15 Dhjetor 2017

Limaj kërkon nga qendrat tregtare t’i hapin dyert për prodhimet vendore

Prishtinë, 6 dhjetor - Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Fatmir Limaj, priti në takim përfaqësuesit e qendrave tregtare në Kosovë.

Gjatë takimit zëvendëskryeministri  Limaj tha se Qeveria e Kosovës është e vendosur për të mbrojtur prodhimet vendore, duke kërkuar nga ta që t’iu japin hapësirën e duhur.

Duke vlerësuar rëndësinë që kanë qendrat tregtare, zëvendëskryeministri Limaj tha se ata janë kontribuues të mëdhenj të buxhetit, duke krijuar vende pune.

“Qeveria do t’i eliminojë pengesat me të cilat përballen ata, me kushtin që të funksionojnë sipas rregullave dhe ligjeve të miratuara në Kosovë”, tha zëvendëskryeministri Limaj.

Më tutje, zëvendëskryeministri Limaj th a se Qeveria e Kosovës është e fokusuar për t’i dhënë mbështetje prodhimit vendor.

“Interesi ynë dhe i juaji është rregullimi i tregut të brendshëm. Si Qeveri e Kosovës jemi të vendosur për të stimuluar prodhuesit vendor. Kërkojmë nga ju t’i jepni hapësirë dhe mundësi prodhimeve vendore. Ta bëjmë edhe ne në Kosovë, siç e kanë vendet tjera promovimin dhe mbështetjen për prodhimet vendore”, theksoi zëvendëskryeministri Limaj, duke kërkuar nga ta që të funksionojë rregulli i njëjtë për hapësirat ku do të vendoseshin produktet vendore. 

Zëvendëskryeministri Limaj ka propozuar që të ketë bashkëpunim profesional mes qendrave tregtare dhe bizneseve vendore, ku do të respektoheshin interesat e të gjithëve, si dhe kërkoi nga ta që të mos u kërkojnë qira ekspozimit të prodhimeve vendore.

Ndërkaq, përfaqësuesit e bizneseve kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të promovuar prodhimet vendore, duke kërkuar nga Qeveria që t’ju ndihmojë në heqjen e disa barrierave me të cilat ata përballen, si asgjësimi i mallit, siguria fizike e objekteve dhe pagesa për energji elektrike.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 15 Dhjetor 2017 - Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 8:00)

- Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Tregti dhe Industri i Kuvendit të Kosovës, do të takojë Janez Kopac, drejtor i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, me seli ne Vjenë ku do te bisedoj lidhur me gjendjen aktuale të përputhshmërisë me Traktatin e Komunitetit të Energjisë, nga ana e Kosovës. (Ndërtesae Kuvendit, salla N-303, ora 9:00)

- Ministrit të Punëve të Brendshme Flamur Sefaj raporton para Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës rreth zbatimit të Planit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së dhe Marrëveshjeve të Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë;. (Ndërtesae Kuvendit, salla N 302, ora  10:00)

- Caritas Kosova do të dhurojë 25 shtretër me dyshekë dhe komodina, donacion për Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. (Objekti i Klinikës së Kirurgjisë, ora 11:00)

- Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, do të fillojnë me nënshkrimin e Peticionit, përmes të cilit kërkojnë që Kuvendi i Kosovës të bëjë ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr.05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, për çështjen diskriminuese ndaj Kosovës. (Sheshi Skenderbeu, ora 11:00)

- ARDA organizon ceremoninë e hapjes së Panarit Dimëror në Prishtinë. (Sheshi Skënderbeu, ora 11:00)

- Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit organizon ceremoninë e ndajres së certifikatave për 200 të rinj për pjesëmarrjen e tyre në trajnimin “Ndërmarrësi për të rinjtë e Kosovës”. (Ish Instituti i Historisë, tani ndërtesa e administratës së UP-së, afër Institutit Albanologjik të Kosovës, ora 11:30)

- Mbahet një konferencë për media lidhur me deklaratën e përbashkët të dhjetëra subjekteve joqeveritare për Projekt-ligjin për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbim të Pronës së Paluajtshme të Komunës, i cili është duke u draftuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe parashihet t'i dërgohet Kuvendit të Kosovës. (Qendra Informative dhe Kulturore e BE-se, ora 13:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj takim me punonjësit e Administratës Tatimore të Kosovës. (Hotel Swiss Diamond, ora 14:00)

- Rrjeti Ballkanik i Gazetarise Hulumtuese, BIRN Kosova, ne bashkepunim me Qendren e Avokimit per Kulture Demokratike, ACDC, do te organizoje nje koktej rasti per ceremonine e ndarjes se çmimeve per 3 storiet me te mira gazetareske, ne kuader te iniciatives se perkrahur nga Ambasada Holandeze ne Kosove. (Kafe-librari, Dit' e Nat', 18:00)

- Qendra Kinematografike e Kosovës shfaq premierën e mbyllur të filmit të shkurtër ‘Një Muaj’ nga Zgjim Terziqi. (Cineplexx, salla nr. 5., ora 18:00)

-  Hapet ekspozita "Bri plagomës prej nga derdhet dhimbja" me fotografi të refugjatëve nga Kosova në Kukës gjatë luftës së vitit 1999, të autorit Fatos Lubonja. (Modelariumin e Arkitekturës mbrapa Ministrisë së Arsimit, ora 19:00)