03 Dhjetor 2020

Pandemia COVID19 do të nxisë transformimin e shitjeve përmes internetit

Prishtinë, 1 prill - Transformimi digjital po shihet si opsioni më efektiv nga bizneset për të vazhduar operimin në mënyrë të rregullt, pavarësisht masave kufizuese të lëvizjes dhe distancimit shoqëror si pasojë e pandemisë.

Kjo u tha gjatë një forumi virtual të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, ku u diskutua mbi ndryshimin e mënyrës së shitjeve në kohën e COVID-19.

Uranik Begu, Drejtor Ekzekutiv në Qendrën e Inovacionit të Kosovës (ICK) theksoi se ndryshimet gjithmonë ndodhin në situata të caktuara nxitëse, rrjedhimisht kjo gjendje pandemie mund të jetë një ndër faktorët kryesorë që do të sjellë një orientim të ri ekonomik, duke transformuar sjelljen e konsumatorit si dhe proceset e punës.

Begu potencoi se ICK vazhdimisht ka kontribuar në rritjen e vetëdijesimit për digjitalizimin dhe përdorimin e shërbimeve online, duke e parë se kjo qasje është një trend global në rritje.

Megjithatë, ai konsideron se në Kosovë ka ende shumë hapësirë për përmirësim në këtë aspekt, derisa u bën thirrje institucioneve shtetërore dhe atyre mbështetëse që të mobilizohen dhe të investojnë në aspektin teknik dhe atë të vetëdijesimit për zhvillimin e digjitalizimit si një stimulues gjatë kësaj krize. 

Mërgim Cahani, themelues dhe Kyeshef Ekzekutiv në Gjirafa Inc. tha se në Kosovë tregtia elektronike është ndër sektorët me rritjen më të madhe pas goditjes nga pandemia.

Sipas tij, kjo rritje do të vazhdojë edhe më tutje duke marrë parasysh se bizneset me qasje tradicionale ndaj shitjeve, tashmë kanë filluar të qasen në tregti elektronike, ndërsa edhe nga ana e konsumatorëve dita ditës mund të vërehet ndryshimi i shprehive të blerjes.

Ai tha se Gjirafa u ofron ndërmarrjeve tregtare mundësinë e shpejtë për regjistrim dhe kalim të shitjeve përmes internetit.

Cahani theksoi se ky është vetëm fillimi i një udhëtimi të gjatë të zhvillimit të shitjeve online, dhe meqenëse shumë njerëz tashmë kanë filluar të përshtaten me këtë trend të ri, brenda disa viteve Kosova do të mund të krahasohet me tregjet e shteteve më të zhvilluara.

Arianit Fazliu, bashkëthemelues dhe Kryeshef Ekzekutiv në kompaninë Kutia vlerësoi se mënyrat tradicionale të shitjes janë limituar apo ndaluar si pasojë e pandemisë COVID-19 edhe rezistenca e dikurshme ndaj largimit të mënyrës tradicionale të punës dhe transformimit digjital ka filluar të shuhet.

Ai foli për rritje të kërkesave për zhvillim të platformave për shitje online nga kompanitë e shumta evropiane, duke shprehur besimin se edhe kompanitë kosovare do të ndjekin trendë të njëjta.

Ai shtoi se kompania e tij po mundohet që të kontribuojë në digjitalizimin e bizneseve ashtu që zinxhiri ekonomik të vazhdojë funksionimin, duke e marrë parasysh se kërkesat janë dukshëm të shtuara.

Fazliu tha se transformimi digjital është rruga drejt së ardhmes dhe i inkurajoi kompanitë që të fillojnë këtë tranzicion i cili po shihet si një rrugëdalje për zhvillimin e biznesit në këtë kohë pandemie.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 3 Dhjetor 2020

- Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, Handikos mban konferencën lansuese të Raportit vlerësues mbi qasshmërinë e fëmijëve me aftësi të kufizuara në ndërtesat shkollore të nivelit fillor dhe të mesëm të ulët në Kosovë. (Qendra e Resurseve të Handikos në Veternik, ora 9:30)

- Gjykata Themelore në Ferizaj mban seancën kundër të pandehurit Ibrahim Mustafa Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar. (Gjykata Themelore në Ferizaj, ora 9:30)

- Kuvendi i Kosovës mban seancë te veçantë në të cilën do të mbahet debat parlamentar për gjendjen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara në Republikën e Kosovës. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)

-  Komisioni për Integrim Evropian shqyrton Projektligjin për rimëkëmbjen ekonomike – COVID-19, me amendamentet e Komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

-  Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim shqyrton Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike - COVID-19, me raport amendamente të Komisionit funksional për Buxhet dhe Transfere. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303 Koha: 10:00  

- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhjen ku shpall rezultatet përfundimtare të jashtëzakoshme për Kryetar të Komunës së Podujevës dhe Mitrovicës së Veriut, të cilat u mbajtën më 29 nëntor 2020. (Ndërtesa e KQZ-së, kati 4, ora 10:00)

- Për nder të Ditës Ndërkombëtarë për Personat me Nevoja të Veçanta, ushtruesja e detyres Presidentja, dr.Vjosa Osmani bashkërisht me ambasadorin Britanik, Nicholas Abbott dhe ministrin e Arsimit, Ramë Likaj  nënshkruajnë panon e zotimit për gjithëpërfshirje. Oborri i Kuvendit të Republikës së Kosovës (hyrja nga sheshi, ora 11:30)

- OJQ EC Ma Ndryshe organizon aktivitetet ndërgjegjësuese që ka qëllim të përcjell porosinë vetëdijësuese për eliminimin e pengesave që janë krijuar për shkak të mungesës së gjithëpërfshirjes. (Parku i Qytet në Prizren, ora 11:00 - Keji përballë xhamisë së “Sinan Pashës”, ora 12:00 - Marash, ora 13:00)