23 Prill 2024

Serbia bojkoton punimet e CEFTA-s në Prishtinë

Prishtinë, 22 nëntor - Që nga vendosja e taksës doganore prej 10% dhe ngritjes së kësaj takse 100% ndaj mallrave serbe që hyjnë në Kosovë, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina bojkotuan takimet e grupeve punuese që po zhvillohen në Prishtinë në kuadër të marrëveshjes së CEFTA-s.

Këto takime të grupeve punuese i paraprijnë takimit të gjashtë dhjetorit në Prishtinë, ku takohen ministrat e Tregtisë dhe Industrisë së vendeve anëtare të CEFTA-s, në përfundim të kryesimit të kësaj organizate nga Kosova. 

Mospjesëmarrjen në këtë takim tashmë e ka konfirmuar ministri i Tregtisë në Qeverinë e Serbisë, Rasim Lajiq, i cili tha se "Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina nuk do të marrin pjesë në takimin në Prishtinë”.

Vendosja e taksës doganore për mallrat e Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës, ka tensionuar raportet Kosovë-Serbi, ndërsa, ka acaruar edhe raportet ndërmjet deputetëve serbë në Kuvendin e Kosovës dhe qeverisë Haradinaj. Lista Srpska ka në kuvendin e Kosovës 10 deputetë dhe ky subjekt është në koalicion qeveritar në Kosovë.

Kryetari i Listës Srpska Goran Rakiq, deklaroi se "masat e Kosovës për vënien e taksës 100 për qind në mallrat që vijnë nga Serbia e Bosnja e Hercegovina, kërcënojnë të shkaktojë krizë humanitare për serbët”.

"Pasojat e këtij vendimi tashmë po ndjehen. Alternativa tregtare të tjera nuk ka dhe prodhimet serbe janë më të lira dhe më mirat. Serbët jetojnë shumë vështirë tash e nesër kërcënon edhe kriza humanitare”, citon RTS Goran Rakiqin.

Sipas tij, Lista Srpska nuk do të përkrahë me asnjë vendim të koalicionit qeverisës në Prishtinë, ndërsa, njoftoi se sot ata do të takojnë Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuciq, për të diskutuar hapat e mëtejmë.

Kosova dhe Serbia kanë shkëmbim tregtar, jo të barabartë. Është zëvendëskryeministri i qeverisë së Kosovës Fatmir Limaj, i cili tha se "importi i deklaruar i mallrave serbe në Kosovë brenda vitit kap shifrën e 450 milion eurove, ndërsa, kjo shifër jozyrtarisht sipas tij, është dyfish më shumë.

E sipas të dhënave të Odës Ekonomike të Serbisë, "eksporti vjetor i Serbisë në Kosovë është 450 milionë euro, ndërsa i Kosovës në Serbi është vetëm 20 milionë euro”.

Më së shumti nga Serbia në Kosovë, eksportohen prodhimet bujqësore dhe ushqimore.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)