23 Janar 2020

Numri më i madh i ndërmarrjeve i takon tregtisë me 16 143 ndërmarrje

Prishtinë, 4 dhjetor - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikon rezultatet e Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve për vitin referues 2018. Ky publikim, me të dhënat që ofron, synon t’i paraqesë disa nga treguesit ekonomikë sipas strukturës së veprimtarive ekonomike.

Sipas rezultateve të dala nga ky publikim, rezulton se sipas sektorëve ekonomikë numri më i madh i ndërmarrjeve i takon: tregtisë me 16 143 ndërmarrje, ose shprehur në përqindje 45.4%; shërbimeve biznesore dhe shërbimeve të tjera me 5 250 ndërmarrje, ose 14.8%; industrisë përpunuese (prodhimit) 4 930 ndërmarrje, ose 13.9%; akomodimit dhe aktiviteteve të shërbimeve me ushqim 3 683 ndërmarrje, ose 10.4%; ndërtimtarisë 2 849 ndërmarrje, ose 8.0%; transportit dhe magazinimit 1 351 ndërmarrje, ose 3.8%; informacionit dhe komunikimit 982 ndërmarrje, ose 2.8%; xehetarisë dhe gurëthyesit me 161 ndërmarrje, ose 0.5%; furnizimit me ujë, kanalizim, menaxhim mbeturinash dhe aktivitete revitalizimi të tokës me nga 126 ndërmarrje, ose 0.4%; si dhe, furnizimit me energji elektrike, gaz avull dhe ajër të kondicionuar me 65 ndërmarrje, ose 0.2%.

Ndërsa, sa i përket punësimit për sektorët ekonomikë, numri total i të punësuarve arrin shifrën 177 852, prej të cilëve sektori i tregtisë përbën rreth 60 349 të punësuar, ose shprehur në përqindje 33.9%; industria përpunuese (prodhimi) 27 125 të punësuar, ose 15.3%; shërbimet biznesore 22 004 të punësuar, ose 12.4%; ndërtimtaria me 20 533 të punësuar, ose 11.5%; akomodimi dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim me 13 955 të punësuar, ose 7.8%; informacioni dhe komunikimi 10 603 të punësuar, ose 6.0%; si dhe, sektorët e tjerë kanë më pak se 5% të punësuar.

Karakteristikë tjetër, që vlen të përmendet, është edhe qarkullimi i realizuar nga ndërmarrjet, ku dominon tregtia me një pjesëmarrje prej 54.6%, ndërtimtaria me 11.6%, industria përpunuese (prodhimi) me 11.5%, furnizim me energji elektrike, gaz avull dhe ajër tëkondicionuar me 6.4%, aktivitetet e shërbimeve të tjera me 5.1%, kurse sektorët e tjerë të veprimtarive ekonomike rezultojnë me një përqindje më të vogël të qarkullimit.

Sa i përket treguesit të pagës mesatare mujore bruto, ajo sillet rreth 378 Euro në aktivitetet e përfshira në anketë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 23 janar 2020 - Mbahet mbledhja e parë e rregullt e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi në komunën e Rahovecit për vitin 2020. (Salla e Kuvendit Komunal në Rahovec, ora 10:00)

- Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Eliza Hoxha dhe asambleisiti i komunës së Prishtinës, Leutrim Retkoceri, do të mbajnë konferencë për media lidhur me situaten rreth liqenit të Badovcit. (Zyret e Degës së PDK-së, afër stadiumit dhe ambasadës kroate, ora 11:00)

- Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti, do të bëjë shpërndarjen e librave për nxënësit fitues të nivelit komunal të garës nacionale në Dituri dhe Kreativitet Kulturor e Mendim Kritik në komunën e Prizrenit. (Shtëpia e Kulturës, ora 11:00)

- Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa pret në takim të dërguarin e posaçëm të ShBA-ve për dialogun Kosovë-Serbi, Ambasadorin Richard Grenell. (Mediet mund të marrin pamje në fillim të takimit, ora 11:30)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane organizon sesionin e diskutimit me Ndihmës Asistentin e Sekretarit të Departamentit të Shtetit, Jorgan K. Andrews, Byroja Ndërkombëtare e Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit. (Hotel Swiss Diamond, ora 11:30)

- Promovohet partneriteti në mes të Kolegjit Iliria dhe Swiss UMEF University. (Kolegji Iliria, ora 12:00) 

-  Zëvendës-ndihmës sekretari i ShBA-ve Jorgen Andrews do të marrë pjesë në ceremoninë e dhurimit te donacionit në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, ku Byroja për Çështje ndërkombëtare të narkotikëve dhe zbatimit të ligjit pajisje me vlerë rreth 100,000.00 dollarë. (Shërbimi Korrektues in Kosovës, Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, ora 14:00)

- Universiteti i Gjakovës "Fehmi Agani" organizon ceremoninë e diplomimit të studentëve. (Pallati i Kulturës "Asim Vokshi" në Gjakovë, ora 14:00)

- Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti, do të bëjë shpërndarjen e librave për nxënësit fitues të nivelit komunal të garës nacionale në Dituri dhe Kreativitet Kulturor e Mendim Kritik në komunën e Suharekës. (Shkolla e Mesme Profesionale "Abdyl Rama" në Shirokë, ora 14:30)

- Bëhet lansimi i platformës digjitale për pjesëmarrje të publikut, projekt ky i cili është realizuar në Komunën e Prizrenit, me financim të OSBE-së dhe e implementuar nga ana e kompanisë Appdec. (Shtëpia e Bardhë, ora 15:00)

- Instituti Demokratik i Kosovës organizon konferencën për media në të cilën do të publikohet “Indeksi i perceptimit të korrupsionit 2019” për Kosovën i përgatitur nga Transparency International. (Zyrat e KDI-së, ora 18:00) 

- Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, do të zhvillojë darkë pune me të Dërguarin e Posaçëm të Presidentit Trump për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, ambasadorin Richard Grenell. (Restoranti “Renaissance” në Prishtinë, ora 19:30)