20 Shkurt 2019

SHBA: Tarifat krijojnë sfida për marrëdhëniet dypalëshe SHBA-Kosovë

Washington, 6 shkurt - Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) i kërkuan sërish Kosovës që të pezullojë tarifat ndaj mallrave serbe, për t’i hapur rrugë procesit të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Një zyrtar i lartë i administratës amerikane i tha Zërit të Amerikës se “Shtetet e Bashkuara vazhdimisht e kanë ngritur çështjen e tarifave dhe nevojën e pezullimit të tyre. Udhëheqësit e Kosovës e kanë të qartë seriozitetin e qëndrimit tonë dhe sfidat që paraqesin tarifat për marrëdhëniet e forta dypalëshe ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës. Kosova dhe Serbia, thekson më tej zyrtari i lartë, duhet të ndërmarrin veprime dhe vendime të vështira, por të nevojshme, t’u japin përparësi bisedimeve dhe të normalizojnë marrëdhëniet ndërmjet tyre”, thuhet në deklaratë.

Në muajin nëntor Kosova vendosi tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia për shkak të, siç është thënë, qasjes agresive të Beogradit ndaj shtetësisë së Kosovës. Beogradi ndërkaq e ka kushtëzuar vazhdimin e bisedimeve me heqjen e tarifave, duke bërë që procesi të mbetet i pezulluar.

Shtetet e Bashkuara disa herë kanë bërë thirrje për pezullimin e tarifave, ndërsa javën e kaluar këshilltari për siguri kombëtare i presidentit Donald Trump, John Bolton, bisedoi në telefon me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministrin Ramush Haradinaj dhe kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama.

Kërkesa amerikane për pezullimin e tarifave, ka shkaktuar mospajtime brenda koalicionit qeverisës në Kosovë.

Kryeministri Ramush Haradinaj, ngul këmbë që tarifat të mbahen deri në një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, ndërsa presidenti Hashim Thaçi dhe kryetari parlamentit, Kadri Veseli, kërkojnë që të dëgjohen aleatët dhe ato të pezullohen.

Tash për tash nuk është e qartë se cila do të jetë rrugëdalja nga situata e krijuar me tarifat. Bashkimi Evropian po ashtu po ushtron trysni politike ndaj Kosovës për heqjen e tyre.

Kalendari

Ngjarjet e datës 20 shkurt 2019 - Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit organizon konferencën 'Zëri i Popullit rreth 'Finales së Madhe' ndërmjet Kosovës dhe Serbise'. (Swiss Diamond Hotel, ora 9:30)

- Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, do të marrë pjesë në konferencën e organizuar nga Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit me temën “Zëri i Popullit rreth ‘Finales së Madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”. (Hoteli Swiss Diamond, ora 9:30)

- Kryeshefja ekzekutive e Inspektoratit Policor të Kosovës raporton para Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës lidhur me dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare nga ana e zyrtarit policor si dhe për raportin vjetor të vitit 2018. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 302, ora 10:00)

- Forumi i Gruas së Lidhje Demokratike të Kosovës organizon tryezë diskutimi me temën “Ligji (s) na mbron”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Punëtorët teknik të kompanisë “Beni”  që kryejnë shërbime në Konviketet e Qendrës Studentore të Prishtinës do të protestojnë për kthimin nën menaxhimin e Qendrës Studentore (Para drejtorisë së Qendrës Studentore, ora 11:00)   .

- Komuna e Prishtinës mban konferencë për media. (Objekti i vjetër të Komunës, ora 11:00)

nën organizimin e Grupit të Grave Deputete, mbahet tryeza “Institucionet dhe mekanizmat ekzistues në përgjigje të dhunës në familje”. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 30, ora 11:00)

- Me rastin e ndarjes nga jeta të gazetarit Hivzi Krasniqi, Radio Kosova mban Tubim Përkujtimor. (Kino ABC, ora 12:00)

- Presidenti Thaçi do të marrë pjesë në ngjarjen "Women in Energy Scholarship Program", organizuar nga MCC. (Salla e Kuqe, Pallati i Rinisë dhe Sportit, ora 13:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në manifestimin e 30-vjetorit të Grevave të Minatorëve. (Miniera Stan Tërg në Mitrovicë, ora 14:00)

- Lëvizja mban konferencë për media. (Zyret qendrore të Vetëvendosjes, ora 14:00)