19 Tetor 2018

USAID-i vazhdon mbështetjen për Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë

Prishtinë, 12 mars - Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, ka prezantuar prioritetet e institucionit që ai e udhëheq në takim që ka pritur përfaqësuesen e USAID-it, Lee Sara Williams.

Hasani e ka vlerësuar lartë ndihmën e popullit amerikan për Kosovën, duke theksuar se mbetet i përkushtuar që ta vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me USAID-in.

“Natyrisht ne kemi një bashkëpunim të mirë me USAID-in dhe jemi duke i implementuar disa projekte që i kemi në proces dhe kemi kërkesa për të ardhmen për të bashkëpunuar në fusha të rëndësishme”, ka thënë Hasani.

Ministri Hasani ka treguar se janë disa projekte aktuale që USAID-i është duke i mbështetur, si në përgatitjen e ligjit për Shoqëri Tregtare, në kuadër të reformave në të bërit biznes.

Hasani e ka informuar përfaqësuesen e USAID-it se objektivë e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë është anëtarësimi në Organizatën Botërore të Tregtisë.

 “Jemi po ashtu duke hartuar draft-ligjin për reformën e inspektimeve dhe në kuadër të saj jemi duke bërë fuzionomini e inspektorateve. Tek politikat tregtare,  objektivë e jonë është anëtarësimi  në Organizatën Botërore të Tregtisë si dhe përgatitja e ligjit të ri për rregullimin e tregtisë së brendshme”, ka thënë Hasani.

Ndërsa, Williams ka theksuar se Kosova ka bërë përparim në fushën e të bërit biznes, duke shprehur gatishmëri për të ofruar mbështetje edhe më tutje. Sipas saj, USAID është institucion që do ta mbështesë në vazhdimësi MTI-në.

“Ne jemi këtu për të ndihmuar për projektet e së ardhmes”, ka thënë Williams.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 20 tetor 2018 - Kryeministri Ramush Haradinaj pret në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavusoglu. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 9:00)

- Oda e Fizioterapeutëve të Kosovë organizon ditë e dytë të Kongresit e I-rë Ndërkombëtar të  Fizioterapisë në Kosovë. (Hotel Emerald, ora 10:00)

- Aleanca Franceze e Prishtinës mirëpret një ekspozitë me titull "Studio Alix: një shekull fotografi të Pireneve", e propozuar nga shoqata franceze "Écrits de lumière". (Aleanca Franceze në Prishtinë, rruga Lah Nimani, ora 11:00)

- Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, merr pjesë në vënien e gurthemelit të Qendrës së Banimit Social në Malishevë. (Lagjja Mirëdita në Malishevë, ora 14:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në përurimin e fillimit të punimeve të sheshit të Obiliqit. (Qendra e qytetit në Obiliq, ora 14:00)

- Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, mban nesër (e shtune) takim me strukturat drejtuese të degëve të Nismës në Malishevë, Suharekë dhe Rahovec. (Restaurant Bimi 3 në Malishevë, ora 15:00)

- Kuratori i ekspozitës, fotografi francez Loïc Chauvin, specialist i fotografisë shqiptare, do të organizojë një masterclass rreth historisë së fotografisë shqiptare për studentët dhe fotografët. (Kino Armata, ora 16:00)

- Në edicionin e Festivalit Ballkanik të pjekjes dhe promovimit të rakisë, 'Rakia Fest', mbahet tribunë shkencore 'Rakia si mundësi e rritjes se mireqenjes se ekonomive familjare në viset e pasura me pemë. Investimet në funksion të joshjes së popu tës rurale për prodhimin artizanal të rakisë'. (Etnokompleksit të fshatit Kukaj, ora 12:00)