25 Prill 2024

Pako Fiskale 2 fuqizon kompanitë që konkurrojnë në tregun e BE-së

Prishtinë, 3 prill - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka vizituar sot gjatë ditës Kompaninë “Pestova” në Vushtrri, e cila bën kultivimin, prodhimin dhe përpunimin e patates dhe produkteve të saj.

I shoqëruar nga zëvendëskryeministri Ramiz Kelmendi, ministri i Financave, Avdullah Hoti, dhe kryetari i Vushtrrisë, Bajram Mulaku, kryeministri Mustafa ka parë nga afër tokat ku mbillet dhe kultivohet patatja, si dhe Fabrikën “Vipa Chips” dhe ambientet përcjellëse, produktet e të cilës tashmë eksportohen në shumë vende në rajon, Evropë dhe botë.

Kryeministri Mustafa vlerësoi punën e madhe që bënë kjo Kompani, sidomos prezencën e saj në shumë tregje ndërkombëtare.

“Mund të them se sot vizituam një firmë e cila është kulminante, jo vetëm për rrethanat e Kosovës, por edhe për produktet e tilla në tregun e Bashkimit Evropian. Është një firmë e cila po luan një rol të rëndësishëm në bashkëpunimin me prodhuesit privatë, sepse llogaritet që janë rreth dy mijë punëtorë që janë të lidhur me këtë veprimtari, dhe përmes “Pestovës” organizojnë veprimtarinë e tyre ekonomike.\"

\"Është një kompani e cila ka arrit që të kapërcej 50 përqindëshin e eksportit të produkteve të veta në tregje shumë të rëndësishme regjionale, evropiane dhe jashtë tregut evropian. U informuam që edhe në Irak ka filluar eksportin e produkteve të ‘Vipës’”, tha kryeministri.

Më tej, kryeministri Mustafa theksoi se puna e kësaj Kompanie reflektohet pozitivisht edhe në Buxhetin e Republikës së Kosovës.

“Është, po ashtu, një firmë e cila është tatimpaguese e rregullt e Kosovës dhe kontribuuese shumë e rëndësishme e Buxhetit të Republikës së Kosovës, për çka ne e falënderojmë në rregullsinë dhe në kontributin që po e jep në përforcimin e Buxhetit. Po ashtu, mbetemi borxhli që ne të përmbyllim Pakon Fiskale 2, në mënyrë që të krijojmë kushte të barabarta të afarizmit të të gjitha kompanive tona, të tilla siç është kjo dhe kompani tjera”, tha kryeministri.
 
Kryeministri Mustafa premtoi se së shpejti Qeveria do të bëjë të ditur mënyrën se si do të mund të përkrahin edhe prodhimin e biopatateve, iniciativë e kësaj kompanie, që ka potencial të madh për eksportim.
 
“Vërtetë jam shumë i kënaqur që në terren po hasim në firma shumë të përgatitura, që konkurrojnë në tregun e Bashkimit Evropian, me një organizim të shkëlqyer dhe me një përkushtim shumë të madh për zhvillimin ekonomik”, tha kryeministri Isa Mustafa.
 
Nga ana tjetër, pronari i kompanisë Bedri Kasumi, tregoi për ndikimet pozitive që ka pasur Pakoja e Parë Fiskale, duke shpresuar se me Pakon e re, do t’iu mundësohet atyre të jenë të barabartë me prodhuesit në rajon dhe më gjerë.
 
“Duke iu falënderuar pakos numër 1 fiskale, kompania “Pestova” ka dy tregje të reja në BE, sepse janë dy faktorë, kualitet dhe çmim. Dhe ne, lehtësirat që i kemi marrë nga Qeveria dhe nga Pakoja 1, kemi pas mundësi që të ulim çmimin për aq sa është konkurrues, dhe tash jemi prezent në tregun e BE-së, në rajon, por edhe në tregun e tretë, në Irak dhe më gjerë”, tha Kasumi.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, foli për përgatitjet rreth finalizimit të \"Pakos Fiskale 2\".

“Jemi në fazat finale të diskutimeve. Besoj se shumë shpejt, pas konsultimeve që veç i kemi kryer në Qeveri, do të marrim vendimin dhe pastaj ministritë përkatëse ku parashihen ato masa, i fusin në fuqi”, tha ministri Hoti.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)