19 Mars 2024

Shqipëria e Kosova do të hartojnë strategji të përbashkët të zhvillimit ekonomik

Prishtinë, 20 nëntor - Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani priti në takim zëvendëskryeministren e Shqipërisë, Senida Mesi, me të cilën biseduan për thellimin e bashkëpunimit në mes të dy vendeve.

Pas takimit, ministri Hasani dhe zëvendëskryeministrja shqiptare Mesi i potencuan format bashkëpunuese dhe mundësitë e avancimeve tregtare në qarkullimin e mallrave.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani potencoi se në takim janë dakorduar të hartojnë një strategji të përbashkët të zhvillimit ekonomik, duke thelluar bashkëpunimin në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.

Po ashtu, ai shtoi se janë të fokusuar në fuqizimin e produkteve që importohen dhe eksportohen në mes të dy vendeve.

Sipas ministrit Hasani, kjo gjë pritet të finalizohet në mbledhjen e dy qeverive, që do të mbahet me 27 nëntor, në Korçë të Shqipërisë.

Kurse, zëvendëskryeministrja e Shqipërisë, Senida Mesi, tha se së bashku me ministrin Hasani, synojnë që secilën marrëveshje ta finalizojnë me nisma konkrete.

Ajo tha se është mirë se Shqipëria dhe Kosova janë në hapa të njëjtë të rritjes dhe zhvillimit ekonomik.

Po ashtu, zëvendëskryeministrja Mesi bëri të ditur se është duke u punuar që të mos ketë fare pikë doganore në mes të dy vendeve, në mënyrë që të lehtësohet shkëmbimi i mallrave dhe shërbimeve.

Gjatë këtij takimi, të dyja palët janë dakorduar se mbledhja e dy qeverive, e cila do të mbahet me 27 nëntor të këtij viti, pritet t’i finalizojë marrëveshjet e arritura, duke sjellë kështu lehtësime për ndërmarrësit e të dyja vendeve.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)