29 Mars 2024

Rritet serish deficiti tregtar, kalon shifren prej 367 milion euro

Prishtinë, 23 gusht - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin korrik 2021.

Të dhënat nga Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 39.5% në muajin korrik 2021, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2020, gjegjësisht në vlerë prej 367.7 milion Eurosh, krahasuar me deficitin prej 263.6 milion Eurosh në vitin 2020. Eksporti mbulon importin me 14.5%.

Eksporti i mallrave në muajin korrik 2021 kishte vlerën 62.3 milion Euro, ndërsa importi 430.0 milion Euro, që është një rritje prej 46.2% për eksport, si dhe 40.4% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2020.
 
Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 38.0% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 16.1% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 10.3% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 8.3% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 6.1% e përbëjnë produktet minerale; 5.0% e përbëjnë produktet bimore; 3.6% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, etj.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 14.0% e përbëjnë produktet minerale; 13.4% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 13.1% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 9.7% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 9.0% e përbëjnë mjetet e transportit; 8.0% e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 6.4% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, etj.

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 20.3 milion Euro, ose rreth 32.7% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 13.3%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Italia (9.8%), Gjermania (8.0%), Holanda (3.1%), etj.

Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 194.1 milion Euro, ose 45.1% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 39.8%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (13.4%),  Italia (6.0%), Greqia (4.9%), Polonia (3.0%), etj.

Në muajin korrik 2021, eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-së arritën në 26.9 milion Euro, ose 43.3% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 58.1%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Shqipëria (17.8%), Maqedonia e Veriut (12.9%), Serbia (6.3%), dhe Mali i Zi (4.7%).

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-së në muajin korrik 2021, arritën në 84.1 milion Euro, ose 19.6% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 29.4%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (6.9%), Shqipëria (5.6%) dhe Maqedonia e Veriut (5.3%).

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 14.9 milion Euro, ose 24.0%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: SHBA (12.3%), dhe Zvicra (7.2%).

Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 151.7 milion Euro, ose 35.3%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (12.0%) dhe Kina (9.9%).
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)