28 Mars 2024

Qeveria miraton Udhëzimin për mallrat e liruara nga tarifa doganore

Prishtinë, 26 maj - Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhjen e 146-të me radhë, të kryesuar nga kryeministri Isa Mustafa, në të cilën ka miratuar rregullore dhe udhëzime administrative nga fusha e përgjegjësisë së saj kushtetuese dhe ligjore.

Në këtë mbledhje është miratuar rregullorja për Përbërjen, Funksionimin, Përgjegjësitë e Komisionit Vlerësues dhe Përcaktimin e Procedurave për Njohjen e Statusit dhe të Drejtave të Personave Paraplegjik dhe Tetraplegjik. Përmes saj janë përcaktuar procedurat për parashtrimin e kërkesave për realizimin e të drejtave të përcaktuara me Ligjin 05/L-067 për statusin dhe të drejtat e personave Paraplegjik dhe Tetraplegjik, funksioni dhe përgjegjësitë e Komisionit Vlerësues, kushtet dhe kriteret për njohjen e statusit të personit Paraplegjik dhe Tetraplegjik, si dhe procedurat ankimore dhe procedurat e rivlerësimit.

Aprovimin e Qeverisë së Kosovës e mori edhe Udhëzimi Administrativ për Mallrat e Liruara nga Tarifa Doganore, i cili ka për qëllim zbatimin e dispozitave të Ligjit për Mallrat e Liruara nga Tatimet Doganore dhe mallrat me tarifë zero, të tatimit doganor si dhe lirimin nga tarifat doganore të disa produkteve farmaceutike që në këtë rast janë citostatikët. Arsyeja e lirimit është humanitare pasi që ka të bëjë kryesisht me substanca aktive farmaceutike që trajtojnë sëmundjet kancerogjene.

U miratua edhe Raporti Vjetor për Funksionimin e Sistemit të Kontrollit Brendshëm të Financave Publike në Sektorin Publik të Kosovës për vitin 2016. Ky raport pasqyron vlerësimet e kryera nga subjektet e sektorit publik në fushën e kontrollit të brendshëm të financave publike në Kosovë për vitin 2016 si dhe jep rezultate dhe konkluzione të cilat duhet të merren parasysh nga Qeveria dhe Kuvendi.

Është aprovuar edhe Nisma për Negocimin e Marrëveshjes për Bashkëpunim në mes të Provincës Autonome të Trentos - Republika Italiane dhe Republikës së Kosovës, e cila rregullon bashkëpunimin në fushat e zhvillimit të qëndrueshëm dhe mbështetjes së zhvillimit të teknologjive të mjedisit, në energji, në trajtimin e mbeturinave, të ujit, kanalizimeve, inxhinieri mjedisore, civile dhe sektorë të drurit, në turizëm të qëndrueshëm, në përmirësimin e zonave natyrore dhe malore për qëllime turistike, në zhvillimin dhe mbështetjen e politikave për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, në përmirësimin e bashkëpunimit të Provincës Autonome të Trentos dhe Komunës së Pejës në veçanti, përmes projekteve të përbashkëta në fushat e përmendura më lartë dhe në promovimin e bashkëpunimit të përgjithshëm ekonomik dhe social në mes të dy palëve.

U miratua edhe Nisma për lidhjen e Marrëveshjes për vërtetimin e periudhave të sigurimit për realizimin e të drejtës në pension, në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Kroacisë.

Me këtë marrëveshje qytetarëve të Kosovës të cilët kanë punuar një kohë të gjatë në Kroaci do t’u mundësohet që pas arritjes së moshës së pensionimit të kenë të drejtë që këtë pension ta marrin në shtetin e Kosovës dhe poashtu do t’u mundësohet e drejta e bashkimit të periudhave të kontributeve.

Aprovimin e kabinetit qeveritar e mori edhe Nisma për aderim në Organizatën ligjore për zhvillim ndërkombëtar – IDLO, që ka për qëllim të inkurajojë dhe lehtësojë përmirësimin dhe përdorimin e burimeve ligjore në procesin e zhvillimit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)