për “Mini-Shengenin Ballkanik” nëse procesi të cilin e ka hapur CEFTA me themelimin e saj në dhjetor të vitit 2006, të debllokohet.

“Nëse do të gjeni interes për prodhuesit Tuaj në shtatë ekonomi, atëherë nuk keni nevojë të reduktoni këtë vetëm në tri tregje,” ka thënë ai.  

Marrëveshja e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) u themelua me qëllim të liberalizimit dhe lehtësimit të mëtejshëm të tregtisë midis Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Kosovës, Moldavisë, Malit të Zi, Maqedonisë Veriore dhe Serbisë.

Konferenca e Tiranës ishte një hap i mëtejshëm drejt forcimit të tregtisë dhe tregtisë së shërbimeve midis vetë palëve, ekonomive të tyre dhe BE-së, si dhe tregjeve globale.

Zbatimi i plotë i CEFTA-së do të sigurojë një kornizë për ekonomitë me kapacitete të vogla për të forcuar konkurrencën e produkteve nga rajoni i CEFTA-së. Sipërmarrësit e rinj dhe bizneset fillestare do të jenë në gjendje t'i ofrojnë produktet e tyre jo në një, por në shtatë tregje dhe më gjerë.

I gjithë ky proces që synon eliminimin e barrierave administrative dhe politike për tregtinë e lire në rajon përkrahet nga Bashkimi Evropian, sepse konsiderohet një pjesë e paevitueshme e rrugëtimit drejt pranimit në BE të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, pasi ai i motivon palët të shpejtojnë harmonizimin e legjislacionit të tyre ekonomik me atë të BE-së.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)