26 Janar 2022

Rritet eksporti nga Kosova në Gjermani

Prishtinë, 3 dhjetor -  Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK) përmes një njoftimi për medie, bën të ditur që sipas të dhënave nga Enti Federal i Statistikave, në periudhën Janar-Shtator 2021 eksporti nga Kosova në drejtim të Gjermanisë arriti vlerën prej rreth 40 milionë euro.

Në periudhën e njëjtë të vitit 2020 eksporti ishte në vlerë rreth 30 milionë euro, që do të thotë ka 39% rritje të eksportit nga Kosova në Gjermani në periudhën Janar-Shtator 2021 krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2020.

OEGJK njofton që edhe gjatë vitit të kaluar, në kohë pandemie pati rritje të eksportit mbi 40% për në Gjermani, në krahasim me 2019.  

Nora Hasani, drejtoresha ekzekutive e OEGJK tregon se vështirësitë që kompanitë gjermane kanë hasur në zinxhirët e tyre të furnizimit gjatë pandemisë, iu kanë mundësuar disa kompanive kosovare që të bëhen furnitorë për kompani gjermane.

“Për disa kompani gjermane Ballkani Perëndimor, e në veçanti Kosova janë territor akoma i paeksploruar, por me shumë potencial për gjetjen e furnitorëve të rinj. Për kompanitë evropiane e gjermane që duan të diversifikojnë furnitorët, prodhuesit kosovarë mund të ofrojnë produkte cilësore që transportohen në rrugë më të shkurtra dhe më të shpejta, se sa kur furnizimi bëhet nga Azia”, thotë Hasani dhe thekson se në OEGJK që nga fillimi i pandemisë janë rritur dukshëm kërkesat nga kompanitë gjermane për të gjetur furnitorë nga Kosova për produkte dhe gjysmë-produkte.  

Produktet më të eksportuara nga Kosova në Gjermani për periudhën Janar-Shtator 2021 ishin: Pajisjet e ndërtimit prej plastikës, thasët dhe çantat për paketimin e mallrave, veshje prej telave të gizës apo çelikut, mobileria dhe produkte metalike.

OEGJK përmes këshillimit për eksport, trajnimeve dhe aktiviteteve konkrete me asociacionet e saj partnere në Gjermani mbështetë në mënyrë të vazhdueshme kompanitë kosovare që kanë synim tregun gjerman.  

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 janar 2022

- Kuvendi Komunal i Gjilanit mban seancën e radhes. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit të Komunës së Gjilanit, ora 10:00)

- Komuna e Rahovecit organizon homazhe dhe nderime për dëshmorët e kombit: Nesimi Elshani, Agron Fetahu, Halim Hoti dhe Hilmi Krasniqi, të rënë në Brestoc me 27 janar 1990. (Brestoc, ora 10:00)

- Kuvendi i Kosovës mban seancën e jashtëzakonshme në të cilën do të mbahet debat parlamentar për gjendjen e pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës. (Kuvendi i Kosovës, ora 11:00)

- Komuniteti Bektashian i Kosovës Gjyshata Gjakovë organizon ngjarjen përkujtimore për një vjetorin e kalimit nga jeta të ish-Kryetarit të Komunitetit Bektashian të Kosovës, Baba Mumin Lama si dhe 47 vjetorin e kalimit nga jeta të Baba Musa Himaduna, njëkohësisht rivarrimin e tij në tyrben e baballarëve bektashian në Gjakovë. (Ambientet e Teqesë Bektashiane në Gjakovë pranë “Hani i Haraçisë”, ora 11:00)
 
- Komuna e Rahovecit organizon manifestimin përkujtimor e kulturor për dëshmorët e kombit: Nesimi Elshani, Agron Fetahu, Halim Hoti dhe Hilmi Krasniqi. (Salla e Kuvendit Komunal në Rahovec, ora 11:00)

- Me rastin e 30 vjetorit të Shtëpive-Shkolla, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Perparim Rama së bashku me ekipin e tij, do ta vizitoj Muzeun “Shtëpitë-Shkolla” te familja Hertica, shtëpi këto që u shndërruan në shkolla në periudhën e rezistencës mbarë popullore kundër regjimit serb. (Kodra e Trimave, ora 12:00)

- Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë organizon ngjarjen kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, e cila këtë vit i kushtohet shkrimtarit, veprimtarit politik, laureatit të Çmimit Nobel për Paqe dhe të mbijetuarit të Holokaustit, Elie Wiesel.  (Shkolla e Muzikës “Prenk Jakova” në Gjakovë, ora 12:00)

- Institutit për Politika Zhvillimore mban konferencën lidhur me situatën energjetike në vend. (Zyret e INDEP, ora 14:00)

- Kuvendi i Kosovës mban seancë plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 15:00)